• 8 Marsi mbush 95 vjet • Projektligji kundër diskriminimit në Gjermani | Studimi në Gjermani | DW | 07.03.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

• 8 Marsi mbush 95 vjet • Projektligji kundër diskriminimit në Gjermani

default

Këtë vit mbushen 95 vjet nga dita e festimit tëKëtë vit mbushen 95 vjet nga dita e festimit të 8 marsit. Në një artikull të gazetës "Express" në lidhje me ditën ndërkombëtare të grave lexojmë:

"Edhe pse kanë kaluar 95 vjet qëkurse me idenë e hedhur prej socialistes dhe aktivistes gjermane për të drejtat e grave, Clara Zetkin, 8 Marsi festohet si dita ndërkombëtare e grave, kërkesat kanë mbetur të njëjtat: rroga të barabarta për punë të barabartë, shnace të barabarta për shkollim dhe arsimim, garanci sociale. Mirë do të ishte, por kur në Gjermani ka pesë milionë të papunë, punëdhënësit preferojnë më tepër meshkujt se femrat për t'u dhënë një vend pune. Kjo justifikohet me thënie të tilla si gratë nuk janë të sigurta, kur paraqiten në intervista për vende pune apo nuk dinë të lëvdohen me sukseset që kanë arritur. Në këtë kuadër një prej revistave për femrat në Gjermani e titullon kryeartikullin e saj "Metoda më e mirë për të zgjidhur problemet: Mendo si burrat!" Na falni, po kujt i shërben kjo? Përse duhet që femrat të kopjojnë metodat imponuese të burrave dhe mungesën e aftësisë për të komunikuar? Vetëm atëhere kur gratë të jenë krenare se sillen ndryshe nga burrat, ato do të jenë në gjendje të ndryshojnë me themel strukturat e ngrira të përcaktuara prej pasardhësve të Adamit."

Temë tjetër mjaft e diskutuar në Gjermani është ligji kundër diskriminimit, i cili po kritikohet së tepërmi, sepse vetëm me nxjerrjen e një ligji nuk mund të luftohet racizimi dhe diskriminimi në shoqëri. Në lidhje me këtë temë nga gazeta "TZ" e Mynihut citojmë:

"Sa më tepër shtohet numri i detajeve që po merren vesh nga projektligji kundër diskriminimit që ka përgatitur koalicioni qeveritar, aq më tepër po bëhet e qartë se ai më tepër sjell dëme sesa dobi. Shefat harbutë ndaj grave apo pronarët që nuk u japin afrikanëve banesë me qera nuk do të mënjanohen me anë të një ligji të tillë. Ky ligj do të çonte në shtimin e burokracisë, gjë që politika nuk mund t'ia lejojë vetes nisur prej numrit prej 5,2 milionë të papunësh në Gjermani. Këtë e dinë edhe socialdemokratët, prandaj ideja e ekologjistëve për një ligj të tillë është një dozë e mëtejshme helmi në marrëdhëniet e molepsura që egzistojnë mes partnerëve të koalicionit qeveritar në vend. Kurse për opozitën demokristiane ky ligj është një gur më tepër në dorë në sfondin e aferës së vizave prej së cilës po tronditet Joshka Fisher. Duket se për opozitën ka ardhur momenti i shpagimit."

Edhe gazeta "Hamburger Abendblatt" mendon se projektligji kundër diskriminimit në formën e tij të sotme vetëm se do t'u hapë punë gjykatave, por nuk do të ketë ndonjë efekt të jashtëzakonshëm në shoqërinë gjermane e aq më tepër për zgjidhjen e problemit të mprehtë të papunësisë:

"Në qoftë se koalicioni qeveritar nxjerr në dritë marrëzi, atëhere opozita meriton duartrokitje të forta për rezistencën e saj energjike ndaj vendimeve të tilla. Natyrisht që është turp në rast se një punëdhënës nuk merr në punë një njeri për shkak të ngjyrës, përkatësisë etnike apo fetare, për shkak të preferecave seksuale, të moshës apo sepse ky mund të jetë me të meta fizike. Kuptohet se në rast se ky ligj do të arrinte t'i ndalonte efektivisht të tilla fenomene, atëhere ky duhej përshëndetur. Por mënyra se si është formuluar ky ligj e bën atë vetëm një lloj projekti për t'u gjetur klientë avokatëve dhe për t'u hapur punë gjykatave. Punonjësve ky ligj nuk u vjen shumë në ndihmë. Ndërkohë që shumë firmave që planifikojnë të hapin vende të reja pune, ligji do t'u fusë frikën, se mund të dënohen në rast se dikush i akuzon se ndjehet i diskriminuar sepse nuk e kanë punësuar. Në kuadrin e rreth pesë milionë të papunëve ata që planifikojnë të tilla ligje tregojnë se veprojnë me kokëfortësi, por në asnjë mënyrë me përgjegjësi."

  • Data 07.03.2005
  • Autor PP
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArwQ
  • Data 07.03.2005
  • Autor PP
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArwQ