1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Asambleja kombëtare franceze miraton Ligjin e ri antiterror

Stefanie Markert29 Nëntor 2005

Asambleja kombëtare franceze miratoi sot një ligj të ri antiterror. Bëhet fjalë për një ndër ligjet më të ashpëra në Evropë. Me rreth 23 mijë kamera të vëzhgimit dhe atë vetëm në Paris, ministri i brendshëm francez mendon se Franca ka nevojë për masa shtesë të sigurisë.

https://p.dw.com/p/ArN8
Fotografi: AP

"Atentati në Rue de Rennes, Paris 1986, rrëmbimi i një avioni në aeroportin e Marsejit, krishtlindjet e vitit 1994, shpërthimi në një tren rajonal në stacionin 'Shën Mishell' në Paris në korrik të vitit 1995".

Franca ka kohë që ndodhet në shënjestër të terroristëve - dhe që atëherë shumë shpejt është pajisur me një ligj shpecial antiterror, sqaron një kronikë televiziv. Ky ligj tani është ashpërsuar me iniciativën e ministrit të brendshëm Nikolas Sarkozy.

"Nju Jorku, Madridi, Londra njeriu doemos mendon në Parisin, Berlinin dhe Romën. Sa i përket sigurisë së francezëve ne duhet të ballafaqohemi me pasojat e asaj çfarë ndodhi 30 kilometra larg nesh.

Përkundër 23 mijë kamerave të vëzhgimit dhe atë vetëm në Paris, ministri i brendshëm francez mendon se Franca ka nevojë për masa shtesë të sigurisë. Qëllim kryesor i ligjit të tij është të parandalohen keqbërsit.

"Forma më efikase në luftë kundër terrorizmit është kapja e keqbërsve para se ata të kenë bërë diçka të pariparueshme. Për këtë ne kemi nevojë për informata. Andaj ne në Francë kemi vendosur të shtojmë dukshëm mjetet, teknikën dhe personelin dhe të inkuadrojmë burime të reja. Ne duhet të dëgjojmë dhe nëse është e mundur edhe të dijmë gjithçka".

Në këtë mënyrë në të ardhmen kamera vëzhgimi do të instalohen edhe në dyqane, kisha, banka dhe vende tjera të ndieshme. Kush fluturon, udhëton me tren, qëndron në internet apo telefonon duhet të llogaris që të dhënat e tij do të ruhen për një vit dhe mund të përcillen edhe në hetuesi. Në vendtaksimet e autostradave në të ardhmen është e mundur që të fotografohen targat dhe shoferi. Në vend të katër ditëve personat e dyshimtë mund të mbahen në arrest gjashtë ditë. Kush planifikon një atentat do të qëndroj më gjatë pas grillave të burgut, deri tash parashiheshin 20 tani e tutje 30 vjet.

Për presidentin e Ligës franceze për të drejtat e njeriut, Zhan-Pierre Dubois me këto masa është shkuar shumë larg:

"Projektligji nuk është efikas. Masat po aplikohen në Londër dhe nuk kanë penguar asgjë. Eshtë e rrezikshme për shkak se shteti bën të dyshimtë tërë popullatën e cila filmohet dhe përcillet vazhdimisht", thotë Dubois.

Në një shkallë prej 5 pikëve rreziku i terrorit në Francë ndodhet më tepër në pikën katër sesa tre, justifikohet ministri i brendshëm Nikolas Sarkozy. Ai e di se në Irak ndodhen ndërkohë shumë atentatorë francez.

"Liria më e madhe është megjithatë që njerëzit të futen në autobuz apo metro pa patur frikë për jetën e tyre. Kjo mua më duket më e rëndësishme se pjesa tjetër".

Megjithatë pjesa tjetër u intereson qytetarëve. Një vizitor në internetkafe:

"Disa gjëra nuk do t'i bëj më këtu, si përshembull të kontrolloj konton time. Ashtu-kështu vëzhgimi nuk ndryshon gjë. Në Paris në çdo 30 metra ekziston një mundësi kyçje pa kabllo në interent dhe nuk bën të harrohen as telefonat mobil".

Nga mesi i dhjetorit pritet që senati të miratoj përfundimisht këtë ligj. Në fuqi ai pritet të hyj në fund të vitit, fillimisht për tre vjet. Pastaj parlamenti duhet të votoj sërish për vazhdimin e tij.