Bundestagu zgjat mandatin e Bundeswehrit | Gjermania | DW | 10.11.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Bundestagu zgjat mandatin e Bundeswehrit

Parlamenti gjerman (Bundestag) e ka zgjatur edhe për një vit mandatin për pjesëmarrjen e ushtrisë gjermane (Bundeswehr) në misionin shumëkombësh "Enduring Freedom"

Ushtar gjerman ne Mombasa

Ushtar gjerman ne Mombasa

Bundeswehr-i merr pjesë që prej pesë vjetësh në misionin antiterror që filloi nën udhëheqjen e Shba-ve mbas sulmeve të 11 shtatorit. Të premten Bundestagu e zgjati këtë mision edhe për një vit. E megjithatë shumë parlamentarë me këtë rast kritikuan mënyrën e luftimit të terrorizmit. Madje edhe socialdemokratët që janë pjesë e koalicionit qeveritar me unionistët kanë filluar të shprehin dyshime, siç tha zëdhënësi i tyre për politikë të jashtme, Hans-Ulrich Klose.

Klose

: "E megjithatë besoj se një kthim pas do të dërgonte një sinjal të gabuar në adresë të talebanëve dhe të terrorizmit ndërkombëtar ku ata janë ndërthurrur. Ai do të merrej si shenjë e dobësimit të perëndimit, si dëshmi për efektivitetin e strategjive të tyre terroriste. Kjo nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë."

Kontributi i aktual i Bundeswehrit në luftën antiterror është përqendruar në 330 ushtarë të marinës në Bririn e Afrikës. Aty ata mbajnë nën kontroll rrugët detare. Mandati parlamentar parasheh dërgimin në terren të deri 100 trupave të forcave speciale. Por siç tha Eckard von Klaeden, eksperti i unionit për politikë të jashtme:

Klaeden

: "...që kur qeverisjen e vendit e mori në dorë koalicioni i madh në kuadër të misionit Enduring Freedom nuk është dërguar as edhe një ushtar i vetëm i forcave speciale."

E megjithatë pikërisht kjo pjesë e mandatit është bërë kohët e fundit pre e kritikave. Ushtarë gjermanë të stacionuar gjatë viteve më të fundit në Afganistan akuzohen të kenë keqtrajtuar turkun nga Bremeni, Murat Kurnaz, në kohën kur ai ka qenë i burgosur nga amerikanët. Këto akuza nuk janë konfirmuar ende, por shumë parlamentarë janë shprehur të pakënaqur me misionin. Po kështu edhe Oskar Lafontaine, kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Majtë:

Lafontaine:

"E drejta ndërkombëtare shkelet sa herë që vritet një numër i madh civilësh të pafajshëm. Kjo ndalohet edhe në bazë të Konventës së Gjenevës e kjo luftë shkel në mënyrë të vazhdueshme Konventën e Gjenevës."

Angazhimi nuk i minimizon rreziqet e terrorizmit, por prodhon dhunë sërish e rrit rrezikun e sulmeve terroriste në Gjermani, tha Lafontaine. Grupi i "Së Majtës" ishte kundër zgjatjes së misionit, po ashtu edhe "Të Gjelbrit" të cilët në vitin 2001 si partnerë koaliconi me socialdemokratët kishin marrë pjesë në hartimin e mandatit. Kryetar i tyre, Fritz Kuhn, foli për dilema në radhët e ekologjistëve:

Kuhn:

"Sot nuk e miratojmë këtë mandat, sepse e konsiderojmë jo legjitime mënyrën se si po luftohet në Operacionin Enduring Freedom, si po veprohet me ndërtimin e shtetit dhe si po bëhet lufta e nevojshme kundër terrorizmit."

Shumica e parlamentarëve e pranuan kërkesën e qeverisë për vazhdimin e mandatit edhe me një vit. Që nga viti 2001 qeveria gjermane e ka zvogëluar gradualisht kontingjentin - ndërkohë në të lejohen të marrin pjesë më së shumti 1.800 ushtarë. Kohët e fundit numri i ushtarëve në këtë mision ka qenë gjithmonë më pak se 500.

  • Data 10.11.2006
  • Autor Nina Werkhäuser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqyn
  • Data 10.11.2006
  • Autor Nina Werkhäuser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqyn