Shtypi ndërkombëtar i javës: Shrëder kërkon reformimin e NATO-s. Qëndrimi ndaj ekstremistëve të djathtë në Gjermani | Studimi në Gjermani | DW | 20.02.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi ndërkombëtar i javës: Shrëder kërkon reformimin e NATO-s. Qëndrimi ndaj ekstremistëve të djathtë në Gjermani

Tema më e rëndësishme e komenteve në shtypin e huaj të javës ishte propozimi i kancelarit gjerman, Gerhard Shrëder, për reformimin e NATO-s, si dhe diskutimi lidhur me atë se si mund të reagohet më mirë ndaj shfaqjeve të ekstremistëve të djathtë të partisë nacional-demokrate të Gjermanisë.

default

Propozimi në konferencën e sigurisë në Mynih i kancelarit Shrëder për rishikimin e strukturave të NATO-s nga një komision i pavarur është përshëndetur nga shumica e komentatorëve evropianë.

Gazeta franceze "LE FIGARO" shkruan: "Ideja është e mirë, potencialisht interesante dhe do të meritonte një pritje më të mirë. Por është pothuajse e pamundur që Xhorxh Bushi gjatë vizitës në Evropë ta përfillë mendimin, që sipas shembullit të OKB-së një grup i personaliteteve të pavarura të vendosë për marrëdhëniet transatlantike. SHBA ndryshojnë tonin, por jo partiturat".

Gazeta daneze "POLITIKEN" e përshëndet guximin e kancelarit: "Iniciativa e kancelarit u ka krijuar kokëçarje diplomatëve të NATO-s. Kështu ndodh shpesh herë kur nxirren në shesh hallet e shtëpisë. S´ka asnjë dyshim që bota kurrësesi nuk është bërë më e sigurtë, qëkurse presidenti Bush e ka marrë vetë në dorë "luftimin e terrorizmit" me ndihmën e disa aleatëve të përzgjedhur. Por nuk është në shërbim të askujt nëse partnerët evropianë trajtohen si vasalë".

Në mënyrë të ngjashme komenton edhe belgia "DE MORGEN": "Eshtë hera e parë qysh prej themelimit të aleancës në vitin 1949, që një kryeministër perëndimor e sheh NATO-n me sy kritik. Pasi Bushi nuk ishte i pranishëm në konferencën e sigurisë në Mynih u shmang ndonjë konforntim direkt me Shrëderin. Por disa paragrafe të fjalimit të këtij të fundit ishin mjaft të qarta për SHBA dhe si të tilla i konsideroi ato edhe ministri amerikan i mbrojtjes, Donald Ramsfelld".

Disi me tone më të buta shprehet komentatori i austriakes "DER STANDARD": "Evropa ka arësye të forta për të dyshuar tek kthesa e qeverisë së Bushit në raport me partnerët e NATO-s. Nëse Gjermania ose Franca nuk bashkëkontribuojnë për forcimin e strukturave rajonale të sigurisë nga Kajroja deri në Kabul, atëherë SHBA do ta kryejnë këtë detyrë me partnerët e tjerë të zgjedhur sipas dëshirës".

Mjaft ashpër i kundërvihet kancelarit gazeta "WAll STREET JOURNAL" në numnrin e saj që botohet në Evropë: "Deklaratat e Shrëderit janë zhgënjyese, ato tingëllojnë të zbehta dhe për publikun vendas janë vetëm fjalë boshe, që nuk ofrojnë përpjekjen për një konfrontim konstruktiv. Shumë gjëra kanë ndryshuar qëkurse kancelari gjerman shpëtoi lëkurën e vet politike dhe izoloi Amerikën në vitin 2002. Por siç duket Gerhard Shrëderi nuk ka ndryshuar".

Gazeta tjetër e SHBA "HERALD TRIBUNE" e sheh disi ndryshe propozimin e Shrëderit: "Sigurisht që në qeverinë e Bushit ka shumë antarë që preferojnë më mirë që NATO-ja të mbetet ashtu siç është: një aleancë, që ata mund ta kontrollojnë, ose ta injorojnë. Mesazhi i Shrëderit ishte, se ata nuk mund ta bëjnë këtë".

Një temë tjetër që ka tërhequr vëmendjen e opinionit është diskutimi i hapur në Gjermani lidhur me reagimin ndaj shfaqjeve në publik të partisë nacional-demokrate, e ekstremit të djathtë.

Lidhur me këtë gazeta belge "GRENZ-ECHO" mendon, se në Gjermani përdoren dy parametra të ndryshëm kundrejt ekstremit të djathtë dhe atij të majtë: "Ndërsa në vitet 70 RAF (Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe) dhe simpatizantët e saj kërcënonin shtetin ligjor, menjëherë u nxorrën ligje kundër terrorit. Por kur është fjala për të ndaluar marshimin e ekstremistëve të djathtë juristët e zellshëm të shtetit gjejnë gjithmonë një nen, që tek e fundit bën që gjithçka të mbetet ashtu siç është".

Gazeta spanjolle "EL PAIS" thekson, se do të preferonte më shumë informacion në vend të ligjeve: "Gjermania dhe Evropa së bashku duhet t´i kundërvihen me vendosmëri paturpësisë së neonazistëve dhe t´u bëjnë të qartë atyre, se cilët ishin fajtorët për ngjarjet tragjike para 60 vjetëve. Tani është detyrë e demokratëve të përballen me këtë problem dhe të kujdesen që të mos përsëriten marshimet fantazëm si ato në Drezden".

Një tjetër këshillë rekomandon zvicerania "TAGESANZEIGER": "Mjeti më i mirë është ironia dhe shpotia, nëpëmrjet të cilave drejtuesve të partive ekstremiste të djathta si Voigt apo Apfels, Mehlers dhe Leichsering, t´u bëhet e qartë se cilët janë: figura qesharake dhe tigra prej letre, ndaj të cilëve s´ka përse të ketë frikë demokracia e etabluar".


  • Data 20.02.2005
  • Autor Beatrise Hajder
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arwc
  • Data 20.02.2005
  • Autor Beatrise Hajder
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arwc