1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Angela Merkel për vizitë në Varshavë të Polonisë

Thomas Rautenberg17 Gusht 2005

Kryetarja e Unionit Kristiandemokrat Angela Merkel është pritur dhe nderuar në Poloni nga presidenti Aleksander Kvasnievski si" kancelare e mundshme e ardhshme e Gjermanisë". Merkel e siguroi të martën Kvasnievskin që në rast të ndërrimit të qeverisë në Berlin Polonia do të respektohet si një partner i rëndësishëm në politikën gjermane të lindjes.

https://p.dw.com/p/ArDY
Angela Merkel në Poloni
Angela Merkel në PoloniFotografi: AP

Kandidatja e Unionit gjerman në opozitë për kancelare Angela Merkel siç duket përdori tonin e duhur në Varshavë: ajo Poloninë e radhiti në mesin e partnerëve strategjik për Gjermaninë dhe e trajtoi njëjtë sikurse kombet tjera të mëdha të Bashkimit Evropian, çfarë me kënaqësi dëgjohet në Varshavë:

"Prej Konrad Adenauerit pajtimi me Poloninë ka vlerën e njëjtë politike si pajtimi me Francën. Këtë ne e bëjmë të qartë edhe përmes vizitës sonë. Dhe kjo do të jetë evidente edhe në një qeveri federale të drejtuar nga unë", tha Merkel.

Në rrafshin politik Angela Merkel në Varshavë është pyetur para së gjithash për dy tema: për projektin diskutabil në Poloni për ngritjen e një Qendre kombëtare kundër dëbimit në Berlin dhe politikën e jashtme gjermane në të ardhmen kundrejt Moskës. Qeveria polake shqetësimet e saj për mundësitë e keqinterpretimit të përgjegjësive të Luftës së II-të Botërore përmes ngritjes së një monumenti të tillë ia ka shprehur edhe kristiandemokrates Angela Merkel. Kështu Merkel:

"Ne i marrim seriozisht shqetësimet dhe frikësimet që keni në Poloni. Unë dua që një Qendër e tillë të jetë një qendër e përpunimit dhe një dokumentacion i vuajtjes njerëzore. Por kjo nuk do të thotë kurrë një relativizim i çështjeve historike dhe me këtë edhe i çështjeve të shkaktimit të nacionalsocializmit dhe të Luftës së II-të Botërore. Për mua është e rëndësishme që nga ky vend në Varshavë ta bëj këtë edhe njëherë të qartë", nënvizoi Merkel.

Jo më pak e qartë kristiandemokratja Merkel ishte edhe ndaj kërkesave të mundshme për zhdëmtimin e të dëbuarëve gjerman. Për këtë, sipas Merkel nuk do të ketë mbështetje nga një qeveri e drejtuar nga Unioni Kristiandemokrat-Kristiansocial.

Nga ana tjetër balsam për shpirtin polak ishte sigurimi i Merkel se në rast të ndërrimit të qeverisë, ajo do të angazhohet për një politikë ta caktuar të lindjes dhe Bashkimit Evropian. Raportet e tendosura me Moskën dhe para së gjithash mirëkuptimi mes Parisit dhe Berlinit nga njëra anë dhe Kremlinit nga ana tjetër, pa përfshirjen e Varshavës tek pala polake kanë shkaktuar shqetësim të madh.

Andaj kandidati konservator për zgjedhjet presidenaciale në Poloni Donald Tusk u shpreh i lehtësuar pas ofertës së Angela Merkel për bashkëpunim:

"E rëndësishme për të gjithë polakët është që kjo deklaratë, që Gjermania në momente të tilla të vështira që kishte Polonia më parë me Bjellorusinë dhe Rusinë, nuk do të na lë vetëm. Kjo është një deklaratë që ka rëndësi të madhe për Poloninë", tha Tusk.