1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Cili do të jetë pasardhësi i Prodit në Bruksel? - Diskutim për kandidatët për postin e Presidentit të Komisionit të BE-së

Bernd Riegert3 Qershor 2004

Komisioni Evropian në Bruksel ka një vend vakant. Kërkohet një kandidat i aftë për postin e Presidentit të Komisionit. Romano Prodi, presidenti aktual, do të largohet nga kjo detyrë në tetor të këtij viti. Eshtë detyrë tradicionale e presidentit të Këshillit të Ministrave që të gjejë një kandidat të përshtatshëm për këtë post.

https://p.dw.com/p/ArHA
Komisioni Evropian
Komisioni EvropianFotografi: Europäische Kommission

Në prag të takimit të nivelit të lartë të BE-së më 17 dhe 18 qershor në Bruksel, Berti Ahern, kryeministri irlandez dhe president i radhës i Këshillit të Ministrave, do t´i ketë vizituar të gjitha kryeqytetet e 25 vendeve anëtare. Ahern duhet të gjejë, se cili prej kandidatëve mund të jetë i përshtatshëm si president i ri i Komisionit Evropian. Gjatë muajve të fundit në thashethemnajën e Brukselit janë lakuar një duzinë emrash si pasardhësh të mundshëm të italianit Romano Prodi, mandati pesë vjecar i të cilit si president i komisionit përfundon më 31 tetor 2004.

Kriteret që duhet të përmbushë një kandidat, kancelari Gerhard Shrëder i parashtroi para pak kohësh në kuadër të një vizite të shkurtër në Bruksel. Më e rëndësishmja për kancelarin gjerman
është: "Mendoj, se presidenti i komisionit duhet të jetë një evropian me bundje. Ai duhet të dojë te punojë jo vetëm për zgjerimin, por edhe për thellimin e integrimit të BE-së."

Përvec kësaj shefi i ardhshëm i administratës me influencë të BE-së duhet të dëshmojë përvojë politike në nivel evropian dhe të jetë në gjendje ta drejtojë me kompetencë komunikative komisionin e përbërë nga 25 antarë. Por sipas Shrëderit kusht nuk është që kandidati për këtë post të ketë qenë kryeministër: "Unë përmenda një katalog kriteresh, por megjithatë mendoj, se ato jo detyrimisht i përshtaten dikujt që ka qenë apo është kryeministër."

Kancelari këto kritere i parashtroi në prani të kryeministrit liberal belg, Guy Verhofstadt, i cili ndërkohë konsiderohet si një prej favoritëve të mbështetur nga Gjermania dhe nga
Franca. Por një tjetër kandidaturë duket se mbështesin Spanja dhe Britania e Madhe, që preferojnë të ngarkuarin e BE-së me politikën e jashtme, Havier Solana. Por ky i fundit bën pjesë në partinë socialiste, gjë që e vështirëson pranimin e tij nga fraksioni i konservatorëve në Parlamentin Evropian. Kryetari i fraksionit të konservatorëve në parlament, kristjandemokrati Hans Gerd Pëtering, nëse kjo do të vazhdojë të mbetet forca më e madhe në parlament edhe pas zgjedhjeve të 13 qershorit, dëshrion të thotë fjalën e fundit në karuzelin e kandidaturave për presidentin e ri të komisionit: "Ky është qëllimi ynë elektoral dhe ne natyrisht presim që kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve të BE-së të propozojnë dikë nga radhët e familjes së partive kristjandemokrate."

Parlamenti Evropian duhet ta votojë formalisht presidentin e komisionit të zgjedhur nga kryetarët e qeverive dhe të shteteve të vendeve antare.

Kryeministri i Luksmeburgut, Zhan-Klod Junker, dhe kryeministri irlandez, Berti Ahern që është vënë në kërkim të presidentit të ri, të cilët i përmbushin mësë miri kriteret e kërkuara, kanë deklaruar në mënyrë kategorike, se duan të vazhdojnë punën në qeveritë e tyre dhe se nuk janë në dispozicion për postin kyc në Bruksel. Nga lista e kandidatëve është hequr edhe emri i kancelarit austriak, Volfgang Shysel, sepse ky i fundit është skualifikuar në sytë e francezëve për shkak të koalicionit qeverisës me partinë e djathtë populiste të lirisë.

Komisari i politikës së jashtme të BE-së, Kris Paten, është i lëkundur, tek shprehet, se do t´i duhej të mendohej nëse e pranon këtë post, po qe se dikush ia porpozon atij kandidaturën. Ndonëse britaniku ka "ngjyrën" e duhur politike, konsiderohet si e pamundur që ai të jetë njëri nga kandidatët, për faktin, se ishulli skeptik kundrejt Evropës, Britania e Madhe, nuk merr pjesë as në unionin monetar evropian me monedhën e euros dhe as në marrëveshjen e "Shengenit" për hapjen e kufijve.


Megjithatë disa shanse ka edhe presidenti i Parlamentit Evropian, Pat Koks. Irlandezi nuk i fsheh ambicjet e tij, por ai deri më sot asnjëherë nuk ka mbuluar ndonjë post të lartë qeveritar: "Unë gëzohem, që emri im përmendet në këtë kontekst, sepse është hera e parë që kryesia e Parlamentit Evropian vihet në një listë të tillë. Se c´do të ndodhë me këtë listë, këtë duhet ta vendosin të tjerët."

Në listën e kandidatëve sipas spekulimeve bëjnë pjese edhe ish-kryeministri finlandez, Pavo Liponen, dhe kryeministri danez, Anders Fog Rasmunsen.

Qeveria federale në Berlin nuk do të nxjerrë ndonjë kandidat të vetin në garë. Kancelari Shrëder dëshiron që postin e zëvendës/presidentit ta mbulojë me një super komisar gjerman për ekonominë dhe industrinë. Përpara pesë vjetësh ishte detyrë e Gerhard Shrëderit që të gjente një presdient për Komisionin Evropian. Asokohe Shrëder ishte president i radhës së Këshillit të Ministrave të BE-së. Nga përvoja e atëhershme Shrëder ka krijuar edhe një përshtypje se si duhet të jetë kandidati për këtë post: "Ai duhet të jetë i pranueshëm nga shumica, në rast të kundërt ai nuk mund të behët president."

Nisur nga fakti që presidenti i Komisionit Evropian bashkëvendos për axhendën politike të unionit duke i dhënë atij drejtimin, kryetarët e qeverive dhe të shteteve nuk e kanë të lehtë që të bëjnë përzgjedhjen e kandidaturave. Nëse deri më 17 dhe 18 qershor nuk do të arrihet të zgjidhet një kandidat i përshtatshëm është duke u peshuar edhe ideja për organizimin e një samiti të jashtëzakonshëm në korrik.