Viti 2006 dhe politika e jashtme evropiane | Evropa | DW | 28.12.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Viti 2006 dhe politika e jashtme evropiane

Politika e jashtme e BE-së ndaj Iranit, Lindjes së Afërme etj.

default

Turqia dhe zgjerimi i BE-së

Dramatike u bë gjendja për Turqinë në fund të vitit. Pasi për një vit të tërë nuk lëvizi asgjë në grindjen mbi njohjen e Qipros, ministrat e jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian vendosën për ngrirjen e disa pjesëve të rëndësisshme në negociatat për anëtarësimin e Turqisë. Marrëdhëniet me Turqinë janë të dëmtuara, e ardhmja është e pasigurt.

Bashkimi Evropian pranoi edhe një herë hapur synimin për pranimin e Turqisë dhe të të gjitha shteteve të Ballkanit. Në këtë plan do të merret më shumë parasysh aftësia absorbuese e Bashkimit Evropian. Pas një faze pushimi Evropa hapi portat për Bullgarinë dhe Rumaninë. Pavarësisht mangësive në reformat e tyre ish-shtetet komuniste lejohet të anëtarësohen në klub pas përgatitjesh dhjetëvjeçare. Kancelari austrian Wolfgang Schüssel: "Nuk duhet t'i marrim lehtë zgjerimet e ardhshme. Sigurisht që ato janë të mundshme. Në përputhje me vendimet porta mbetet e hapur. Një temë shumë e rëndësishme për të ardhmen mbetet aftësia pranuese e Bashkimit Evropian. Nuk duhet ta mbingarkojmë Evropën."

BE-ja dhe Rusia: Gazi- preokupim kryesor

Me një dramatikë të llojit tjetër nisi viti për Bashkimin Evropian. Rusia i mbylli për një kohë të shkurtër rubinetin e gazit Ukrainës. BE-ja e trembur u vetëdijësua për varësinë e vet nga Rusia dhe u morr vesh për miratimin e një strategjie për sigurinë energjetike. Por negociatat me Rusinë për këtë temë dështuan, sepse Polonia doli kundër dhe vendosi veton pës shkak të një grindjeje dypalëshe me Rusinë. Në fakt presidenti rus Vladimir Putin ishte i pranishëm si mik në samitin e Bashkimit Evropian, por marrëdhëniet sa vjen e keqësohen. Presidenti i Komisionit Evropian Jose Barroso bën thirrje për kompromise: "Ne besojmë se sjellja e duhur ndaj Rusisë është natyrisht dialogu. Vërtet, dialogu është ndonjëherë i vështirë. Ne duhet të bisedojmë për çështje të këndshme dhe të pakëndshme dhe të përpiqemi t'i trajtojmë ato në frymën e bashkëpunimit."

Bashkimi Evropian e kritikon blokadën e Putinit ndaj Gjeorgjisë dhe kërkon zbardhjen e vrasjeve me sa duket politike të gazetarëve dhe kundërshtarëve të qeverisë. Rusia pengoi firmat energjetike perëndimore dhe po i përdor si masha politike firmat energjetike shtetërore.

BE- ja dhe Hamasi

Bashkimi Evropian i ndërpreu marrëdhëniet me qeverinë palestineze. Në BE Hamasi konsiderohet organizatë terroriste. Nuk ka më para nga Brukseli për kryeministrin Ismail Hanija, por vazhdon ndihma e drejtpërdrejtë për palestinezët në nevojë dhe për institucionet sociale. 350 milion euro u derdhën në 2006-ën, më shumë sesa asnjëherë tjetër. Kuarteti i Lindjes së Afërme, pjesë e të cilit është Bashkimi Evropian, duhet të vazhdojë ndërmjetësimin, kërkon BE-ja.

Bashkimi Evropian u distancua edhe prej Izraelit pas fushatës së tij kundër milicëve Hisbollah në Liban. Në kuadër të një misioni të Organizatës së Kombeve të Bashkuara disa shtete të Bashkimit Evropian po përpiqen të ruajnë armëpushimin midis Hisbollahut dhe Izraelit. Marina gjermane patrullon përpara bregdetit libanez. Në çështjen e programit bërthamor iranian Bashkimi Evropian i ndërpreu negociatat disavjeçare me Teheranin. Ministri i jashtëm gjerman Frank Walter Steinmeier: "Vija ime ka qenë gjithmonë kjo: Të nisim bisedimett pa parakushte nga të dyja palët, por të dy palët të kenë sigurinë se prej palës tjetër nuk do të vendosen fakte të reja. Për këtë arsye Irani duhet të kuptojë që ne nuk mund të ulemi në tryezën e bisedimeve kur çdo ditë ndërtohen centrifuga të reja."

Tema të tjera: Kongoja, sektori i shërbimeve në BE, burokracia në BE

Ushtarët gjermanë u dërguan prej Bashkimit Evropian me mision në Kongo për sigurimin e zgjedhjeve demokratike në vendin gjigant, afrikanoqendror. Gjithçka mbeti e qetë, misioni u përmbush. Ushtarët u kthyen në shtëpi përpara Krishtlindjeve, siç ishte premtuar. Misionin në Kongo trupa e EUFOR-it e shënon si sukses.

