Asambleja e Përgjithshme e OKB-së zhvillon më 18 shtator plenumin e saj të 61 në Nju Jork | Politika | DW | 16.09.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së zhvillon më 18 shtator plenumin e saj të 61 në Nju Jork

Të hënën në sallën plenare të OKB-së në Nju Jork, do të mblidhen përfaqësues të të gjitha shteteve të botës. Axhenda e takimit disaditor është e mbushur me tema nga më të ndryshmet. Ato më aktuale janë Kriza e Libanit, konflikti mes palestinezëve dhe Izraelit, Afganistani, Iraku, trupat paqëruajtëse

Në maj të vitit 2001, Kombet e Bashkuara filluan një program për vendet më të varfëra në botë, të ashtuquajturën "Deklarata e Brukselit". E hartuar në formën e një road-map, ky program kishte si qëllim zhvillimin e këtyre vendeve nga vitit 2001 deri në vitin 2010. Tani, në plenumin e 61 të Kombeve të Bashkuara, do të bëhet një bilanc i punës së kryer deri më sot. Kanë kaluar 6 vjet tashmë, që kur Kombet e Bashkuara deklaruan qëllimet e tyre të mileniumit, të cilat janë pjesë e programit të Brukselit.

Në raportin që do të diskutohet gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork, do të pranohen mbi të gjitha dështimet që kanë ndodhur me vendet më të varfëra në botë, vendet e ashtuquajtuara "Least Developed Countries" LDC. 50 vendet më të varfëra dhe më të pazhvilluara në botë, nuk kanë përfituar as nga globalizimi dhe as nga rritja e ekonomisë botërore, thotë një ndër autorët e raportit të UNCTAD-it, Michael Hermann:

"Problemi nuk është se vendet e varfëra nuk përfitojnë ndonjëherë nga rritja ekonomike. Problemi është se në vende të tilla, rritja ekonomike nuk zgjat kurrë, dhe është e paqëndrueshme. Periudhat e rritjes së dukshme të ekonomisë, pasohen nga kriza të thella dhe serioze. Dhe kështu, mesatarisht, këto vende nuk rriten nga ana ekonomike. Sfida jonë është që ta mbështesim rritjen ekonomike në mënyrë të tillë, që ajo të jetë e qëndrueshme."


Por bashkësia ndërkombëtare nuk e ka arritur ende këtë qëllim. Megjithë faljen e borxheve dhe rritjen e ndihmave financare për vendet në zhvillim nga shtetet e pasura, varfëria në vendet më të varfëra në botë po rritet gjithnjë e më shumë. Në listën e shteteve LCD, ndodhen 10 shtete aziatike, pesë grupe ishujsh nga Oqeani Pacifik dhe 34 shtete afrikane, shumica e të cilave ndodhen në jug të Saharës.

Ideja kryesore e bashkësisë ndërkombëtare është krijimi i mundësive për shtetet më të varfëra, që të dalin nga kriza duke prodhuar vetë. Pra nëpërmjet investimeve dhe ndihmës për zhvillim në sektorë konkretë, do të luftohet varfëria në vendet më të varfëra në botë. Teorikisht kjo është një ide e mirë, por implementimi i saj duket i vështirë. BE-ja për shembull e subvensionon sektorin e tij agrar me 55 miliardë euro në vit. Po të llogaritet së bashku, shuma vjetore që shpenzojnë shtetet e Organizatës për Ndihmën dhe Zhvillimin Ekonomik, OECD, për subvencionim e sektorëve të tyre agrarë, është 10 herë më e lartë shuma që investojnë për ndihmën e shteteve të varfëra. Sipas ekspertit të UNCTAD-së, Michael Herman, subvencionimet janë pengesat më të mëdha për zhvillimin:

"Ekzistojnë disa studime se si subvencionimet e sekorëve agrarë, dhe proteksionizmi agrar në shtetet veriore të industrializuara, dëmton vendet në zhvillim. Ne kemi kryer një studim në Sinegal, një shtet që më parë shiste domate dhe salcë domatesh, dhe që tani importon domate nga BE-ja. Pa dyshim që ky import e ka dëmtuar industrinë e domateve në Sinegal."

Në Nju Jork, përfaqësuesit e 193 qeverive, të cilat sapo e kanë pranuar projektin Roadmap kundër varfërisë, do të diskutojnë sërish mbi synimet e tyre kryesore. Por për shkak të problemeve aktuale sidomos në Lindjen e Afërt, luftimi i varfërisë në vendet më të varfëra në botë, nuk do të jetë tema kryesore e bisedimeve.

  • Data 16.09.2006
  • Autor Helle Jeppensen
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqoY
  • Data 16.09.2006
  • Autor Helle Jeppensen
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqoY