Transformimi i klimës, energjitë e rigjenerueshme, industria e automobilëve | Evropa | DW | 31.01.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Transformimi i klimës, energjitë e rigjenerueshme, industria e automobilëve

Deri në vitin 2020 një e pesta e energjisë në vendet e BE-së të vijë nga burimet e rigjenerueshme

Komisari i BE-së për energjinë, Andris Pielbags

Komisari i BE-së për energjinë, Andris Pielbags

Ministri gjerman i ambjentit Sigmar Gabriel insiston në zhvillimin e shpejtë të energjive të rigjenerueshme, me qëllim që të mbrohet klima. Kryetarët e shteteve të BE-së duhet t´i vënë vetes objektiv, që deri në vitin 2020 një e pesta e energjisë të vijë nga burimet e rigjenerueshme, tha Gabriel.

Ai hapi në Bruksel një konferencë për këtë temë. Në komisionin evropian Gabriel i ka dyert e hapura katerkanatësh. Por mbrojtesit e ambjentit thonë, se përqindja e energjive të rigjenerueshme mund, biles duhet, të jetë shumë më e lartë, për qëllim që të mbahet nën kontroll rritja e temperaturës.

Ndryshimet e klimës këto ditë janë një temë e madhe: Në forumin ekonomik botëror në Davos kancelarja gjermane Angela Merkel njëkohësisht presidente e rradhes e G 8, theksoi domosdoshmërinë e mbrojtjes së klimës. Dhe në Paris, që nga dita e hënë ekspertë të OKB-së diskutojnë për pasojat e transformimit të klimës. Ky këshill i klimës ka publikuar tashmë disa raporte, për herë të parë në vitin 1990.

Analizat shërbyen si bazë për protokollin e Kiotos. Raporti i fundit, i cili duhet të publikohet të premten, sipas informacioneve të mediave është shumë më dramatik se sa të gjithë paraardhësit. Mbrojtësit e mjedisit, por edhe qeveritë e vendeve të BE-së dhe komisioni i Bashkimit Evropian kanë mendime të ndryshme lidhur me rrugët konkrete për mbrojtjen e klimës. Por që duhet të ulin shumë gazrat e efektit serë, për këtë janë në parim të një mendimi.

Në hapje të konferencës për energjitë e rinovueshme ministri gjerman i ambjentit Sigmar Gabriel porositi që të kihet kujdes që diskutimi të mos bëhet thjesht në nivel evropian.

"Debatet për mbrojtjen e klimës rregullisht nuk fillojnë me pyetjen çfarë mund të arrijmë së bashku për mbrojtjen e klimës. Por pyetja e parë është: Çfarë bëni ju në Evropë, në Amerikë në vendet e industrializuara të kësaj bote, për t´i krijuar rreth 2 miliardë njerëzve në planetin tonë lidhjen me energjinë, atyre nuk kanë sot kurrfarë aksesi me elektricitetin, me energjinë, çfarë bëni ju për këtë?"

Gabriel shpreson, se një pjesë e madhe e kësaj nevoje për energji do të mbulohet nga energjitë e rigjenerueshme. Por për këtë Evropa duhet të jetë shembull. Për BE ai kërkon një objektiv, që për shkak të shifres mund të mbahet mend lehtë: Deri në vitin 2020 BE duhet të mbulojë rreth 20 përqind të nevojës për energji nga burimet e rigjenerueshme. Në moment mbulohen vetëm 8 përqind.

Me këtë Gabriel është në një linjë me komisarin e BE-së për mjedisin Stavros Dimas, i cili po ashtu synon objektivin 20 përqind, së paku. Deri tani thotë Dimas, kjo politikë në Evropë vuan nga sëmundja e heterogjenitetit dhe e mosmarrjes vesh.

"Në shumë vende anëtare masat për avancimin e energjive të rinovueshme deri tani kanë qenë të pamjaftueshme. Përparimi në këtë sektor në Evropë është fragmentar dhe i shpërndarë në mënyrë shumë jo proporcionale. Disa anëtarë kanë ndërmarrë masa ambicioze, por në përgjithësi lëvrimi i energjive të rinovueshme të secilit shtet varet nga preferencat e qeverive, që ndërrohen."


Dimas do ta ndryshonte me qejf këtë. Ai angazhohet për një politikë evropiane, që do të krijonte një kornizë të përcaktuar ligjore, pas së cilës qeveritë nuk do të mund të ktheheshin më prapa. Në samitin e tyre në mars kryetaret e shteteve duan të vendosin një limit. Gabriel dhe Dimas mbështesin që të dy kërkesën që të votohet për 20 përqind.

Kundërshtim mund t´i vijë komisionit të BE-së në mbrojtjen e klimës, nga industria gjermane e automobileve në çështjen e gazrave të automjeteve. Prodhuesit gjermanë të automobilëve kishin kërcënuar me shkurtime të mëdha të vendeve të punës, nëqoftëse komisari i BE-së për mjedisin Dimas do ta realizonte planin e tij.

Dimas dëshëron të vendosë parametra ligjorë për emisionet e dioksidit të karbonit, që dalin nga armata e tërë e makinave që ndodhen rrugës. Një zëdhënës i presidentit të komisionit Barroso e komentoi me këto fjalë: "Vendet e punës nuk shkurtohen, nëqoftëse u përshtatemi me kohë ndryshimeve, por nëqoftëse u rezistojmë me forcë atyre."

  • Data 31.01.2007
  • Autor Christoph Hasselbach
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8y
  • Data 31.01.2007
  • Autor Christoph Hasselbach
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8y