Shtypi ndërkombëtar rreth koalicionit qeveritar në Gjermani | Studimi në Gjermani | DW | 16.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi ndërkombëtar rreth koalicionit qeveritar në Gjermani

default

Shtypi ndërkombëtar trajtoi këtë javë në mënyrë të veçantë krijimin e koalicionit të madh qeveritar në Gjermani. Të gjithë komentatorët duket se janë të një mendimi se kancelarja e ardhshme do të marrë mbi vete një detyrë tepër të vështirë.

Gazeta "New York Times" shkruan:

"Që ta bënte zotin Shrëder që të dilte mënjëanë, zonjës Merkel i duhej të sakrifikonte gjysmën e vendeve në kabinetin e saj, përfshi këtu edhe postet e ministrit të jashtëm, atij të financave, të punës si dhe të drejtësisë. Po ashtu asaj do t'i duhet të heqë nga programi i reformave sociale dhe ligjeve të punës disa elementë, me të cilat elektorati gjerman nuk është dakord. Por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë reforma. Mizerja plot pasoja negative në të cilën gjendet ekonomia gjermane i detyron rivalët e bashkuar në koalicion që t'i bashkojnë forcat në mënyrë që të thjeshtësohet sistemi i taksave ndaj të ardhurave dhe që tregu i punës të bëhet më fleksibël."

Gazeta britanike "Times" është skeptike ndaj qeverisë së koalicionit:

"Duke pasur në dorë Ministritë e Financave dhe të Punës, SPD-ja mund t'i sabotojë me sukses të gjitha reformat që do të propozojë kryeministri aktual i landit të Bavarisë, Edmund Stoiber, që do të drejtojë Ministrinë e Ekonomisë. Po ashtu zonja Merkel nuk do të ketë shumë hapsirë për manovra dhe inovacione. Po ashtu edhe restriksionet e forta të vendosura nën periudhën kur vendi bashkëqeverisej prej ekologjistëve, si p.sh. në lidhje me energjinë bërthamore, nuk do të mund të shfuqizohen, për sa kohë Ministria e Ambientit do të drejtohet prej socialdemokratëve. Në kuadër të kontradiktave të tilla perspektivat për një koalicion të qëndrueshëm janë të pakta."

Ndërsa gazeta spanjolle "El Pais" shkruan:

"Bazuar në përfundimin e zgjedhjeve parlamentare krijimi i një koalicioni të madh ishte gjëja më e arsyeshme që mund të bëhej. Përfundimi i zgjedhjeve tregoi se gjermanët i pranojnë reformat ekonomike dhe sociale, porse ato nuk duhet të jenë tepër drastike. Angela Merkel duhet ta mbajë parasysh këtë gjë. Evropianët e tjerë shpresojnë që lokomotiva e madhe gjermane do të fillojë të lëvizë sërish. Drejtimi i një koalicioni të madh për katër vjet me radhë është një sfidë e madhe. Për këtë zonjës Merkel do t'i duhet të tregojë aftësi të cilat deri tani nuk kanë dalë në pah dhe vetëm mund të supozohen."

Gazeta italiane "La Reppublica" gjykon në këtë mënyrë për gjendjen e kancelares së re të Gjermanisë:

"Ajo që arriti Angea Merkel i ngjan fitores së Pirros. Ajo sigurisht që do të bëhet kancelare, por qeveria e saj ka në përbërje ministra socialdemokratë që janë caktuar prej Gerhard Shrëderit, kundërshtarit të saj, i cili formalisht doli humbës, por që në fakt ia vodhi triumfin kancelares Merkel. Tetë ministra socialdemokratë në një kabinet prej 16 vetësh. Angela Merkel do ta ketë të vështirë që të zbatojë në një konstelacion të tillë programin e partisë së saj."

Gazeta e përjavshme franceze "L'Express" mendon se megjithë problemet Angela Merkel nuk duhet nënvleftësuar:

"Ajo është pragmatike si edhe Gerhard Shrëderi dhe sikurse edhe ky në gjendje që të testojë fillimisht një mendim apo një ide dhe pastaj ta ndryshojë mendimin, në rast se nuk ekzistojnë kushtet për ta vënë atë në jetë. Një nga aftësitë e saj është që ajo di ta shfrytëzojë për vete konstelacionin më të favorshëm. Sado që nuk bie në sy, kur vjen fjala për të zhvilluar bisedime asaj duhet t'ia kesh frikën. Të paktën deri tani ajo ka fituar, edhe pse pa ndonjë shkëlqim dhe pa u mburrur fort për fitoren."

Së fundi citojmë nga gazeta e Moskës "Nesavisimaja Gazeta" e cila shkruan:

"Rusia ka nevojë për një politikë gjermane të qëndrueshme dhe për këtë përshëndet çdo hap në këtë drejtim. Askush në Moskë nuk po derdh një pikë lot për Ministrin e Jashtëm Joshka Fisher, që po largohet nga posti. Do të ishte mirë që pasuesi i tij të ishte njohës i Rusisë. Me sa duket SPD-ja do të ketë në qeverinë e re gjysmën e posteve ministrore. Kjo të bën të shpresosh se nuk do të ketë tronditje në marrëdhëniet mes të dy vendeve."

  • Data 16.10.2005
  • Autor Hans-Bernd Zirkel
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArtM
  • Data 16.10.2005
  • Autor Hans-Bernd Zirkel
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArtM