1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Asgjë të re nga fronti i Afganistanit?

Christof Heinzle13 Nëntor 2006

Ministria e mbrojtjes dhe Bundeswehri japin shumë pak informacione për aktivitetet e trupave gjermane në veri të Afganistan. Oficerët e ISAF-it e quajnë "qesharake" këtë politikë të informacionit të cunguar

https://p.dw.com/p/Aqyk
Ushtar gjerman patrullon në Afganistan
Ushtar gjerman patrullon në AfganistanFotografi: AP

Tema e fotografive me kafkat e të vdekurve ka hyrë në indeksin e tabuve tek Bundeswehr-i në Afganistan. Përmes tyre ushtarët gjermanë të stacionuar në Afganistan u bënë objekt debatesh nëpër media. Por, në se dikush guxon të pyesë, se si e shohin ata këtë, do të marrë si përgjigje një heshtje. Asnjë komandant gjerman, asnjë oficer e asnjë ushtar gjerman në Afganistan nuk lejohet të shprehet për këtë temë.

Si gazetar ke të drejtë të bisedosh me ta vetëm pasi e ke parashtruar kërkesën disa ditë më parë dhe kjo është miratuar edhe nga kreu i Bundeswehr-it në Gjermani. Se me kë do të bisedosh, këtë nuk mund ta zgjedhësh vetë, po ashtu edhe temat janë të kufizuara: kryesisht bashkëpunimi ushtarako-civil.

Përgjigjet janë të përgjithshme, si kjo e një nënkoloneli në Kabul: "Popullsia civile është e hapur ndaj nesh. Bashkëpunimi me forcat e tjera të ISAF-it është shumë i mirë. Sundon një atmosferë e hapur dhe e frytshme. Sigurisht që ne e përjetojmë nga afër çdo ditë mikpritjen e afganëve."

Siguria e Bundeswehr-it nuk është keqësuar pas skandalit të fotografive. Indinjata a protesta antigjermane nuk ka patur. E megjithatë, nuk mund të thuhet që skandali nuk ka lënë gjurmë tek ushtarët gjermanë në Afganistan. Zëdhënësi i Bundeswehr-it në Kabul, Michael Bakhaus, preferon të shprehet vetëm për gjendjen në përgjithësi: "Situata në Kabul vazhdon të mos jetë e qetë. Në këtë vit është shënuar rritja e dhunës. Megjithëse tani kemi vënë re njëfarë qetësimi."

Krahas ndalimit të tematizimit të fotografive me kafkat e të vdekurve ka edhe një sërë kufizimesh të tjera. Në nëntor vizitat e gazetarëve në kontigjent janë tejet të kufizuara. Kjo vlen vetëm për sektorin gjerman. Në operacionet luftarake të kanadezëve, për shembull, asistojnë rregullisht reporterët që banojnë në bazën e ISAF-it në Kandahar.

Ndërsa për operacionet dhe incidentet që ndodhin tek trupat mbrojtëse në jug të vendit dhe në Kabul praktikisht ka çdo ditë njoftime për media, nga komandoja e udhëhequar nga gjermanët në veri të Afganistanit nuk dëgjohet asgjë. Informacionet jepen vetëm kur dikush pyet, edhe në këto raste ato janë të vonuara dhe të cunguara.

Një shembull ishte fillimi i operacionit të madh të Isaf-it me emrin: "Shqiponja" në fund të tetorit. Në një konferencë për media në Kabul do të njoftonte për të gjenerali britanik i ISAF-it, Nick Pope: "Është një plan që shtrihet në të gjithë Afganistanin dhe përfshin operacione sigurie që mbulojnë të gjitha krahinat."

"Operacioni Shqiponja" pra përfshin edhe krahinat veriore që ndodhen në komandon gjermane. Por komandoja përgjegjëse e gjermanëve në Masar-i-Sharif donte orë të tëra mbas konferencës për media për ta konfirmuar atë. Deklarata do të duhej të konfirmohej fillimisht nga udhëheqja e Bundeswehr-it në Gjermani. Dhe ato pak fjalë që u thanë nuk duheshin cituar.

Komandoja qendrore e ISAF-it në Kabul nuk është në gjendje ta kuptojë këtë politikë të informimit të cunguar të Bundeswehr-it. Një oficer e quan këtë bllokadë që u bëhet gazetarëve "qesharake". Qendra e ISAF-it dëshiron më shumë informacione për kontigjentin gjerman pasi ky është duke bërë një punë shumë të mirë në veri të Afganistanit. Edhe oficerët gjermanë janë të inatosur për mungesën e informimit që vjen jo nga eprorët e tyre në ushtri, por nga ministria e mbrojtjes në Berlin.