Bisedime për Lindjen e Mesme në Sharm el Sheih – Dështon ndalimi i ndërtimeve të ngulimeve | Bota | DW | 14.09.2010
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Bisedime për Lindjen e Mesme në Sharm el Sheih – Dështon ndalimi i ndërtimeve të ngulimeve

Kryeministri i Izraelit, Netanjahu dhe presidenti palestinez, Abbas do të vazhdojnë të martën bisedimet e paqes. Në takimin dyditor në Sharm el Sheih merr pjesë edhe ministrja e Jashtme e SHBA, Hillary Clinton.

Hillari Clinton, Benjamin Netanjahu dhe Mahmud Abass në Sharm el Sheih

Hillari Clinton, Benjamin Netanjahu dhe Mahmud Abass në Sharm el Sheih

"Ne jemi partnerët tuaj. Po ju?" Ky është pyetja më e fundit, që e sheh të shkruar në pllakata publicitare në rrugët e Tel Avivit. Krahas saj gjen fotografi të politikanëve palestinezë, të cilët bëjnë pjesë në delegacionin e negociatave nën drejtimin e presidentit palestinez, Mahmud Abbas.

Edhe në internet palestinezët përpiqen që të zgjojnë interesin e popullatës hebreje për dialogun e ri. Në faqen e internetit të "Inisiativës së Gjenevës", një iniciative paqeje izraelito-palestineze, është kryesisht kryenegociatori Saeb Erekat që kërkon besimin e izraelitëve: "Ju përshëndes ju në Izrael. E di, ju kemi zhgënjyer. E di se në 19 vitet e fundit nuk kemi qenë në gjendje të vendosim paqen. E di që shumica e izraelitëve vazhdon të besojë në një zgjidhje me dy shtete, siç e bën këtë shumica e popullit palestinez. Unë jam njëri prej tyre që ka qenë aty. E di se paqja është e mundur. Eshtë e bëshme dhe do të ndodhë, Ne do ta arrijmë. Unë jam partneri Juaj. A jeni Ju partneri im?"

Hillari Clinton dhe Mahmud Abass në Sharm el Sheih

Hillari Clinton dhe Mahmud Abass në Sharm el Sheih

Starti i ri për bisedimet direkte rrezikon të dështojë

"Inisiativa e Gjenevës" përbëhet nga politikanë izraelitë dhe palestinezë, të cilët publikuan shtatë vjet më parë një plan ndarjeje - një projekt, i cili deri sot merret si bazë për një marrëveshje paqeje të Lindjes së Mesme.

Në një kohë kur forcat e moderuara në të dyja krahët i kujtojnë këto zhvillime, starti i ri për bisedimet direkte rrezikon të dështojë vetëm pak ditë pas nisjes së tyre solemne në Uashington. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu i përmbahet faktit që ndalimi i pjesshëm i ndërtimit të kolonive në Jordanin perëndimor të përfundojë në fund të shtatorit. Ai do t'i lejojë të vazhdojnë pa pengesa punimet e ndërtimit të paktën në blloqet e mëdha të kolonive.

Hosni Mubarak dhe Benjamin Netanjahu

Hosni Mubarak dhe Benjamin Netanjahu

Netanjahu duhet të zgjasë ndalimin e ngulimeve

Këtë ndërmjetësit amerikanë e patën duruar njëherë- gjatë të ashtuquajturit proces të paqes të Annapolisit në vitet 2007 dhe 2008. Por palestinezët nuk kanë dëshirë që të futen sërish në negociata të forta dhe të vërejnë njëkohësisht se si rriten ngulimet hebreje në zonat e tyre. Ata duan të largohen nga salla e negociatave në Sharm el Sheih nëse Netanjahu nuk e zgjat ndalimin e ndërtimit të kolonive.

Ministrat e Partisë Laburiste nga kabineti i Netanjahut duan ta pengojnë këtë. Ministri i Punëve Sociale, Jitzhak Herzog tha në radion e ushtrisë që kolonitë të vazhdojnë të ndërtohen në ato vende, për të cilat ka konsensus ndërkombëtar. Por deklaratat më të fundit të kryeministrit Netanjahu nuk flasin për një kompromis të tillë.

Autor: Sebastian Engelbrecht/ ElAuron Dodi

  • Data 14.09.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/PBkT
  • Data 14.09.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/PBkT