BE kërkon nga Kosova: Fqinjësi të mirë, respektim të kulturës dhe trashëgimisë fetare
29 Mars 2007Bashkëpunimi me autoritetet lokale si dhe ato ndërkombëtare, është vendimtar për vënien në jetë të statusit, - theksohet ndër të tjera në këtë raport. Po ashtu aty nënvizohet se pas përcaktimit të statusit autoritetet e Prishtinës do të vihen përballë dy sfidave të rëndësishme. Së pari të marrin përsipër kompetencat që do i dorëzohen nga UNMIK-u dhe së dyti të vëjnë në jetë reformat e rëndësishme të propozuara nga përfaqësuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara.
Më pas në raport përcaktohen në hollësi roli i Zyrës Ndërkombëtare Civile, e cila do të kryesohet njëkohësisht nga përfaqësuesi i BE-së, që do të jetë po ashtu edhe përfaqësues i bashkësisë ndërkombëtare.
Në dokumentin e mësipërm bëhet e ditur se BE-ja pret që Kombet e Bashkuara ta ngarkojnë së shpejti edhe me ngritjen e një Misioni Ligjvënës që do të merret me problemet e rendit, pronësisë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit etj.
Qasja e BE-së ndaj Kosovës ecën mbi 2 shina – nënvizojnë Solana dhe Rehn në dokumentin e tyre. Njëra nga të cilat ka të bëjë me nevojën dhe detyrimin që ka Kosova që të plotësojë të njëjtat kritere si dhe shtetet e tjera të Ballkanit
Perëndimor, dhe nga ana tjetër ajo duhet të ndjejë se BE-ja është e gatshme ta afrojë atë në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, ashtu siç po vepron edhe me vendet e tjera.
Fqinjësia e mirë, respektimi i kulturës dhe trashëgimisë fetare etj – janë disa nga kërkesat bazë që BE-ja shtron para Prishtinës.
Në raportin Solana – Rehn theksohet po ashtu nevoja e organizimit të një konference ndërkombëtare donatorësh për Kosovën. Sipas burimeve të BE-së për Kosovën duhet të mblidhen mbi 1 miliardë euro, por paraprakisht Komisioni
Europian do t’i ofrojë asaj për gjatë tri viteve të ardhshme rreth 200 milionë euro.