190510 EU-Fischereipolitik Kehrtwende
20 Maj 2010Në radhët e BE-së është prej kohësh e qartë që duhet të bëhet diçka për të shpëtuar peshqit e detrave. Sipas komisares së BE-së për peshkimin grekes Maria Damanaki:
"Ne kemi probleme të mëdha me pakësimin e rezervave të peshqve kudo të Evropë ka mbikapacitete peshkimi, ne duhet të përballemi me këto probleme dhe për këtë na duhet një reformë."
Damanaki synon që brenda pak viteve të arrijë një kthesë në politikën e peshkimit. Sipas vlerësimeve të Komisionit rreth 90% e rezervave të peshkut në vendet e BE-së janë duke u rralluar, 30% e tyre në rrezik për të mos u rigjeneruar dot më.
Edhe pse në takimin e BE-së për peshkimin në Vigo pati diskutime të frytshme, harmonia është fare e vogël. Të gjithë pranishmit u përbetuan që në të ardhmen të mos peshkohen më tepër sasi peshku nga sa arrin të ripërtërihet, por sipas sekretarit të shtetit në Ministrinë gjermane të Bujqësisë Robert Kloos:
"Mënyra se si do të bëhet kjo dhe se ç'masa do të merren janë koncepte që mund t'i zgjerosh sa të duash. Në këtë drejtim ka dallime të mëdha duke filluar nga vendosja e kuotave e deri tek masat ekonomike, por unë mendoj se në politikën për peshkimin ekziston një konsens bazë."
Deri tani kuotat e peshkimit vendoseshin prej 27 ministrave të Peshkimit të vendeve të BE-së për t'u realizuar pastaj në kuadër kombëtar. Komisioni i BE-së ka filluar tani bisedimet për vitin 2011 për të vendosur se ç'lloj peshku mund të peshkohet dhe deri në ç'sasi. Por si rregull ministrat ia kanë dalë gjithmonë që t'i zbusnin kërkesat rigoroze që bazoheshin në të dhënat shkencore.
Deputetja suedeze Isabella Lëvin mendon se: "Rruga më e mirë për të luftuar pakësimin e sasive të peshkut, është zvoglimi i flotave të peshkimit dhe heqja e subvensioneve, të cilat u mundësojnë peshkatarëve që të vazhdojnë punën e tyre edhe pse sasitë e peshkut janë të pamjaftueshme."
Por qeveritë e vendeve të BE-së nuk do ta pranojnë një gjë të tillë. Ata i kanë ende të gjalla pamjet e demonstratës së fundit të peshkatarëve në Bruksel. Dhe në BE prej peshkimit jetojnë rreth 400.000 vetë. E pra edhe pse të gjithë e kanë të qartë dhe janë të një mendjeje se politika e ardhshme e BE-së për peshkimin duhet të jetë ekologjike, sociale dhe fitimprurëse, ngrindjet se si mund të arrihet kjo do të vazhdojnë.
Autor: Katrin Brand/Dr. Pandeli Pani
Redaktoi: Aida Cama