1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

15 vjet nga masakra e Tien an Menit

Matias fon Hajn4 Qershor 2004

Natën e 3 qershorit 1989, duke gdhirë 4 qershori, tanket e ushtrisë kineze u dëgjuan në rrugët e Pekinit. Ato i dhanë fund të përgjakshëm lëvizjes së re demokratike vetëm dymujore. Pamjet e masakrës së Tien an Menit qarkulluan nëpër botë. Këto pamje sot mbulohen nga ato të një Kine të shkëlqimit ekonomik. Sa Kinë e vjetër është në ambalazhin e ri?

https://p.dw.com/p/AqvC
Sheshi Tien an Men, qershor 1989
Sheshi Tien an Men, qershor 1989Fotografi: AP


15 vjet kanë kaluar që kur në Pekin u shtyp me dhunë lëvizja demokratike. 15 vjet kanë kaluar që kur ushtria popullore clirimtare hapi zjarr kundër popullit të saj, kur qindra vetë vdiqën nëpër rrugët e Pekinit, kur me shtypjen e "Perëndeshës së Demokracisë" të ngritur në Sheshin Tien an Men u shtyp me zinxhirët e tankeve edhe shpresa për reforma politike.

Dhe 15 vjet janë një kohë e gjatë- që Pekini e shfrytëzoi për t'u shndërruar nga i kritikuari i Bashkësisë Ndërkombëtare në një motor rritjeje të ekonomisë botërore, gjë që edhe merr shpërblim adekuat. Edhe kancelari gjerman nuk mundi të rrinte pa bërë gjatë vizitës së tij të fundit në dhjetor në Kinë se Kina e sotme nuk është Kina e vitit 1989. Natyrisht që shumë gjëra kanë ndryshuar dhe në fushën private popullsia kineze gëzon sot në krahasim me më parë liri pakrasueshmërisht më të mëdha. Kina sot nuk qeveriset më nga pleq 90 -vjecarë, por pas dy ndërrime në udhëheqje,vendin sot e qeverisin teknokratë më të rinj.


Ka megjithatë disa pika qendrore, në të cilat nuk ka ndryshuar gjë që prej vitit 1989: Partia Komuniste vazhdon që të mos durojë as edhe më të voglën tronditje në monopolin e saj të pushtetit dhe ndërmerr hapa të ashpër kundër cdo forme të shprehur apo edhe të menduar disidence. Partia vazhdon t'i kontrollojë të gjitha, por askush nuk e kontrollon partinë. Në Kinë vazhdojnë të ekzekutohen më shumë njerëz se sa në të gjitha vendet e tjera të botës së bashku. Edhe problemet e sotme u ngjajnë atyre që i nxorrën njerëzit 15 vjet më parë në rrugë: në radhë të parë korrupsioni, një pasojë logjike e mungesës së ndarjeve të pushteteve. Por edhe humbjet e vendeve të punës në industrinë shtetërore, inflacioni që po lulëzon si dhe rritja e gërshërës në të ardhurat midis të pasurve dhe të varfërve sjellin sot po kaq pakënaqësi sa 15 vjet më parë.


Përparimi ekonomik i viteve '90 ka përballë prapambetjen politike. Thuajse është harruar, por nën kryetarin e partisë Zhao Zijang para 4 qershorit 1989 pati përpjekje serioze për ta reformuar që nga lart sistemin politik. Një komision reformator nën Zhao Zijangun po punonte në asgjë më pak se në ndarjen e partisë nga shteti. Pas rrëzimit të Zhaos në kulmin e protestave të majit 1989, nuk është menduar më publikisht për reforma të vërteta politike në Kinë. Zhao Zijangu vazhdon të jetë edhe sot në arrest shtëpiak. Njësoj si ai, edhe shumë të tjerë presin të bëhet një rivlerësim i ngjarjeve të pranverës 1989, të cilat zyrtarisht quhen ende "kaos kundërrevolucionar". Që qeverinë nuk deshi ta rrëzojë "një dorë elementësh radikalë", por që atëherë miliona pekinas gjetën guximin të shprehin pakënaqësine dhe vizionet e tyre, këtë të paktën e di edhe kryeministri Ven Zhibao. 15 vjet më parë ishte ai që e shoqëroi Zhao Zijangun në Sheshin Tien an Men.