1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi ndërkombëtar: Shrëderi në krizë & qëndrimi i SHBA ndaj kërkesës së Gjermanisë për antarësim në Këshillin e Sigurimit

11 Qershor 2005

Vëmendje shtypi evropian, kryesisht ai gjermanofon, gjatë kësaj jave i ka kushtuar gjendjes së qeverisë së Shrëderit tri javë përpara çështjes së votëbesimit që do të shtrohet në Bundestag. Edhe mospërcaktimi i qëndrimit të SHBA ndaj dëshirës së Gjermanisë për një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit komentohet në mendiet e huaja.

https://p.dw.com/p/Arv8

Lidhur me politikën e brendëshme në Gjermani gazeta "Neue Zürcher Zeitung" komenton, se kancelari Shrëder e ka humbur përfundimisht imazhin e vepruesit: "Edhe parardhësi i Shrëderit Brandt dhe Kohl vendosën të përballen me çështjen e votëbesimit me qëllim që ta humbisnin atë. Ata mundën ta bëjnë të besueshëm veprimin e tyre, sepse ai ishte i argumentuar nga pikëpamja politike. Brandi kërkonte një votë për politikën e tij ndaj Lindjes, ndërsa Kohli kërkonte ndryshimin e qeverisë. Shrëder në të kundërt nuk ka asnjë argument bindës përse janë të nevojshme votimet një vit para përfundimit të periudhës legjislative. Kështu ai vet krijoi përshtypjen se qerveria është e lodhur në post dhe s´ka ç´të ofrojë më. Me këtë ai ka humbur edhe të vetmin as që kishte për fushatën elektorale: kartën e tij të pushtetit. Si asnjëherë tjetër Shrëder duket se nuk është më në gjendje të veprojë dhe se nuk i ka frenat në dorë. Koalicioni po përçahet në debate dhe spekulime pa bukë, nëse Shrëder do të japë dorëheqjen për t´i hapur vendin kryetarit të partisë Myntefering. Koalicioni nuk është më në gjendje të transmetojë mesazh politik. Sinjalet janë përshjelluese dhe konturojnë iamzhin e një ekzekutivi të paaftë për të vepruar", analizon "Neue Zürcher Zeitung".

Në mënyrë të ngjashme e gjykon pozitën e Shrëderit edhe gazeta e Zyrihut "Tages Anzeiger": "Po bëhet gjithnjë e më e qartë, se vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme është mbështetur vetëm nga pak vetë brenda partisë dhe ndoshta pasojat e tij nuk janë peshuar mirë. E kjo është bërë vetëm për mbajtjen e pushtetit dhe jo për qëllime të ndershme të politikës shtetërore në mënyrë që reformat sociale të legjitimohen nëpëmrjet zgjedhjeve. Nëse Shrëder do t´ia dalë që presidenti të shpërndajë parlamentin për zgjedhje të reja, kësaj ai do t´ia arrijë vetëm sepse rivalja e tij Angela Merkel do patjetër zgjedhje. Por është krejt e hapur nëse taktika e tij do të mund t´i rezistojë gjykatës kushtetuese. Një spektakël jo dinjotoz ky", vëren "Tages Anzeiger".

Në të përditshmen e Vjenës "Kurier" lexojmë: "Kancelari Shrëder, dikur mjeshtër për të njohur tendencën në popull e për ta manipuluar edhe më shumë atë në favor të tij nëpërmjet medias, kësaj here rrezikoi shumë. Tani me një dramatikë të paparashikuar po nxirret mësimi se sa mosmirënjohëse mund të jetë politika. Aq më keq në radhët e socialdemokratëve, që ai ndryshe nga laburistët e Toni Blerit, asnjëherë nuk i ka pasur plotësisht pas vetes në kursin e reformave. Skenari i Shrëderit, për t´iu drejtuar zgjedhësve vetëm me forcën e ultimatumit "unë ose ata" që të vazhdojë qeverisjen, po rezulton i pavlefshëm. Ky po shndërrohet në skenarin e largimit të një kancelari, që fillimisht u premtoi shumë gjermanëve dhe që më pas nisi reformat prej kohësh të domosdoshme i bindur me vonëse dhe i vetëm. Kjo meritë e madhe historike do të mbetet, por ajo do të mund të vlerësohet drejt vetëm pasi të ketë kaluar kohë. Largimi i tij që po ndodh pa plan dhe pa dinjitet, po i rrëmben atij edhe atë pak karizëm që i ka mbetur", nënvizon gazeta austriake "Kurier".

Kalojmë tani në një dështim të politikës së jashtme gjermane që gjithashtu i ka kushtuar koalicionit qeverisës nën drejtimin e kancelarit Shrëder: SHBA deri tani janë kundër antarësimit të përhershëm të Gjermanisë në Këshillin e Sigurimit. Gazeta e Milanos "Corriere della serra" komenton: "Tani për tani në Amerikë i thuhet jo antarësimit me vend të përhershëm të Gjermanisë në Këshillin e Sigurimit. Për ministrin e jashtëm Joshka Fisher dhe kancelarin Gerhard Shrëder ky është një dështim që peshon rëndë tani në sfondin e diskutimit për zgjedhje të parakohshme. Kritikët e qeverisë amerikane dyshojnë, se presidenti i SHBA Bush nuk ia ka falur Shrëderit rezistencën kundër luftës në Irak, pavarësisht nga të gjitha shprehjet e miqësisë. Por në shtëpinë e bardhë theksohet, se presidenti ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar dhe se konsultimet me aleatët po vazhdojnë", shkruan "Corriere della serra".

E përditshmja e Romës "La Republika", e quan këtë si "fundi i një ëndrre": "Nuk do të ketë reformë të Këshillit të Sigurimit me pranimin e katër vendeve Gjermania, Japonia, Brazili dhe India, kështu thuhet në Pekin. Kina ka hyrë në ring me gjithë forcën e vet të influencës, si një antare e Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje. Qëllimi i saj është natyrisht që të bllokojë ambicjet japoneze", shkruan "La Republika".

Ndërsa gazeta ruse "Komersant" shtron pyetjen: "Nëse numri i vendeve antare të Këshillit të Sigurimit, edhe i atyre me vend të përhershëm, do të rritet ateherë sa do të jetë në gjendje të drejtohet ky forum? Mos ndoshta OKB-ja do të rikthehet në formën e mëparshme të bashkimit të popujve, ku të gjithë ishin të barabartë dhe asnjë problem nuk zgjidhej? A munden vallë Nigeria dhe Brazili me përpjekje të përbashkëta të parandalojnë një konlfikt në Lindjen e Mesme apo të lagrtë? Për strukturat burokratike kalimi nga 15 në 25 cënon kufij që kanë të bëjnë me vendosje fatesh", vëren komentatori i së përditshmes "Kormersant".