1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tani e ka radhën Gjermania

Martin Durm13 Tetor 2006

Komisari i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeirut, Thomas Hammarberg që ndodhet nga data 9 tetor në Gjermani, do të përdorë të njëjtat kritere si për tërë Evrpën. Si është situata nëpër burgje, si trajtohen pakicat dhe personat e pandehur?

https://p.dw.com/p/Aqz4
Thomas Hammarberg, komisari i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut
Thomas Hammarberg, komisari i Këshillit të Evropës për të Drejtat e NjeriutFotografi: picture-alliance/dpa

Këto janë disa nga pyetjet e tij: "Më pyesin shpesh, se përse kam ardhur në Gjermani. A nuk e kanë vende të tjera më të nevojshëm një kontroll të tillë? Kam dy përgjigje, thotë Hammerberg: "Së pari, është rregull që të kontrollohen të gjitha vendet, së dyti, tani e ka radhën Gjermania."

Të drejtat e njeriut duhen tematizuar vazhdimisht

46 anëtarë ka Këshilli i Evropës, mes tyre, edhe Rusinë dhe Turqinë. Këto dy shtete problematike dënohen gati çdo muaj nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Shkelje të lirisë së mendimit, keqtrajtim i të burgosurve, këto janë pikat e zakonshme të akuzave.

Hammarbeg e ka të qartë që gjendja e të drejtave të njeriut në Gjermani është ndryshe. Por kjo nuk do të thotë se Gjermania nuk duhet kontrolluar. "Asnjë qeveri në Evropë nuk duhet të tregohet e kënaqur me veten. Vazhdimisht është e nevojshme të tematizohen të drejtat e njeriut, kjo vlen edhe për Gjermaninë. Raporti ynë do të ketë edhe pika kritike, për të cilat duhet të përgjigjen entet përkatëse."

Edhe emigrantët ilegalë kanë të drejta

Grupi i ekspertëve që kanë ardhur së bashku me Hammarbergun tani është duke zhvilluar vizita nëpër burgje, psikiatri, aeroporte. Ata zhvillojnë biseda jo vetëm me personat përgjegjës, por edhe me të prekur, për shembull, me migrantë ilegalë që presin ekstradimin: "Migrantët ilegalë kanë të drejta. Në Evropë është krijuar përshtypja, që ata nuk kanë të drejta meqënëse nuk kanë dokumenta. Por ata duhet të trajtohen me dinjitet. Një problem tjetër është armiqësia ndaj të huajve, që tashmë ekziston në të gjithë Evropën. Çfarë po ndërmarrin qeveritë kundër saj? Edhe kjo duhet kontrolluar me kujdes."

Hammarberg nuk do të japë komente për faktin që tani në katër parlamente landesh ka deputetë me pikëpamje të djathta radikale. Ai thotë se misioni i tij nuk është politik. Por kur bashkiakët, apo këshilltarët e bashkive a policët e mbyllin një sy për neonazistët, atëherë kjo do të ishte diçka, me të cilën do të merrej, Hammarberg. Në pranverë të vitit 2007 Hammarberg do të prezantojë raportin e tij, dhe Gjermania nuk do të jetë më një njollë e bardhë në hartën e të drejtave të njeriut.