Zgjidhja e statusit të Kosovës ka mundësi të mos përmbyllet brenda 2006 | Ballkani | DW | 04.10.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zgjidhja e statusit të Kosovës ka mundësi të mos përmbyllet brenda 2006

Udhëheqësit politik në Kosovë kanë shprehur shqetësimin e tyre për mundësinë e shtyrjes së vendimit për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Marti Ahtisari

Marti Ahtisari

Ndërmjetësuesi ndërkombëtar në bisedimet për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, për herë të parë ka deklaruar mundësinë e shtyrjes se zgjidhjes së statusit të Kosovës. Ahtisari për televizionin publik finlandez, ka thënë se, nëse zgjedhjet parlamentare në Serbi mbahen këtë vit, atëherë mund të ndodhë që në Grupin e Kontaktit të ketë vullnet për të rishqyrtuar afatet kohore të përcaktuara, e ndoshta edhe propozimin e tij për statusin e Kosovës ai do ta paraqes vetëm pas zgjedhjeve në Serbi.

Këto deklarata të ndërmjetësit ndërkombëtar, nga autoritet e Kosovës janë pritur me rezerva, mirëpo ata presin që të kenë konfirmim zyrtar për shtyrjen e procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Anëtari i grupit negociator të Kosovës, kryetari i PDK-së, në opozitë, Hashim Thaçi, thotë se, pala kosovare mbetet e përkushtuar që zgjidhja e statusit të Kosovës të gjendet deri në fund të këtij viti. Ai beson se anëtarët e grupit të kontaktit do ta vlerësojnë drejt situatën politike dhe do t'u qëndrojnë besnik deklaratave të tyre se dëshirojnë që zgjidhja e statusit të Kosovës të zgjidhet deri në fund të këtij viti.

Nga ana tjetër përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, besojnë se vendimi për statusin përfundimtar të Kosovës nuk do të merret brenda këtij viti. Rangjell Nojkiq, është nga partia serbe "Lista Serbe për Kosovë e Metohi": Bashkësia ndërkombëtare konsideron se nëse forcat demokratike marrin pushtetin në Serbi në zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen në dhjetor, atëherë këto forca demokratike do të jenë në gjendje të marrin përgjegjësinë për zgjidhjen e statusit të Kosovës, tha Rangjell Nojkiq, duke vlerësuar se shtyrja e vendimit për statusin e Kosovës është një hap realist.

Autoritet e UNMIK-ut, në Kosovë, ndërkaq, thonë se ata mbesin të përkushtuar që zgjidhja e statusit të përfundoj sa më shpejt, mirëpo nuk janë në gjendje të japin afate kohore. Ata thonë se për këtë çështje vendosin grupi i kontaktit dhe ndërmjetësi Marti Ahtisari, ndërsa inkurajojnë udhëheqësit kosovar që të vazhdojnë punën në plotësimin e standardeve sepse sipas tyre kjo do të bëjë më të lehtë zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.

  • Data 04.10.2006
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arc3
  • Data 04.10.2006
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arc3
Reklamë