1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Cfarë dinte Abdelgani Mzudi për planet për atentat të 11 shtatorit 2001 në SHBA?

Joahim Veretka5 Shkurt 2004

Prokurorët kanë kërkuar një dënim maksimal prej 15 vjetësh heqje lirie.

https://p.dw.com/p/ArUA
Pas paraqitjes së pleduajeve nga pala akuzuese dhe ajo mbrojtëse, kuptohet se vlerësimet janë shumë larg njera-tjetrës: prokurori federal dhe akuzuesit e tjerë thonë se Mzudi është fajtor dhe kërkojnë për të dënimin maksimal prej 15 vjetësh, ndërsa mbrojtja kërkon pafajësinë për mandantin e saj. Përsa i përket vendimit që do të merret, gjykatësit megjithatë morën që në 11 dhjetor një vendim orientues: ata e liruan nga arresti të akuzuarin Mzudi. Vendimi spektakular u mor pasi në proces krejt papritur u paraqit një dëshmi e Ramzi Binalshipit. Binalshipi ka qenë anëtar i celulës terroriste në Hamburg dhe ka ndihmuar në planifikimin e atentateve të 11 shtatorit.

Pastaj ai u arratis, për t'u arrestuar saktësisht një vit më vonë, më 11 shtator 2002 në Pakistan nga shërbimet e fshehta të SHBA. Që prej atëherë, vendndodhja e tij mbahet e fshehtë. Të gjitha kërkesat për ta marrë në pyetje Binalshipin si dëshmitar në gjyq, si edhe paraqitja e protokolleve të marrjes në pyetje deri tani janë refuzuar nga autoritetet amerikane. Me përjashtim të deklaratës, ku Binalshipi përmend emrat e katër meshkujve që bënin pjesë në grupin terrorist të Hamburgut. I pandehuri Mzudi nuk bënte pjesë në këtë grup dhe sipas Binalshipit as nuk ka ditur gjë për planifikimin e atentateve. Gjykatësit e Hamburgut pas kësaj nuk panë më rrezik imediat dhe e anulluan urdhërin e arrestit kundër Mzudit. Ata vepruan sipas parimit: në raste pasigurie për të vendosur, vendoset pro të akuzuarit, sepse ata nuk qenë në gjendje të kontrollonin vërtetësinë e thënies së Binalshipit. Deri sot, dëshmitari më i rëndësishëm, Ramzi Binalship mbetet i padukshëm për publikun.

Nga lirimi prej arrestit, mbrojtja shpreson të marrë mbështetje për kërkesën e saj për ta shpallur të pafajshëm mandantin. Mbrojtja nuk e kundërshton që Mzudi ka qenë shok me pilotët e vdekjes, që ai ka marrë me qira banesa për ta, që ka dhënë ndihmë financiare dhe që ka qëndruar në Afganistan në një kamp të El Kaidës: por të gjitha këto kanë qenë favore normale ose neutrale midis vëllezërve myslimanë. Mbrojtësja e Mzudit, Gyl Pinar:

"Me shumë arsye ne mund të konfirmojmë se të gjitha këto nuk janë pjesë mozaiku, sic pretendon prokuroria federale, sepse janë veprime neutrale. Dhe veprime neutrale janë për shembull kur një tregtar armësh shet një thikë dhe më këtë thikë vritet dikush, atëherë tregtari i armëve nuk është ndihmës i dorasit"

Akuzuesit e prokurorisë federale kanë deklaruar në pleduajenë e tyre se miqësia e ngushtë e Mzudit me anëtarët e qelizës terroriste të Hamburgut mjafton për bashkëfajësi. Sipas bindjes së tyre, Mzudi e njihte planin e komplotit. Eshtë e papërfytyrueshme që i padituri nuk ka ditur asgjë, thotë paditësi prokurori Valter Hemberger. Mzudi ka kontribuar që të mbulohet mënyra e jetësës dhe në këtë mënyrë synimet e vërteta të terroristëve. Ai ka ndërmjetësuar banesa dhe ka kryer veprime financiare. Vec kësaj ai ka mbështetur pikëpamjet përcmuese për njerëzit dhe të pamëshirshme të grupit rreth Mohamed Atta-s.

Nëse gjykatësit e Gjykatës Sipërore Hanseatike do ta mbështesin këtë bindje, për këtë shprehen dyshime nga shumica e vëzhguesve të procesit. Nga lirimi para kohe nga arresti, gjykatësit kanë sinjalizuar se anojnë nga paanësia. Sido që të vendoset, dyshime do të mbeten, thonë mbrojtësit e Mzudit. Dhe fajin për këtë ata ua japin SHBA: më refuzimin e tyre të prerë për të vënë në dispozicion dëshmi dhe dëshmitarë, ata nuk e ndihmuan, por e penguan gjetjen e së vërtetës.