Vritet në Shqipëri deputeti Fatmir Xhindi
3 Maj 2009Të shtunën në mbrëmje në qytetin e Roskovecit, në qarkun e Fierit, është vrarë me armë zjarri deputeti i opozitës Fatmir Xhindi. 49-vjeçari ishte duke parkuar automjetin në oborrin e shtëpisë, kur rreth orës 21.15 është qëlluar me një breshëri automatiku nga autorë të paidentifikuar ende. Fatmir Xhindi u dërgua nga familjarët menjëherë në spitalin e Fierit, por nuk i ka mbijetuar dot 6 plumbave që kishte marrë në trup.
Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po kryen hetime intesive. Ende nuk ka një variant zyrtar për shkaqet dhe autorët e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi. Sipas të dhënave të para të ekspertizës, ai është qëlluar pas shpine me automatik tip Kallashnikov, nga një distancë rreth 2 metra.
Ministria e Brendshme në Tiranë vuri në dispozicion të atyre që japin informacion mbi këtë ngjarje një shumë prej 250 mijë eurosh, si dhe dy numra telefoni te posaçëm.
Politikanët e dënojnë vrasjen dhe kërkojnë zbardhjen e saj
Kryeministri Sali Berisha e përshkroi vrasjen e deputetit të PS-së si një "akt kriminal dhe barabar, një ngjarje shokuese për Fierin dhe për gjithë vendin". Sipas tij qeveria do të bëjë çdo përpjekje që autorët të vendosen para drejtësisë.
Shefi i Opozitës Edi Rama duke vizituar familjarët e deputetit të vrarë në qytetin e Roskovecit, kërkoi zbardhjen sa më parë të ngjarjes.
Fatmir Xhindi, baba i tre fëmijëve, ishte një nga themeluesit e PS në qarkun e Fierit. Nga viti 1997, për tre legjislatura rradhazi, ai ka qënë deputet në këtë zonë.
Nga burime të familjes ai pritet të përcillet për në banesën e fundit sot në orën 3 pasdite.
Ky është rasti i dytë kur vritet një anëtar i parlamentit në Shqipëri. Më 12 shtator 1998 pranë selisë së PD, në qëndër të Tiranës, u vra deputeti Azem Hajdari, njëri prej organizatorëve të Lëvizjes Studentore në fillim te viteve 90 në Shqipëri.
Autor: Arben Muka
Redaktor: Bahri Cani