A mund të shpëtohet çiklizmi nga bataku i dopingut?
27 Korrik 2007Ekipi i Holandës Rabo - Bank vendosi mbrëmë që ta largojë nga ekipi edhe bartësin e deritanishëm të fanellës së verdhë Mihael Rasmunsen. "Mihaeli është suspenduar nga ekipi", bëri të ditur zëdhënësi i ekipit. Danezi 33 vjeçar arriti të fitojë dje një prej etapave më të vështira në Pireneje, por humbi garën për shkak të gënjeshtrave.
Ai ka gënjyer lidhur me vendin e përgatitjeve, që është në kundërshtim me rregullat e federatës ndërkombëtare të çiklizmit. Në 15 javët e përgatitjeve të fundit, Rasmunsen ju është fshehur tre herë kontrolleve për doping. Fanellën e verdhë e ka tani spanjolli Kontador, por më parë edhe emri i tij është përmendur lidhur me dopingun.
Vetëm dy ditë më parë, për shkak të testit pozitiv të kapitenit të saj, Aleksander Vinokurov, nga gara është tërhequr i gjithë ekipi Astana, ku bënte pjesë edhe favoriti gjerma,n Andreas Klöden. Janë shtuar dyshimet edhe lidhur me ardhmërinë e sportit të çiklizmit. Dyshojnë madje edhe vetë çiklistët. "Unë kam 24 vjet dhe dua të merrem me çiklizëm edhe 10 apo 11 vjet, por në kushte të ndershme dhe të pastërta. Mirëpo pas të gjithave që po ndodhin kam frikë se ky sport nuk ka ardhmëri", pohon çiklisti i T-Mobile, Marcus Burghardt.