Avionë zbulues Tornado në jug të Afganistanit | Gjermania | DW | 07.02.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Avionë zbulues Tornado në jug të Afganistanit

Kryekomandanti i NATO-s Craddock: NATO-s i duhen më shumë trupa në Afganistan

Bundesveri në Afganistan

Bundesveri në Afganistan

NATO-ja e kishte kërkuar një gjë të tillë disa herë duke shkaktuar me këtë një diskutim në Berlin: A duhet të angazhohet Gjermania edhe në jugun e pasigurt të Afganistanit, konkretisht - a duhet të dërgojë ajo avionë zbulues Tornado atje? Pas diskutimesh disajavëshe sot vendosi fillimisht për këtë kabineti gjerman. Vendimi pozitiv pritej me padurim në Bruksel.

NATO-ja e priste me interesim ditën e sotme dhe shpresonte që qeveria gjermane do të shprehej vërtet pro dërgimit të avionëve Tornado në Afganistan. Kjo do të ishte shumë e mirëpritur dhe e rëndësishme, tha komandanti i përgjithshëm i NATO-s John Craddock në intervistë me radion gjermane MDR: "Shumë e rëndësishme. Nuk dua të futem në hollësi por duhet të kemi sa më shumë zbulim nga ajri."

Tornadot do të përdoren në gjithë vendin për fluturime zbulimi dhe do të fotografojnë me kamerat e tyre të bordit, çka do të tregonte lëvizjet e talibanëve. Ky material do të jetë në dispozicion të trupës mbrojtëse për Afganistanin ISAF të drejtuar nga NATO-ja; nuk është parashikuar përcjellja e tyre tek koalicioni anti-terror „enduring freedom“ të udhëhequr nga amerikanët, tha kryekomandanti i NATO-s:

"Sipas njohurive të mia bëhet fjalë për mbështetjen e trupës ISAF dhe të dhënat i merr ISAF-i. Nuk kam dijeni që informacionet t'i përcillen edhe „enduring freedom."

Nën drejtimin e amerikanëve koalicioni anti-terror „enduring freedom“ ndjek në jug dhe në lindje të Afganistanit terroristët dhe luftëtarët talibanë. Viti i kaluar ishte më i përgjakshmi që prej luftës së Afganistanit - me shumë atentate dhe mijëra të vdekur. Kryekomandanti i NATO-s Craddock:

"Jam optimist në lidhje me Afganistanin. Por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë probleme të rënda dhe se nuk duhet të ndërmarrim përpjekje të mëdha. Mendoj se kjo do të zgjasë edhe disa vite."

Një zhvillim pozitiv, sipas tij, është që bashkësia ndërkombëtare po e rrit ndihmën e vet për Afganistanin për të çuar përpara rindërtimin.

Nuk ka vetëm zgjidhje ushtarake, tha Craddock duke shtuar se NATO-s megjithatë i duhen në Afganistan më shumë trupa: "Nuk i kemi ende të gjitha trupat që na janë premtuar. Kjo do tu jepte komandantëve tanë në terren më shumë fleksibilitet në misione për më shumë siguri e stabilitet për tu marrë me rindërtimin. Kjo është vendimtare për suksesin."

Ndaj gjatë takimit të kësaj jave të ministrave të mbrojtjes të vendeve të NATO-s në Sevilje të Spanjës kryekomandanti i NATO-s do ti shtyjë vendet e NATO-s që të angazhohen më fuqishëm në Afganistan: "Afganistani ka prioritet për NATO-n. Duhet ta marrim seriozisht, është e vështirë. Por të gjitha vendet e përfshira duhet të kontibuojnë me çka munden."

Pjesë e kësaj është, sipas tij, heqja prej të gjitha vendeve e kufizimeve në angazhim, me të cilat i dërgojnë ushtarët e tyre në Afganistan. Ato duhen hequr sa më shumë të jetë e mundur, tha Craddock, pa përmendur shprehimisht Gjermaninë. Deri tani ushtria gjermane mund të angazhohet vetëm me disa përjashtime në misione luftimi në jugun e rrezikshëm.
  • Data 07.02.2007
  • Autor Michael Becker
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqxd
  • Data 07.02.2007
  • Autor Michael Becker
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqxd