1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çështja e Kosovës do të zgjidhet në instanca të tjera

Angjelina Verbica16 Maj 2007

Intervistë me Xhavid Beqirin, zëdhënës i presidentit të Kosovës

https://p.dw.com/p/ArVX
Makinë e blinduar e UNO-s në Kosovë
Makinë e blinduar e UNO-s në KosovëFotografi: AP

Deutsche Welle: Në Serbi u formua mbrëmë qeveria e bllokut demokratik. Çfarë ndikimi mund të ketë ajo në zgjidhjen e statusit të Kosovës?

Xhavid Beqiri: Në një farë mënyre koalicioni i ri qeveritar i Serbisë është ai i vjetri. Janë dy subjekte politike, që e kanë fjalën kryesore në këtë koalicion partia e presidentit Tadic dhe ajo e kryeministrit Kostunica. Ne nuk presim ndonjë ndryshim esencial në qëndrimin e Beogradit zyrtar ndaj çështjes së Kosovës pavarësisht ndryshimeve kozmetike që kanë ndodhur atje. Ky kompozicion qeverisës ka udhëhequr Serbinë edhe në vitet e kaluara ndaj është iluzore të mund të sjellë ndonjë risi të dobishme në raport me çështjen e Kosovës.

Deutsche Welle: Sa ka efekt krijimi i ministrisë së posaçme për Kosovën, kur çështja e Kosovës po zgjidhet në instanca të tjera?

Xhavid Beqiri: Çështja e Kosovës është e vertetë që do të zgjidhet në instanca të tjera. Mirëpo kjo është çështje e tyre. Problemi i Kosovës do zgjidhje ndërkombëtare dhe fatmirësisht procesi ndërkombëtar për përcaktimin e statusit të Kosovës është në rrugë të mbarë dhe javët në vijim do të jenë vendimtare sa i përket përmbylljes së suksesshme të këtij procesi. Kosova shpejt do të jetë vend me subjektivitet të legjitimuar ndërkombëtar, prandaj është krejtësisht absurde që një shtet tjetër, siç thonë ata, të formojë ministri të posacme për një shtet tjetër.

Deutsche Welle: Nëqoftëse për shkak të divergjencave amerikano-ruse do të ketë shtyrje të rezolutës së re për Kosovën, si do të reagonin shqiptarët dhe cilat do të ishin pasojat për procesin?

Xhavid Beqiri: SHBA si prijese të këtij procesi kanë patur një bashkëpunim të ngushtë edhe me grupin e kontaktit për çështjen e Kosovës. Të paktën deri në këtë fazë të gjitha këto vende kanë qenë në kompozicion të përbashkët. Ne shpresojmë, që keshtu do të jetë edhe në të ardhmen dhe fuqitë e mëdha megjithatë do të gjejnë një gjuhë të përbashket për çështjen e Kosovës dhe ne presim, që rezoluta që po diskutohet në Këshillin e Sigurimit të gjejë miratimin e plotë dhe të mos ketë nevojë për hapa të tjerë, por gjithçka të shkojë sipas këtij projekti të paraparë, të respektohet plani i presidentit Ahtisari për pavarësi të mbikqyrur, së paku për këtë fazë i cili ka marrë mbështetjen e institucioneve kryesore të Kosovës të qeverisë, të parlamentit dhe presidentit.