Angazhim për një bashkëpunim më të mirë në luftën ndaj kontrabandës dhe trafikut të interesave
28 Shtator 2006Zyrtarët më të lartë të doganave shqiptare e greke janë takuar në një takim dypalësh në pikëkalimin kufitar të Kakavijes dhe kanë diskutuar rreth masave të përbashkëta për përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimit të doganave në të dy anët e kufirit shqiptaro-grek. Drejtori përgjithshëm shqiptar i doganave Përparim Dervishi dhe homologu grek Janis Dhimitros kanë përfshirë në axhendën e takimit edhe financimin prej Bashkimit Europian të ndërtimit të doganave të reja në jug të vendit si ajo e Qafë Botës në Sarandë, Sopikut në Gjirokastër si dhe mundësinë e shtimit të pikëkalimevetë reja kufitare e doganore me synimin e vetëm rritjen e niveleve të shkëmbimeve mes të dy vendeve.
Doganat shqiptare e greke do të nënshkruajnë shumë shpejt edhe një marrëveshje dypalëshe për të rritur nivelin e shkëmbimit të informacionit, standartet e shërbimeve doganore mes të dy vendeve si dhe angazhohen për një bashkëpunim për luftën ndaj kontrabandës dhe trafikut të interesave. Drejtori përgjithshëm i doganës shqiptare Përparim Dervishi tha se kjo marëveshje e program që financohet Komisioni Europian do t'i shërbejë edhe rritjes së nivelit të qarkullimit e shkëmbimeve të njerëzve dhe mallrave në të dy anët e kufirit.
Marrëveshja dypalëshe mes doganave shqiptare e greke, materializon marrëveshjen e nënshkruar pak ditë më parë në Athinë gjatë vizitës të kryeministrit Berisha mes dy ministrive respektive të financave. Shqipëria po synon të modernizojë si legjislacionin ashtu edhe shërbimin doganor duke e përafruar atë me nivelin e shërbimit e standarteve të vendeve të Bashkimit Europian.