1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bisedimet janë në rrugë të mbarë, por pa marrëveshje

Pandeli Pani5 Maj 2006

Në ditën e parë të takimit të tyre në Garmisch-Partenkirchen, 16 ministrat e punëve të brendshme të landeve gjermane dhe MPB Wolfgang Stäuble nuk arritën në një kompromis në lidhje me çështjen e vendosjes së rregullave unike për dhënien e nënshtetësisë gjermane.

https://p.dw.com/p/Ar0f
Teste për nënshtetësinë si ai i propozuar prej landit Hessen nuk do të ketë
Teste për nënshtetësinë si ai i propozuar prej landit Hessen nuk do të ketëFotografi: picture-alliance / dpa/dpaweb

Pas takimit tradicional rreth oxhakut, ministri i brendshëm i landit të Bavarisë, Günther Beckstein (CSU) tha se "bisedimet janë në rrugë të mbarë, por se ende nuk është arritur një marrëveshje."

Megjithë vështirësitë dhe mendimet e kundërta për detaje të ndryshme, për disa pika ministrat kanë arritur tashmë në një emërues të përbashkët. Kështu është rënë dakord që në gjithë Gjermaninë ata që duan të marrin nënshtetësinë t'u nënshtrohen testeve unike për gjuhën gjermane. Po ashtu është rënë dakord, që në të gjitha landet të zbatohen të njejtat rregulla për rastet, kur një person ka qenë i dënuar penalisht si dhe për marrjen e informacionit pranë Entit federal për mbrotjen kushtetuese për personat që kërkojnë nënshtetësi, se mos për akëcilin ka dyshime për terrorizëm.

Në landet që qeverisen prej demokristianëve kërkohet që personat që bëjnë kërkesë për nënshtetësi, t'u nënshtrohen testeve të ndryshme. Landet e drejtuara prej socialdemokratëve mendojnë se të tilla teste nuk kanë vlerë, por se gjithësesi njerëzit që duan të marrin nënshtetësinë gjermane duhet të dinë diçka për këtë shtet.

Propozimi i ministrave socialdemokratë është, që ata që duan të marrin në të ardhmen nënshtetësinë gjermane të marrin pjesë paraprakisht në një kurs ku të mësojnë se si funksionon shteti gjerman, në rast se nuk janë rritur në RFGJ. Ministrat demokristianë propozuan që në fund të këtyre kurseve të mos shtrohen pyetje për dituritë e aplikantëve në lidhje me kulturën, shkencën, letërsinë, artin apo muzikën në Gjermani, por t'i nënshtrohen një provimi në lidhje me vlerat e shoqërisë gjermane dhe kushtetutën e vendit. Me anë të këtij provimi "ne duam të marrim vesh se sa i ka përvetësuar dhe bërë të vetat kandidati këto vlera", tha MPB i landit Baden-Württemberg, Heribert Rech (CDU). Rech shtoi se kandidatët që e marrin këtë provim mund të pajisen edhe me një certifikatë apo vërtetim.

Fjala është për një provim me gojë, i cili do të jetë unik për të gjithë Gjermaninë. Më një provim të tillë do të ishte dakord edhe Këshilli federal për të huajt në Gjermani. Kryetari i këtij këshilli, Mehmet Kilic, tha se ky provim duhet të bëhet nëpër shkollat e natës, apo qendrat që ofrojnë kurse për të rritur në Gjermani, të ashtuquajtuarit universitete popullore.

Ministrat konservatorë janë të gatshëm që të heqin dorë prej betimit individual përpara kushtetutës në favor të një ceremonie betimi festiv. Gjithsesi ata mendojnë se megjithëse në parim për shumë gjëra është rënë dakord në përgjithësi, në lidhje me detajet do të ketë diskutime të vështira.

Ministri socialdemokrat Ralf Stegner, i landit Schleswig-Holstein, theksoi se do të votojë pro kërkesave më të mëdha ndaj atyre që kërkojnë nënshtetësinë gjermane, vetëm në rast se njëkohësisht do të merren vendime për zhvillimin e koncepteve për integrimin e të huajve.

Kryetari i Komisionit parlamentar për çështjet e brendshme, deputeti socialdemokrat Sebastian Edathy, u tërhoqi vëmendjen ministrave të brendshëm të landeve të drejtuar nga partitë e unionit CDU, CSU, se në rast se do të vendosin në mënyrë të njëanshme teste për nënshtetësinë, do t'i drejtohej Gjykatës kushtetuese.

Ministrat e punëve të brendshme do t'i përfundojnë bisedimet e tyre gjatë ditës së sotme.