A e njohin shqiptarët historinë e tyre? | Ballkani | DW | 10.02.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

A e njohin shqiptarët historinë e tyre?

Intervistë me Prof. Dr. Oliver Jens Schmitt

Prof. Dr. Oliver-Jens Schmitt

Prof. Dr. Oliver-Jens Schmitt

Deutsche Welle: Prof. Schmitt, cila është gjendja e studimeve shqiptare?

Prof. Dr. Oliver Jens Schmitt: Historiografia në hapësirën shqiptare është ndikuar shumë nga periudha e pas Luftës së Dyte botërore. Pra ekziston vetëm një traditë historiografike. Në muajin dhjetor ne organizuam në Universitetin e Vjenës një konference, e cila duhet parë si hapi i parë në një proces më të gjatë diskutimi. Ne duam të diskutojmë me historianët nga rajoni pikëpamjet e ndryshme historike. Për këtë menduam fillimisht të përpunojmë së bashku me Institutin e Historisë në Tiranë dhe Akademinë e Kosovës bazën e diskutimeve tona. Ne ftuam 13 historianë të dëshmuar, që nuk vijnë nga rajoni. Ata prezantuan idetë e tyre. Ky është hapi i parë. Rezultatet e konferencës do të publikohen edhe në gjuhën shqipe. Pastaj historianët në Shqipëri dhe Kosovë do diskutojnë pikëpamjet tona në një proces dialogu. Ne fund të këtij procesi kolegët nga Kosova dhe Shqipëria do të thonë mendimet e tyre. Në vitin 2009 do të organizojmë një konferencë ku studiuesit shqiptarë do të takohen me studiuesit nga vende e tjera.

Deutsche Welle: Z. Schmitt, a e njohin shqiptarët historinë e tyre?

Prof. Dr. Oliver Jens Schmitt: Unë mendoj se shqiptarët e njohin historinë e tyre, por ata njohin kryesisht një lloj tregimi të historisë. Kjo ka të bëjë me një traditë, e cila ka filluar me Rilindjen dhe ka marrë karakteristikat kryesore në Shqipërinë e Enver Hoxhës, sepse Akademia dhe Universitetet në Shqipëri u krijuan pas Luftës së Dytë Botërore. Çështja nuk është të thuash se ekziston një histori e vërtetë dhe një e gabuar. Interesante është pyetja që i shtrohet historisë. Prandaj në konferencë ne diskutuam nëse mund të zgjerohet spektri i pyetjeve që shtrohen. Sepse ekzistojnë shumë tema, që në varësi nga periudha historike, janë trajtuar pak në histori. Për shembull historia e shoqërisë, historia e kulturës, historia e jetës së përditshme, ose historia e ambientit, historia e gruas, etj. Pra ka tema që mund të trajtohen më shumë. Ajo që duam ne dhe që përbën idenë bazë, është që së bashku me kolegët në Shqipëri dhe Kosovë të gjejmë rrugën se, si mund të përpunojmë me dialog këto pyetje që i shtrohen historisë. Jo për të thënë se njëra histori është e drejtë dhe
tjetra jo, që njëri ka të drejtë dhe tjetri jo, por se si mund të bëjmë vëzhgime të diferencuara dhe se si mund të shohim historinë shqiptare si pjesë të historisë së rajonit, ose të krahasuar me historinë europiane. Atëherë do të bëhet e qartë se shumë nga ato që çka duken si tipike kur historia vështrohet duke u përqëndruar tek vetvetja, mund të gjenden edhe në rajone të tjera. Kjo është një ide e rëndësishme.

Deutsche Welle: A janë historianët shqiptarë nacionalistë?

