60-vjetori i bombardimit të Dresdenit | Gjermania | DW | 11.02.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

60-vjetori i bombardimit të Dresdenit

"Firencja e Elbës u zhduk", dëgjon të thuhet ende sot në Dresden kur kujtohet bombardimi i qytetit më 13 shkurt 1945. Në javët e fundit të Luftës së Dytë Botërore qyteti u kthye në objektiv për bombarduesit anglo-amerikanë dhe me të edhe mijëra qytetarë dhe refugjatë, që e popullonin Dresdenin e që vdiqën në flakët e zjarrit. Një sulm i dyshimtë nga këndvështrimi ushtarak, gjurmët e të cilit dallohen ende sot. Wolfram Nagel mbi ngjarjet e 60 viteve më parë.

Dresdeni i shkatërruar në 1945-ën dhe sot

Dresdeni i shkatërruar në 1945-ën dhe sot

Sirena, kundërajror, zhurmë avionësh bombardues, shpërthime bombash.

Nga një pikëmbështetje në jug të Anglisë u ngritën që në fillimin e mbrëmjes së 13 shkurtit 244 bombardues Lancaster dhe nëntë avionë luftarakë Mosquito. Ata ishin pjesë e flotës bombarduese të Royal Air Force. Ishte e marta e karnavaleve.

Në orën 21:39 u dha alarm ajror në Dresden, as 20 minuta më vonë ranë bombat e para mbi stadium paksa jashtë qendrës së qytetit. Thuajse gjysmë ore zgjat bombardimi i parë. Ai ishte aq i dendur saqë vala e zjarrit që shpërtheu i vuri flakën gjithë qendrës së qytetit. Një ushtar që mbijetoi kujton:

"Midis tramvajeve të shkatërruara pashë të vdekurit e parë të djegur, trupa të zvogëluar prej zjarrit, disa vetëm të prekur nga flakët e megjithatë të mbytur. Gra, fëmijë, burra: të gjithë i kishte marrë vdekja e tmerrshme."

Sulmi ndaj Dresdenit nuk synonte vetëm të thyente vendosmërinë e fundit të popullatës civile për të rezistuar. Në librin e tij të diskutueshëm historiani britanik Frederik Taylor tërheq vëmendjen tek pozicioni strategjik i Dresdenit, i cili në fund të luftës luante një rol të rëndësishëm:

"Atje kishte një nyje hekurudhore, kishte një garnizon, ku hynin e dilnin trupa si në çdo qytet tjetër gjerman në afërsi të frontit. Planifikuesit anglezë donin të pamundësonin furnizimin e frontit në lindje. Sulmi nuk drejtohej vetëm kundër Dresdenit, duhet thënë qartë se bëhej fjalë edhe për Kemnicin dhe Berlinin.

Natën, midis orës një dhe dy erdhi vala e dytë e sulmit. Këtë herë qytetin e bombarduan më shumë se 500 avionë në një sipërfaqe prej 15 kilometrash katrorë.

Bombardime të ngjashme mbi Kemnic, Plauen apo Lajpcig shkaktuan dukshëm më pak viktima, sepse në Dresden në këtë kohë ishin përqendruar mijëra refugjatë. Deri më sot askush nuk e njeh numrin e saktë të të vrarëve, zyrtarisht llogaritet me 35.000 të vdekur.

  • Data 11.02.2005
  • Autor Wolfram Nagel
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar4f
  • Data 11.02.2005
  • Autor Wolfram Nagel
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar4f