Belgët demonstrojnë për unitetin e vendit të tyre
18 Nëntor 2007Në parkun e pesëdhjetvjetorit mbizotëron atmosfera e një feste popullore. Flamujt zi-kuq-verdhë valëviten anë e mbanë. Festohet duke pirë birrë dhe duke ngrënë patatina. Flamandët, valonezët, brukselasit dhe belgët gjermanofonë janë mbledhur të festojnë së bashku në paqe dhe të gëzuar.
Ata duan vetëm një gjë: që vendi të mbetet i bashkuar.
Për këtë ata organizuan përpara festës një marshim proteste përmes rrugëve të Brukselit. Rreth 35.000 vetë, sipas të dhënave të policisë, kishin dalë në protestë. Nuk pati asnjë incident. Gjithçka shkoi paqësisht. Me një përjashtim kur përpara pallatit mbretëror policia ndërmorri një masë paraprake duke arrestuar 33 ekstremistë të djathtë flamandë që mund të shkaktonin trazira.
Për një Belgjikë të bashkuar
"Për unitetin e Belgjikës", kjo ishte parrulla e kësaj demonstrate. Për të tërhequr vëmendjen me kërkesën e tyre, delegacioni i protestuesve i dorëzoi presidentit të senatit belg Armand de Decker, një peticion me 140.000 nënshkrime. "Vendi ynë është shumë i vogël për t´u copëtuar edhe më tej, aq më tepër në Evropën e sotme", thuhet në peticion. Organizatorët e marshimit të protestës dhe të peticionit shpresojnë, që demonstrata do të ketë efekt ndaj politikanëve të vendit. Kjo në mënyrë që pas grindjes prej disa muajsh mes ndërmjetësuesve flamandë dhe valonezë të mund të krijohet një koalicion i ri qeverisës. Qysh prej 161 ditësh vendi nuk ka një qeveri me shumicë të qëndrueshme. Njerëzit në Belgjikë nuk e pranojnë këtë gjendje. Një prind thotë: "Unë shpresoj, që më në fund politikanët do ta kuptojnë, se ne duam të ruajmë unitetin e Belgjikës."
Kristiandemokristianët flamandë duhet të krijojnë koalicionin
Demonstruesit me marshimin e tyre dhe me festën popullore që pasoi donin të dëbonin fantazmën e një ndarjeje të mundshme të vendit. Por nëse do t´ia arrijnë kësaj, kjo nuk është aspak e sigurt pas një dite aksioni të tillë. Ende nuk ka asnjë shenjë që kristiandemokratët flamandë mund të lëshojnë pe në kërkesat e tyre në bisedimet për krijimin e koalicionit. Një ndër kërkesat e tyre është p.sh. autonomia absolute në çështjet e buxhetit për Flandrën, gjë që valonezët e refuzojnë në mënyrë kategorike. Kjo pjesë e varfër jugore ka nevojë për një kompensim financiar prej shtetit centralist. Vendi mund të copëtohet nga një kërkesë e tillë.
Megjithatë pamjet e së djelës nga parku i pesëdhjetvjetorit dhe nga marshimi i protetstës demonstrojnë unitetin e belgëve. Të gjithë që kanë marrë pjesë shpresojnë, se politikanët nuk do t´i mbyllin sytë ndaj këtij imazhi.