Prof.Dr. Oliver Jens Schmitt: Kjo është një pyetje shumë delikate, e cila duhet parë në kontekst rajonal. Unë nuk mund të përgjigjem duke bërë përgjithësime, por duhet të përmend emra personash, gjë të cilën nuk kam ndër mend ta bëj këtu.
Çështja është se në shkrimin e historisë vazhdojnë të përdoren interpretime historike që vijnë nga periudha e Hoxhës, dhe disa prej këtyre shkrimeve vazhdojnë të jenë me karakter nacional. Duhet thënë se bashkëpunimi rajonal është shumë, shumë i nevojshëm, jo vetëm për studiuesit shqiptarë por edhe për shumë historianë të vendeve të tjera, sepse ata dinë shumë pak për popujt fqinjë. Unë besoj se gjendja mund të përmirësohet nëpërmjet një kontakti më intensiv, dhe duke mos harruar se kur i ka fillesat identiti kombëtar në përgjithësi. Në gjithë Europën ai është rezultat i 200 viteve të fundit, dhe këtu nuk bën përjashtim as Ballkani, pra edhe në Ballkan identiteti kombëtar është vetëm 200 vjet i vjetër.

Shumë historianë ndodhen nën një lloj presioni shoqëror, ku shoqëria përcakton si duhet të veprojnë studiuesit dhe ku është e vështirë që interpretime të caktuara të historisë të vihen në pikëpyetje. Ky është një proces që është problematik edhe në vende të tjera europiane, ku ekzistojnë historianë që përfaqësojnë pikëpamje problematike. Unë mendoj se në Shqipëri dhe në Kosovë ky proces po fillon të ecë, sigurisht më ngadalë se në vende të tjera, por kjo për arsye ekonomike.

Deutsche Welle: A ekziston një brez i ri historianësh shqiptarë?

Prof.Dr. Oliver Jens Schmitt: Mbi këtë çështje u diskutua shumë edhe në konferencë sepse në publik pati shumë studiues shqiptarë ose studentë shqiptarë dhe problemi kryesor është se brezi i ri e ka shumë të vështirë, për arsye të ndryshme. Njëra është së institucionet shkencore ndodhen në një situatë të vështirë, se studuesit paguhen shumë pak dhe se njeriu sakrifikon shumë kur merret me studime. Pastaj është edhe problemi shumë i madh i strukturave të mbetura të së kaluarës. Ka institucione si për shembull Akademia në Shqipëri, e cila ka pretendimet e vendosjes së thekseve mbi trajtimin e historisë, të cilat janë të organizuara në mënyrë hierarkike, dhe studiues të vjetër vazhdojnë të qëndrojnë në pozicionet e pushtetshme. Përpjekje të mëdha po bëhen nga studiues të rinj që nuk janë historianë por më shumë intelektualë, ose studiues të shkencave politike, që papritur zhvillojnë diskutime shumë interesante dhe shtrojnë pyetje të reja. Kjo gjeneratë e re e ka të vështirë të shkojë në Universitete dhe të gjejë atje një vend, që dhe paguhet.

Në Vjenë ne kemi organizuar një program ku kemi marrë nga Universiteti i Vjenës bursa për historianë të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Programi ka filluar një semestër më parë dhe në muajin mars do të vijnë me projekte shumë interesante tre studies të rinj nga Shqipëria, Kosova. Problemi kryesor është se duhet të ekzistojë gatishmëria për këtë. Nuk është puna t´i detyrosh dikujt një pikëpamje, por që pikëpamjet të krijohen gjatë diskutimeve. Unë besoj se interesantja për historianë të rinj të Shqipërisë është prezantimi dhe kontakti më i madh me studiues në skenën ndërkombëtare. Për shkak të situatës së vështirë ku gjenden universitetet në Shqipëri dhe Kosovë, kjo gjë aktualisht mund të realizohet më shumë jashtë. Këtu shtrohet dhe pyetja se si bëhen të ditura mundësitë për bursa, në mënyrë që edhe të rinjtë që kanë talent por që nuk kanë shumë kontakte të kenë mundësi të informohen. Për këtë jemi duke punuar.

  • Data 10.02.2007
  • Autor Aida Cama
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArYj
  • Data 10.02.2007
  • Autor Aida Cama
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArYj
Reklamë