230610 G20 EU Finanzmarktreform
23 Qershor 2010Thirrja e presidentit të Komisionit, Jose Manuel Barroso është bërë para një viti, por aktualitetin e saj ajo nuk e ka humbur:
"Tani ose kurrë! Në qoftë se ne tani, në një krizë të vërtetë nuk jemi në gjendje të reformojmë sektorin e financave ose mbikqyrjen e financave, kur mund të jemi në gjendje ta bëjmë këtë?"
Në kohën që ka kaluar që atëherë, shtetet anëtare, Komisioni dhe Parlamenti Evropian vërtet që kanë folur shumë, por kanë vendosur pak gjëra konkrete. Në mbrojtje të tyre megjithatë duhet thënë se kërkimi i kompromiseve në strukturën e komplikuar të institucioneve evropiane është gjithmonë i vështirë.
BE do kontroll më të fortë të tregut financiar
Një pjesë e madhe e iniciativave vjen nga Komisari i Tregut të Brendshëm të BE, Michel Barnier, i cili ka edhe kompetencën e mbikqyrjes së tregjeve financiare. Kredoja e tij tingëllon fillimisht e thjeshtë:
"Nuk duhen të jenë tatimpaguesit, të parët ata që duhet të tundin paratë për gabimet në menaxhim dhe ngatërresat e bankave të caktuara"
Si pasojë, në institucionet e BE po zhvillohen një sërë konsultash për të vendosur një kontroll më të fortë dhe mbikqyrje të sektorit financiar. Bëhet fjalë për shembull për rregullim të tregtisë me derivate dhe për sigurimet për mospagimet e kredive dhe për rregulla për fondet Hedge si dhe shoqëritë financiare private. Deri në fund të vitit do të hyjnë në fuqi edhe rregulla për agjenci të vlerësimit të riskut. Por në shumë raste, rezultati i saktë i procesit të negociatave është fare i paqartë. Para së gjithash britanikët, me qendrën e tyre të rëndësishme financiare botërore Londrën, kundërshtojnë shumë gjëra, të cilat do ta ngushtonin shumë në sytë e tyre sektorin financiar.
Taksa mbi transaksionet e suksesshme po të aplikohej në të gjithë botën
Në takimin më të fundit të nivelit të lartë të BE javën e kaluar, vërtet që kancelarja Angela Merkel arriti ta bindë për taksën e transaksioneve financave edhe kryeministrin britanik, David Cameron. Por kjo u arrit vetëm me çmimin e një formulimi shumë të paqartë: "Sido që të jetë, Këshilli tha sot: ne duam të zhvillojmë dhe të studiojmë mundësinë e ngritjes së një sistemi të tillë të një takse për transaksionet financiare, pra të mbledhim informacione si mund ta bëjmë këtë, dhe ne do të angazhohemi për këtë në mënyrë të vendosur - të gjitha shtetet që janë përfaqësuar në Toronto."
Por e para, çdo vend i BE është vetë në gjendje të zhvillojë dhe bëjë kërkime, dhe së dyti, të gjithë thonë që një taksë e tillë do të kishte sukses vetëm po të aplikohej në të gjithë botën. Veç kësaj rezistenca jashtë Evropës është shumë e madhe.
Autor: Christoph Hasselbach/Auron Dodi
Redaktoi: Lindita Arapi