Është koha e konsensusit kombëtar | FOKUS | DW | 12.09.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Është koha e konsensusit kombëtar

Shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen kërkon unitet të forcave politike në Kosovë

Soren Jessen Petersen

Soren Jessen Petersen

Përçarjet në mes faktorit politik kosovar, koalicionit qeveritar dhe partive politike në opozitë kanë arrituar në një pikë kulminante, duke detyruar kështu krerët ndërkombëtarë që të kërkojnë unitet në Kosovë. Kjo është mjaft e rëndësishme, në prag të fillimit të bisedimeve për statusin e Kosovës. Shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen, kërkoi sot, nga të gjitha forcat politike në Kosovë që të bashkohen në përmbushjen e obligimeve për Kosovën dhe të mos harxhojnë energjitë duke luftuar njëra tjetrën.

Mendoj se të gjithë duhet të përqëndrohen në plotësimin e standardeve që sigurojnë fillimin e bisedimeve për statusin. Pra është e qartë se tani nevojitet një konsensus kombëtar kur të fillojnë bisedimet për statusin. Unë pres nga presidenti i Kosovës i cili do të udhëheqë bisedimet që të angazhohet në proceset në vend në mënyrë që në bisedimet për statusin e Kosovës të shkojmë së bashku, tha Soren Jessen-Petersen. Këto komente, shefi i UNMIK-ut, i bëri pas kërkesës së fundit të PDK-së, në opozitë për dorëheqjen e kryeministrit dhe shkarkimin e qeverisë së Bajram Kosumit, pas një mori skandalesh. Shkas së fundi për këtë u bë udhëtimi i kryeministrit me një aeroplan privat nga Turqia ku ndodhej me pushime për në Prishtinë. Opozita nuk përjashton mundësinë edhe të organizimit të protestave në rrugë.
Protestat dhe të gjitha format e kësaj natyre janë pjesë e proceseve të shoqërive demokratike të parapara edhe me ligj dhe për protesta siç janë këto unë nuk do shihja ndonjë problem. Mirëpo, unë dua të besoj se udhëheqësit në Kosovë nuk do ta përdorin energjinë e tyre në linjën e gabuar. Tash për tash për Kosovën është vetëm një linjë, fillimi i bisedimeve për statusin dhe zgjidhja e tij, tha Soren Jessen-Petersen.

Kosova është më afër se kurrë realizimit të qëllimeve të veta dhe unë nuk kuptoj sesi njerëzit këtu nuk janë të bashkuar. Edhe njëherë mund të them se tash është koha për unifikim të faktorit politik kosovar, para fillimit të bisedimeve për statusin e Kosovës, theksoi kryeadministratori Soren Jessen-Petersen.


  • Data 12.09.2005
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqio
  • Data 12.09.2005
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqio