1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takim që ia vlejti - konferenca e Londrës për Lindjen e Mesme jep impuls pozitiv

Peter Filip2 Mars 2005

Bashkësia ndërkombëtare do të ndihmojë palestinezët në formësimin e një shteti të aftë për mbijetesë. Për këtë ranë dakord pjesëmarrësit e konferencës ndërkombëtare për Lindjen e Mesme në Londër, ku ishte i pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan. Vetëm tetë orë zgjati dje takimi i cilësuar nga kryeministri britanik, Toni Bler, si "samiti për konkretizimin e ndihmës".

https://p.dw.com/p/ArQK
Abaz dhe Bler në konferencë shtypi në takimin e Londrës për Lindjen e Mesme
Abaz dhe Bler në konferencë shtypi në takimin e Londrës për Lindjen e MesmeFotografi: AP

Kohët kanë ndryshuar, por gjithnjë ka edhe paralele: në nëntor të vitit 1917 ishte ministri i jashtëm, lartmadhëria e tij, Lordi Balfour, ai që u garantoi sionistëve "dëshirën e mirë" të qeverisë së tij për të krijuar një atdhe kombëtar në Palestinë. Në mars të vitit 2005 është kryeministri, lartmadhëria e tij, Toni Bler, që mbledh mbështetjen ndërkombëtare për krijimin e një shteti arabo-palestinez. Për demonstruesit jashtë qendrës së konferencës kjo është ndërhyrje e palejueshme e Perëndimit, sepse palestinezëve u bëhet thirrje për paqen me Izraelin, ndërsa disa të tjerë e konsiderojnë këtë si një drejtësi të vonuar. Kjo do të thotë që më në fund Britania e Madhe në ish zonën e mandatit të saj në Palestinë duhet të vendosë rregullin dhe duhet të jetë bashkëpërgjegjëse.

Nuk është aq e rëndësishme nëse Bler ka menduar gjatë "konferencës për mbështetejen e administratës palestineze" për të kaluarën dhe se ç´rëndësi ka kjo për vet kryeministrin. Ajo që vlen të theksohet është, se Blerit i intereson tani në prag të zgjedhjeve të profilizohet si organizator dhe ideator në politikën ndërkombëtare. Madje duhet të shtrojmë edhe pyetjen, nëse mjaftojnë vetëm tetë orë konferencë, për të vënë në lëvizje procesin e paqes në Lindjen e Mesme?

Kësaj pyetjeje mund t´i përgjigjesh fare lehtë: natyrisht që tetë orë nuk mjaftojnë. Por sidoqoftë ky ishte një impuls dhe një sinjal i rëndësishëm. Përfaqësuesit e 23 shteteve, ndër ta jo vetëm antarët e të ashtuquajturit "kuarteti për Lindjen e Mesme" i përbërë nga OKB-ja, SHBA, BE dhe Rusia, por edhe shtete të ndryshme arabe dhe organizata ndërkombëtare u pozicionuan qartë në mbështetje të presidentit palestinez Mahmud Abaz, i cili është angazhuar për ta nxjerrë Lindjen e Mesme prej qorrsokakut

Sigurisht një detyrë kjo aspak e lehtë për të cilën Abazit i duhet ndihmë konkrete e prekshme dhe jo fjalë të bukura, por fakte. Në Londër u thanë vetëm fjalë që këtej e tutje duhet të pasohen prej veprave. Edhe kjo ëhstë e rëndësishme. Të gjithë së bashku duhet të theksojnë vazhdimisht se duan paqen dhe se kjo paqe duhet të jetë midis dy shteteve sovrane - Izraelit dhe Palestinës - në fqinjësi të mirë në territorin historiko-gjeografik të Palestinës. Një parim ky që e rekomandoi OKB-ja e sapo themeluar në vitin 1947 duke vendosur ndarjen e Palestinës, gjë që hasi në veshin e shurdhër të arabëve. Ashtu si edhe sot e kësaj dite ky parim ndeshi në veshin e shurdhër të demonstruesve përpara qendrës së konferencës në Londër.

Gati gjashtëdhjetë vjet kanë kaluar qysh prej asaj kohe dhe ende nuk është e qartë, nëse mund të ketë ndonjëherë qetësi dhe paqe në Lindjen e Mesme. Mahmud Abaz e konsideorn këtë si detyrën e tij, ndaj dhe shumica e palestinezëve e ka zgjedhur atë. Një nismë e mirë kjo. Tani duhet që edhe Izraeli të tërhiqet nga rezervat që ka dhe të bëjë lëshime. Nuk duhet të lejohet që atentatorët kamikacë nga pala palestineze dhe banorët radikalë hebrej si dhe demagogët e "Izraelit të madh" t´i rezikojnë sërish këto që janë arritur. Konferenca e Londrës nuk mund ta realizojë këtë, por ajo tregoi rrugën që duhet ndjekur. Këtej e tutje nuk duhet lejuar asgjë që do ta minonte një nismë të tillë.