U miratuan jo një, por dy projektligje me pasoja të mëdha për tregun e brendshëm evropian, të cilat ishin për një kohë të gjatë të diskutueshme. Direktiva për shërbimet dhe ajo për kimikatet. Në të ardhmen shërbimet do të mund të ofrohen në kushte të barabarta prej të gjitha 27 shteteve anëtarë të BE-së. Nga frika prej dumpüingut social dhe prej sindikatave Parlamenti Evropian dhe këshilli ministror përfshinë në ligj shumë raste përjashtimesh. Nëse ligji do të funksionojë këtë mbetet ta tregojë praktika. Komisioneri përgjegjës evropian për tregun e përbashkët, Charlie McCreevy: "Sektori i shërbimeve është vendimtar. Ai përbën dy të tretat e prodhimit ekonoimik dhe ofron mundësi reale për vende të reja pune. Sipas një studimi të fundit mund të jenë 600.000 vende pune."

Për punëmarrësit nga shtetet e reja anëtarë tregjet e punës të shteteve të vjetra anëtare mbeten të mbyllura. Kufizimet përfundojnë pas disa vitesh.

Vitet e ardhshme industria kimike evropiane duhet të kontrollojë për rrezikshmërinë 30.000 lëndë. Në këtë mënyrë do të mbrohen më mirë mjedisi dhe konsumatorët. Në të njëjtën kohë do të lehtësohen nga barra sipërmarrjet dhe do të bëhen më të afta për të konkurruar. Një monstër burokratik, shfryjnë kundërshtarët e direktivës.

Zvogëlimi i burokracisë nëpërmjet komisionerit evropian përgjegjës Günter Verheugen mbeti në vend numëro. Në vend të kësaj Verheugenit ju desh të mbrohej nga akuzat se po favorizonte një bashkëpunëtore me të cilën kishte një marrëdhënie intime. Komisioneri evropian mohoi gjithçka. Gazeta bulevardeske Bild shtypi fotografi pushimesh të çiftit të dashuruar. Verheugen hapi një proces gjyqësor dhe nuk tha asgjë:

"Ju nuk mund të prisni seriozisht që duke marrë qëndrim në lidhje me një çështje thjesht private unë të kënaq nevojat e masmediës gjermane."

Frika prej terrorit bëri që ministrat e brendshëm të miratonin ruajtjen e plotë të të dhënave telefonike dhe të internetit për të gjithë shtetasit e Bashkimit Evropian. Për fare pak u shmangën atentatet me lëndë plasëse të lëngshme në avionë në Londër. Konsekuenca: Udhëtarët nga vendet e Bashkimit Evropian lejohet të marrin në bordin e avionëve vetëm sasi të vogla lëngjesh.

NATO-ja pati vështirësi që ta mbante nën kontroll gjendjen e sigurisë në Afganistan. Ajo ka tani në fakt 30.000 ushtarë në vend, por pesë vjet pas rrëzimit të tyre talibanët po sulmojnë më fuqishëm sesa asnjëherë më parë. Ushtarakët kërkojnë më shumë trupa, por shtetet anëtare të NATO-s i bëjnë bisht kërkesës. Bashkimi Evropian premton një bashkërendim më të mirë të nduhmave. Kjo do të thotë se problemi është shtyrë. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer:

"Besoj se NATO-ja e kishte gjithnjë të qartë se ky është një angazhim afatgjatë. E kam të vështirë ta shpreh këtë në vite, por them se përforcimi i trupave duhet të kryhet sa më herët."

Kushtetuta evropiane

Për vitin tjetër u shty kriza e kushtetutës në Bashkimin Evropian. Kryesia austriake e radhës e çliroi në gjashtëmujorin e parë Bashkimin Evropian nga mpirja e shkaktuar prej referendumeve negative në Francë dhe Holandë. Por ministrat e jashtëm nuk gjetën rrugëdalje se si mbërrihet tek një kushtetutë e re dhe se çfarë duhet të përmbajë ajo as në mbledhjet e mbyllura dhe as gjatë kryesisë së kujdesshme finlandeze në gjashtëmujorin e dytë. Të gjitha shpresat mbahen tani tek kryetarja gjermane e radhës Angela Merkel. Kancelarja do të hartojë një plan kohor, sepse e di që pa kushtetutë nuk ka reforma, zgjerim dhe as progres:

"Do ti këshilloja të gjithë të mos na vënë nën trysni. E kemi thënë se çfarë duam dhe duhet të arrijmë. Ky është një plan kohor. Që ai nuk mund të diskutohet edhe pa përmbajtjen, kjo është e qartë." Teksti i ri do të jetë gati vetëm në vitin 2009 në kohën e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.

  • Data 28.12.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar9I
  • Data 28.12.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar9I