A do t´i humbasin SHBA bazat ushtarake në Azinë Qendrore? Ramsfelld viziton Kirgizinë dhe Taxhikistanin
26 Korrik 2005Me insistimin e Rusisë dhe të Kinës në mbledhjen e fundit të të ashtuquajturit grupi i Shangait në fillim të qershorit në plan të parë u diskutuaa tema e pranisë së trupave amerikane në Azinë Qendrore. SHBA kanë baza ushtarake në Kirgizi dhe në Uzbekistan. Këto dy vende janë edhe antare të marrëveshjes së Shangait, ashtu si edhe Kazakistani e Taxhikistani. Ky grup është themeluar me iniciativën e Moskës në vitin 1996 si alternativë ndaj NATO-s.
Por qysh pas sulmeve të 11 shtatorit Kirgizia dhe Uzbekistani u hapën duke u vënë në dispozicion SHBA bazat ushtarake në luftë kundër terrorizmit. Kjo influencoi në hopin ekonomik në shtetet e varfëra të Azisë Qendrore. 60 milionë dollarë u derdhën çdo vit p.sh. në buxhetin e shtetit të Kirgizisë. Uzbekistani kërkoi më shumë. Amerikanët financuan në këtë mënyrë regjimin diktatorial të Islam Karimovit. Në Uzbekistan në dy bazat e aviacionit ushtarak në afërsi me kufirin e Afganistanit janë të dislokuar 3.000 ushtarët amerikanë, më shumë se në Turqi. 50 deri në 60 avionë luftarakë dhe transportues nisen çdo ditë nga këto baza drejt Afganistanit. Qiraja vjetore për bazat kap shumën e rreth 200 milionë dollarëve.
Por së shpejti kjo mund të marrë fund. Sepse qysh pas mposhtjes së përgjakshme të kryengritjes në Andixhan të Uzbekistanit klima mes Uashingtonit dhe Tashkentit është përkeqësuar. SHBA dënojnë shkeljen e të drejtave të njeriut dhe e kritikojnë hapur Karimovin. Këtij të fundit i është bërë e qartë, se përmes influencës së fondacioneve amerikane dhe grupeve të të drejtave të njeriut në Uzbekistan ashtu si edhe në Kirgizinë fqinjë mund të nxitet revolucioni.
Rusia në të kundërt e ka mbështetur Karimovin. Putin i forcoi krahët atij, duke deklaruar, se demonstratat në Andixhan janë nxitur nga jashtë. Një gënjeshtër kjo. Në këtë mënyrë po rrezikohet baza ushtarake në Uzbekistan, për ndërtimin e së cilës SHBA kanë investuar 250 milionë dollarë.
Ndoshta Donald Ramsfelld në kuadër të udhëtimit aktual vizitoi pikërisht Kirgizinë duke dashur t´i tërheqë vëmendjen edhe Uzbekistanit. Por edhe këtu ka shenja për stuhi. Ndërsa presidenti i rëzuar Askar Akajev u prezantua si aleat i SHBA, presidenti i sapozgjedhur Kurmanbek Bakijev, u distancua menjëherë nga Uashingtoni. Sipas tij duhet të verifikohet, nëse ka kuptim baza amerikane. Edhe këtu ndjehet presioni i Rusisë.
Ramsfelld si zgjidhje për të manovruar ka zgjedhur një vend tjetër në Azinë Qendrore, Taxhikistanin. Deri tani këtu janë dislokuar vetëm disa qindra ushtarë francezë të NATO-s. Nëse udhëheqja në këtë vend do të aprovojë një bazë ushtarake amerikane, kjo mbetet e hapur. Gatishmëria për të mbështetur SHBA nuk është aq e madhe, kjo të paktën qëkurse u duk, se ndërhyrja në Irak ishte një dështim. Zërat anti-amerikanë mund të shfrytëzohen prej radikalëve islamikë, edhe ky është një faktor që i frikëson ndëkrohë shtetet e Azisë Qendrore.
Ndaj duket se po merr fund koha e pranisë amerikane në Azinë Qendrore, ndonëse jo në mënyrë të menjëhershme por me ritme të ngadalta. Aq sa edhe presidenti rus Putin do të ketë kohë të mjaftueshme për të shënuar së paku ndonjë sukses në politikën e jashtme.