1 Maji në Kosovë: Papunësi e lartë, vendi ende pa ligjin e punës
1 Maj 20101 Maji, në Kosovë shënohet me protesta të sindikalistëve. Asaj pjese të qytetarëve që punojnë sidomos atyre në sektorin privat u shkelen shumë të drejta. Një ndër arsyet,se Kosova akoma nuk ka ligj të punës. Dita e 1 Majit Kosovën e gjen edhe me një shkallë të lartë të papunësisë, mbi 40 përqind.
Po venitet shpresa për përmirësim të gjendjes sociale
Besian Zeneli, është një ekonomist nga Prishtina. Duke parë vështirësi gjithandej për të gjetur një vend pune, Besiani ka vendosur të shes libra në rrugë.
“Të them të drejtën për momentin unë nuk shoh se ka ndonjë perspektivë. Kam qenë shumë optimist deri në vitet e fundit, sepse jemi ushqyer me ndjenjën se do të bëhet mirë. Para dhjetë vjetësh kishim një ideal, njëherë lufta, pastaj të arrihet pavarësia. Lufta përfundoi para dhjetë vjetësh, pavarësia u arrit para dy vjetësh, ndërsa, gjërat kanë mbetur aty ku ishin, ndoshta edhe më keq”, thotë Besian Zeneli.
Fajtor për këtë shkallë të lartë të papunësisë në Kosovë janë institucionet dhe udhëheqësit e shtetit, mendon Besian Zeneli. Asnjëherë nuk janë realizuar ato premtime që janë dhënë nëpër fushata para zgjedhjeve se do të krijohen vende të reja pune, thotë ai.
340.000 të regjistruar si të papunë, shifra reale më e lartë
Ministria e punës dhe mirëqenies sociale, ka zyra të punësimit gjithandej Kosovës, mirëpo kjo ministri vetëm mund të regjistrojë ata që kërkojnë punë dhe asgjë më shumë. Sipas statisikave të saj, janë afro 340 mijë persona që kërkojnë punë. Gjysma e kësaj shifre janë nga gjinia femërore. Punë në institucionet e Kosovës kërkojnë edhe pjesëtarët e pakicave. Zyrtarë nga ministria e punës dhe mirëqenies sociale, thonë se ata kanë të regjistruar afro 14 mijë serbë që kanë kërkuar punë nga kjo ministri. Zyrtarë nga Bashkimi e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, nga ana e tyre, thonë se shifra e papunësisë që prezantohet nga ministria e punës nuk është e saktë.
Shpresa e pavenitur - nxitja e sektorit privat
Sipas Xhafer Xhaferit, nga organizata e sindikalistëve të Kosovës, thotë se shumë persona të tjerë të papunë nuk janë të regjistruar fare në zyrat e punësimit.
"Njerëzit tashmë e dinë se nuk mund të punësohen, por është edhe çështja tjetër se ata tashmë e dinë se zyrat e punësimit për momentin nuk luajnë ndonjë rol të rëndësishëm në punësimin e tyre atëherë, ata nuk regjistrohen fare, sepse e dinë mirë se nuk kanë ndonjë përfitim nga regjistrimi si i papunë". Papunësinë mund ta zvogëlojë vetëm stimulimi i sektorit privat, përmes privatizimit , thotë Xhafer Xhaferi. Ai kërkon standarde të tjera, jo privatizim si më parë. Shpresa është stimulimi i investitorëve privat, dhe krijimi i vendeve të reja të punës, të zbutej sadopak papunësia.
Të dhënat ndërkombëtare mbi varfërinë
Edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara për zhvillim UNDP, në një hulumtim të saj të fundit thotë se për shkak të papunësisë rreth 37% e popullsisë në Kosovë jeton në varfëri, me më pak se 1.42 euro në ditë dhe mbi 17% e tyre jetojnë në varfëri të skajshme, me më pak se 93 cent në ditë. Rreth 40 mijë persona nga popullsia dy milionëshe e Kosovës kërkojnë ndihmë sociale nga qeveria dhe ata marrin vetëm 45 deri në 75 euro në muaj.
Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: Lindita Arapi