1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vendet e BE-së dhe të ASEAN-it nënshkruajnë një deklaratë partneriteti

Bernd Riegert15 Mars 2007

Në Nyremberg mbylli punimet një takim dyditor i MPJ të vendeve të BE-së dhe të vendeve të ASEAN-it

https://p.dw.com/p/Aqmi
Pamje nga takimi i Nyrembergut
Pamje nga takimi i NyrembergutFotografi: AP

MPJ të BE-së ranë dakord me kolegët e tyre nga Tajlanda, Malajzia, Indonezia, Filipinet, Singapori, Brunei, Vietnami, Myanmari, Laosi dhe Kamboxha që të thellojnë bashkëpunimin dhe kooperimin në fusha të ndryshme.

Që përpara fillimit të konferences dihej se ajo do të shënonte një sukses. Tek e fundit MPJ të vendeve të BE-së dhe ata të vendeve të ASEAN-it kishin vendosur të festonin 30-vjetorin e bashkëpunimit mes të dy blloqeve, 40-vjetorin e krijimit të ASEAN-it si dhe 50-vjetorin e BE-së.

Në këtë atmosferë festive, të shoqëruar edhe nga koha e bukur dhe me diell, MPJ nënshkruan "Deklaratën e Nyrembergut", në të cilën përcaktohen linjat e mëtejshme të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit mes Evropës dhe Azisë Juglindore.

"Ne kooperojmë me njëri-tjerin jo sepse e kemi bërë gjithmonë një gjë të tillë, por sepse duam që ta shfrytëzojmë partneritetin tonë të provuar për të vepruar në një botë të ndryshuar." - tha MPJ gjerman Frank-Walter Steinmajer.

Asnjë vend nuk është në gjendje që t'u bëjë ballë i vetëm problemeve globale si ndryshimet e klimës apo terrorizmi. Për këtë sipas bashkëdrejtuesit të këtij takimi, MPJ të Kambodxhas, Nam Hong Hor, të dyja palët dëshirojnë të punojnë në vazhdimësi për paqen, sigurinë dhe mirëqënien përmes bashkëpunimit më të ngushtë të rajoneve:"Ne e shohim "Deklaratën e Nyrembergut" për partneritetin e BE-së dhe të ASEAN-it si udhërrëfyese për zhvillimin e ardhshëm të kooperacionit. Deklarata është një gur themeli për marrëdhëniet tona dhe për një bashkëpunim më të ngushtë në shumë sektorë, në atë ekonomik, të politikës së sigurisë dhe atë sociokulturor. Kjo vlen edhe për mbrotjen e ambientit dhe luftimin e terrorizmit." - tha Nam Hong Hor.

Deri në vitin 2015 ASEAN-i planifikon krijimin e një tregu të brendshëm të përbashkët. BE-ja dhe ASEAN-i synojnë të nënshkruajnë një marrëveshje për tregtinë e lirë, por për këtë në Nyremberg nuk u arrit të bihej dakord për bisedime konkrete.

Si vendet e BE-së edhe të ASEAN-it synojnë nxijtjen e enegjive të riciklueshme dhe marrjen e masave për kursimin e energjisë, për të frenuar në këtë mënyrë ndryshimet klimaterike. Po ashtu të dyja palët synojnë që pas vitit 2012 kur protokolli i Kiotos del nga fuqia, të nënshkruajnë një marrëveshje pasuese.

Por ndërsa qëllimet janë të qarta dhe të gjithë janë dakord me to, marrëveshje detyruese përshembull në lidhje me kufizimin e sasisë së emetimit në atmosferë të CO2 nuk u arritën.

Sa i përket konfliktit në Lindjen e Mese të gjithë ishin dakord që Indonezia, me karakterin e saj mysliman, duhet të shfrytëzojë ndikimin e saj ndaj palës palestineze për të nxitur procesin e paqes.

Në emër të BE-së MPJ gjerman Steinmajer kritikoi shkeljen e të drejtave të njeriut prej diktaturës ushtarake në Birma/Mianmar, e cila është anëtare e ASEAN-it që prej vitit 1997: "Ne na duhet të mësojmë se gjendja vazhdon të jetë jo e qetë dhe aspak e kënaqshme. Premtimet e bëra në takimin e kaluar për t'u rikthyer në rrugën demokratike nuk po duken. Ne do të angazhohemi për respektimin e të drejtave të njeriut."

Të tilla deklarata as që e impresionuan aspak MPJ të Mianmarit, Nian Uin. Të tilla ai ka dëgjuar shpesh. MPJ i Indonezisë Hasan Wirajuda tha se vendet e ASEAN-it edhe BE-ja janë të zhgënjyera prej mungesës së gatishmërisë së Mianmarit për të ndryshuar politikën në vend.

Në takim u diskutua edhe për irritimet e shkaktuara në Evropë pas puçit ushtarak në Tajlandë. Por sipas fjalëve të MPJ Stainmajer në këtë mes të gjithë shpresojnë, se pas zgjedhjeve të lira që pritet të organizohen në dhjetor, Tajlanda do t'i rikthehet demokracisë.