Cila do të jetë forma e pranisë ndërkombëtare në të ardhmen në Kosovë? | Ballkani | DW | 15.12.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Cila do të jetë forma e pranisë ndërkombëtare në të ardhmen në Kosovë?

Misioni i ardhshëm i BE-së në Kosovë pritet të ketë pesë elemente përbërëse

Prishtina

Prishtina

Prania ndërkombëtare në Kosovë pas zgjidhjes së statusit, do të jetë ndryshe nga prania e deritashme dhe ajo do të jetë në funksion të integrimit të Kosovës në strukturat eurotlantike. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, thotë se institucionet e Kosovës e kanë mirëpritur nevojën e një pranie siç u shpreh ai, të lehtë ndërkombëtare edhe pas statusit, por kjo, sipas tij nuk duhet të jetë përsëritje e përvojave të deritashme, në Kosovë apo në rajon.

Misioni i ardhshëm i BE-së në Kosovë do të ketë pesë elemente përbërëse. Një zyrë civile që do të vëzhgojë zbatimin e statusit, një mision për sundimin e ligjit, praninë e OSBE-së, praninë ushtarake të NATO-s, dhe një angazhim për ndërtimin e kapaciteteve nga Komisioni Evropian, Banka Botërore, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara dhe mekanizma të tjerë.

Torbjorn Sohlstrom, është përfaqësues për Kosovën i komisionerit për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian: Tashmë dy gjëra janë të qarta, E para se kjo prani e ardhshme ndërkombëtare do të jetë ndryshe nga ajo çfarë ka pasur Kosova në këto shtatë vjet. Kjo prani do të jetë më e kufizuar në numër dhe në përgjegjësi.
Përderisa Shtetet e Bashkuara do të mbeten shumë të angazhuara, misioni i ardhshëm do të jetë më shumë evropian, tha Torbjorn Solstrom. E dyta tha ai, prania e ardhshme do të ketë marrëdhënie të tjera me institucionet vendase. Ajo nuk do të jetë trashëgimtare e UNMIK-ut sepse qeverisja e Kosovës do të jetë punë e institucioneve vendase. Pra, viti 2007 nuk do të jetë vetëm vit i statusit por edhe vit i përgjegjësive për institucionet e Kosovës.

Veton Surroi, anëtar i ekipit të negociuesve të Kosovës thotë se prania e ardhshme është pjesë e kushtëzimeve nga bashkësia ndërkombëtare në procesin negociues dhe është pranuar në funksion të vendosjes së një statusi të qëndrueshëm. Ai tha se prania e ardhshme civile do të ketë hapësirë ndërhyrëse për funksionimin e institucioneve të Kosovës, ngjashëm me atë në ishte në Bosnjë, por dallimi është se kjo prani nuk do të jetë ligjvënëse, siç ishte UNMIK-u deri tash.

Megjithatë autoritetet kosovare thonë se, prania e ardhshme ndërkombëtare duhet të shfrytëzohet pos tjerash edhe për bashkimin e tërësisë së saj tokësore dhe për përfshirjen e Kosovës në proceset integruese euroatlantike. Fushat ku duhet të shtrihet ndikimi i pranisë së ardhshme ndërkombëtare janë siguria, institucionet demokratike, zhvillimi ekonomik, marrëdhëniet entike, përmirësimi i marrëdhënieve rajonale dhe përgatitja e integrimit në strukturat euroatlantike. Prania e ardhshme civile ndërkombëtare në Kosovë, thonë autoritetet kosovare nuk duhet të mbështetet në përvojën e deritanishme të Misionit të Kombeve të Bashkuara.

  • Data 15.12.2006
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AraN
  • Data 15.12.2006
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AraN
Reklamë