1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Analiza e ADN-së - armë e fuqishme kundër kriminelëve?

Judith Hartl19 Janar 2005

Debati i vjetër mbi ADN-në është hapur sërish: A do të lejohet që të merren prova të ADN-së për të krijuar një rregjistër që do të mund të ndihmojë më vonë për përcaktimin e kriminelëve? Debati u hap tani në Gjermani pas vrasjes së stilistit Rudolph Moshammer. Vrasësi i tij u gjet pikërisht për shkak të gjurmëve të ADN-së që kish lënë në vendin e ngjarjes.

https://p.dw.com/p/Ar4w
Modeli i një molekule të ADN-së
Modeli i një molekule të ADN-sëFotografi: AP

Menjëherë pas vrasjes së stilistit Rudolph Moshammer u gjet edhe vrasësi i tij. Kjo ndodhi falë disa copëzash mikroskopike lëkure, që ndodheshin në kabllin me të cilin u mbyt stilisti. Këto copëza u analizuan në një laborator për ADN-në dhe u krahasuan më pas me të dhënat e zyrës gjermane për kriminalistikën. Kështu vrasësi u identifikua aq shpejt sa nuk i mbeti asnjë mundësi për t´u fshehur. Por policia kishte rastësisht një provë të ADN-së së vrasësit. Përpara disa vitesh, i njejti person akuzohej për përdhunim dhe kish dhënë në mënyrë vullnetare një provë pështyme.

Edhe vrasësi i dy fëmijëve Levke dhe Felix ish akuzuar dhe dënuar më parë për përdhunim, por sipas gjyqtarit, i dënuari nuk përbënte më rrezik për shoqërinë dhe kështu nuk u detyrua të japë një provë të ADN-së. Nëse zyra gjermane për kriminalistikën do të kish pasur një provë të tillë në arkivin e saj, ajo do të kish mundur të vepronte shumë më shpejt dhe do të kish shpëtuar kështu të paktën jetën e njërit prej fëmijëve. Analiza e ADN-së është padyshim një armë e fuqishme në duart e policisë. Flokë, copëza lëkure, përshtymë apo spermë ndodhen gjithmonë në vendin e ngjarjes - sado i kujdesshëm të jetë krimineli. Përse pra nuk lejohet që çdo kriminel të japë një provë të ADN-së së tij për çdo rast? Madje, përse nuk bëhet kjo gjë me të gjithë njerëzit?

Mbrojtësit e të dhënave personale janë absolutisht kundër këtij mendimi. Ndoshta sepse një provë e tillë tregon gjithashtu shumë lehtë se cilat rrënjë ka njeriu e madje cilat sëmundje. Ata kanë të drejtë kur thonë se njohuri të tilla mund të shpërdorohen lehtë. Por policia ka të drejtë të përdorë vetëm pjesën jo të koduar të gjenomit, e cila nuk mjafton për të përcaktuar profilin personal të një individi.

Sigurisht që çdo verpim do të kontrollohet me mënyrë të rreptë dhe te vetmit njerëz që do të kenë frikë do të jenë kriminelët. Ndoshta ata do të kenë aq shumë frikë sa do të mendohen mirë përpara se të kryejnë sërish një akt kriminal. Qytetarët kanë të drejtë të ruhen nga kriminelët dhe kjo e drejtë është më e rëndësishme se protestat e mbrojtësve të të dhënave personale. Analiza e ADN-së është e domosdoshme për të ruajtur të drejtat e qytetarëve dhe ata që nuk e pranojnë këtë analizë, marrin në mbrojtje vrasës dhe kriminelë. Përpara qindra vitesh marrja e gjurmëve të gishtërinjve konsiderohej si akt i djallit - ndërsa sot ajo një një gjë mëse normale. Pritet të shpresojmë se e njejta gjë do të ndodhë së shpejti edhe me provat e ADN-së.