050910 Atomstreit Koalitionsgipfel
6 Shtator 2010Në një mbledhje maratonë 12-orëshe në kancelarinë në Berlin koalicioni zi-verdhë u mor vesh për zgjatjen e paralajmëruar të kohës së shfrytëzimit të 17 centraleve bërthamore gjermane. Ministri i Mjedisit, Norbert Röttgen theksoi në mesnatë se energjia bërthamore ishte e domosdoshme si urë drejt epokës së energjisë së ripërtëritshme. "Ne u morëm vesh që centralet bërthamore të vjetra të kenë një zgjatje të kohës së punës me tetë vjet dhe të rejat, që gjenden në një nivel teknik tjetër, të kenë 14 vjet zgjatje. Marrë së bashku kjo përbën një zgjatje të kohës së shfrytëzimit me 12 vjet."
Energji atomike derisa të bëhet zëvendësimi me energjitë e rigjenerueshme
Kësisoj furnizimi me energji do të sigurohet për aq kohë deri sa energjia nga ndarja e atomit të zëvendësohet prej energjive të ripërtëritshme. Aktualisht energjia nga centralet bërthamore përbën 23 për qind të prodhimit energjetik gjerman.
Fillimisht centrali i fundit bërthamor gjerman do të mbyllej në vitin 2025. Për këtë të ashtuquajtur heqje dorë nga energjia bërthamore ranë në ujdi dhjetë vjet më parë qeveria kuqegjelbër (SPD - Të gjelbrit) nën drejtimin e kancelarit të atëhershëm Gerhard Schröder, prodhuesit e mëdhenj të energjisë Eon, RWE, EnBW dhe Vattenfall. Qeveria e përbërë nga Bashkimi CDU-CSU dhe FDP-ja e kishte vënë në pikëpyetje këtë marrëveshje që në kontratën e saj të koalicionit të 2009-ës.
Taksë si kompensim
Si kompensim për fitimet miliardëshe shtesë prej zgjatjes së kohës së punës operatorët e centraleve bërthamore duhet të paguajnë për disa vjet një të ashtuquajtur taksë për elementet djegëse bërthamore, e cila i sjell shtetit 2,3 miliardë euro në vit për rimëkëmbjen e buxhetit. Veç kësaj koncernet bërthamore paguajnë për çdo megavatorë energji bërthamore 9 euro për zgjerimin e energjive të ripërtëritshme.
E paqartë është fillimisht se me çfarë masash sigurie shtesë është e lidhur zgjatja e kohës së shfrytëzimit. Sipas një raporti të organizatës për mjedisin Greenpeace edhe nëntë vjet pas atentatit terrorist të 11 shtatorit 2001 shumë centrale bërthamore janë ende të pambrojtura mjaftueshëm kundër një sulmi të mundshëm nga ajri.
Autor: Bernd Gräßler/Elert Ajazaj
Redaktoi: Lindita Arapi