1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ali Ahmeti kërkon vazhdimin e dialogut

Fatos Musliu23 Shkurt 2007

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, përmes një letre të hapur i është drejtuar kryeministrit Nikolla Gruevski, në të cilën jepen arsyet për ndërprerjen e dialogut politik midis pozitës dhe opozitës

https://p.dw.com/p/ArYH
Ali Ahmeti
Ali AhmetiFotografi: AP

Si kërkesë kryesore për vazhdimin e dialogut politik, Ali Ahmeti veçon reformimin e Komitetit parlamentar për marrëdhënie midis bashkësive etnike. Gjithashtu kërkohet zgjidhje urgjente për miratimin e Ligjit për gjuhën shqipe, si dhe Ligji për invalidët dhe familjet e luftëtarëve të ish UÇK-së. Për këto çështje, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, thotë se nuk mund të bëhet kompromis.

Dialogu dhe negociatat midis bartësve të proceseve politike në Maqedoni duhet të jetë dukuri më normale dhe kusht më elementar për funskionimin e sistemit, implementimin e standardeve dhe perspektivën e vendit.

Mirëpo, sipas nënkryetares së BDI-së, Teuta Arifi, Qeveria në mënyrë të pa skrupullt majorizon të gjitha idetë dhe propozimet e opozitës. “Në Parlament është instaluar praktik e dëmshme e majorizimit, ndodhi instrumentalizimi i Komitetit për mardhënje ndëretnike, në vend se të avancohet decentralizimi, përkundrazi u morrën kompetencat e pushtetit vendor dhe u bë në mënyrë të vazhdueshme shkelja e rregullores së Parlamentit”-ka deklaruar Teuta Arifi , nënkryetare e BDI-së

Me sjelljet përjashtuese dhe arbitrare, Qeveria e përjashton opozitën nga proceset vendimmarrëse. Mungesa e dialogut ndëretnik, partizimi i tejskajsëm i administratës shtetërore dhe braktisja e kursit reformator nuk jane imazh i mirë i Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe BE, vlerson opozita shqiptare.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në letrën dërguar kryeministrit Gruevski apostrofon domosdoshmërinë e prezencës së ndërkombëtarëve në dialogun politik midis pozitës dhe opozitës. Gjithnjë sipas Ali Ahmetit ndërkombëtarët janë faktor kyç për implementimin e marrëveshjeve në Maqedoni.

Ndërkohë, ambasadori i BE-së në Maqedoni Ervan Fuere, ka ritheksuar edhe njëherë qëndrimet e Komisionit evropian për domosdoshmërinë e dialogut midis pozitës dhe opozitës.“Partitë politike duhet të kuptojnë se duhet vet të ulen në tryezën e bisedimeve për të zhvilluar dialog për çështjet strategjike të vendit. Ato duhet të jenë të pjekura për jetësimin e këtij dialogu. Nuk ka vend që për çdo dialog të jenë prezent edhe ndërkombëtarët. Zhvillimi i dialogut nuk duhet të jeët spektakular, ai duhet të zhvillohet për çdo ditë në ambient normal.”

Dialogu mes pozitës dhe opozitës në Maqedoni është nderprerë tani më një kohë të gjatë dhe si rrjedhojë e saj partitë opozitare shqiptare, BDI dhe PPD kanë braktisur punimet e Parlamentit republikan.