1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të dyshuar, të dëbuar, të mbyllur në kampe! Si vepruan amerikanët me emigrantët gjermanë pas Luftës së II Botërore

Linda Staude7 Maj 2005

Lufta e II botërore ishte një kohë e vështirë edhe për gjermanët apo emigranët me prejardhje gjermane që jetonin në Amerikë. Historia e familjes Jakobs

https://p.dw.com/p/ArPP


Artur Jakobs ishte 11 vjeç kur babai i tij u zhduk papritur. Ai u arrestua nga FBI-ja në nëntor 1944 nën akuzën e anëtarësisë në partinë naziste të Amerikës. Tre ditë askush nuk dinte gjë mbi fatin e të humburit. Kur u bë e qartë se emigranti gjerman ishte internuar në Ellis Island, atëherë situata për familjen u bë dëshpëruese.

"Kur e arrestuan babanë, mamaja mbeti vetëm me dy djem dhe pa para. Nuk kishte rrugëdalje tjetër, ajo na dërgoi në Ellis Island. Amerikanët e quanin këtë internim vullnetar. Kush u fut aty, duhet të qëndronte gjatë gjithë kohës së luftës brenda."

Artur Jakobs, i lindur në Amerikë, bën pjesë tek ata 11.000 gjermanë apo emigrantë me origjinë gjermanë, të cilët gjatë kohës së Luftës u dërguan nëpër kampe internimi. Shumica pa asnjë lloj gjyqi, thjesht nga një lloj dyshimi. Rreth 300.000 vetë u deklaruan si të huaj armiq, shiheshin me dyshim, u morën në pyetje apo u dëbuan nga shumë rajone.

"Kushtetuta jona thotë, që çdokush ka të drejtën të njohë akuzuesin e tij. Babai im nuk e pa atë. Ka të drejtën e një procesi gjyqësor. Babai im nuk doli para gjyqit."

Jakobs qëndruan më vonë në kampin tjetër të internimit në Crystal City, në Teksas, një nga kampet më të mëdha të internimit në Amerikë.
"Në kohën e internimit nuk e dija, se çfarë kishte ndodhur. Jeta në Ellis Island ishte e tmerrshme. Në Crystal City pastaj gjërat u regulluan disi."- tregon Artur Jakobs.

Por kjo kohë mori fund kur babai i tij i kërcënuar nga deportimi vendosi të kthehej në Gjermani. Familja Jakobs duhej të jetonte në fillim në Münsterland pas daljes nga burgu.

"Ardhja në Gjermani dhe udhëtimi në trenin e mallrave për në Ludvigsburg ishin të frikshme, por ashtu edhe burgu. Koha që kaluam në fillim në Gjermani nuk ishte më e mirë. Dimërat ishin shumë të ftohtë. Unë ishe një i huaj, një njeri që shtonte një lugë më shumë. Njerëzit donin të dinin se pse ishim kthyer këtu. Doja të shkoja sërish në Amerikë."

Artur Jakobs dhe vëllai i tij morën më në fund lejen të ktheheshin në vendlindjen e tyre. Në 20 vitet e fundit, 72 vjeçari e ka bërë si detyrë të tijën të mbledhë dokumenta dhe të bëjë të njohur historinë e të internuarve gjermanë apo atyre me origjinë gjermane.

"Nuk jam i helmuar për këtë. Këto ndodhin në luftë. Nuk dua para, dua vetëm që qeveria të thotë: Po, ne kemi vepruar me ju njëlloj si me amerikanët me origjinë japoneze."
Por shanset për një pranim zyrtar të keqtrajtimit të gjermanëve në kohën e Luftës së II Botërore nuk janë të mira, pohon vetë Artur Jakobs. Dhe ato keqësohen, sa më shumë të prekur largohen nga jeta.