Shtypi gjerman i së martës: refuzimi nga Franca i kushtetutës evropiane e caktimi nga partitë unioniste gjermane të A. Merkelit si kandidate për kancelare | Studimi në Gjermani | DW | 30.05.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi gjerman i së martës: refuzimi nga Franca i kushtetutës evropiane e caktimi nga partitë unioniste gjermane të A. Merkelit si kandidate për kancelare

Angela Merkel

Angela Merkel


Komentatorët e shtypit të sotëm gjerman ndalen në refuzimin nga ana e Francës të kushtetutës evropiane si dhe në caktimin nga ana e partive konservatore unioniste gjermane të Angela Merkelit si kandidate për kancelare të Gjermanisë.

Fillimisht për refuzimin nga francezët të kushtetutës evropiane. FRANKFURTER RUNDSCHAU shkruan:

"Politika evropiane ndodhet para aksidentit të saj më të madh të supozuar dhe duhet të shohë si të dalë shëndoshë e mirë nga kjo situatë. Sepse këtu është puna. Dhe prej kohësh jo më për një tekst. Ai pasqyron vetëm ato reforma për të cilat ka nevojë BE, nëse nuk dëshiron të bëjë hapa pas. Grindja nuk bëhet për mallra luksozë politikë, por për hapa të nevojshëm, ndaj të cilëve nuk ka alternativa."


NEUE WESTFÄLISCHE që botohet në Bilefeld vëren:

"Non e francezëve dhe Nee - ja e pritshme e hollandezëve do të kishin gjetur një përgjegjëse gjermane, sikur të ishin pyetur qytetarët. Kështu, ato që mbeten janë vetëm fërkime fshehtas të duarve dhe mundësia, që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare gjërat të korrigjohen disi, të paktën të reduktohet ritmi i ecjes. Kancelari gjerman Gerhard Shrëder ndoshta e ka kuptuar se këmbëngulja e tij për një fillim të shpejtë të negociatave të anëtarësimit në BE të Turqisë ishte një gabim. Kështu që zgjedhjet parlamentare në Gjermani do të kthehen me siguri në një refendum."

Ja edhe mendimi i komentatorit të OSTTHÜRINGER ZEITUNG që botohet në Gera:

"Spektakli është grotesk: të fuqishmëve të Evropës u zhyten hapat e mëdhenj që hedhin në rrugën juridike të Evropës dhe injorojnë në këtë e sipër atmosferën nëpër rrugë. Të gjitha sërish prapë, në krye, duhej të ishte mesazhi i referendumit të dështuar. Pa kombin e fortë udhëheqës Francë nuk mund të kenë sukses hapat e tjerë të unifikimit të Evropës. Prandaj, bashkësia e shteteve do të kishte nevojë për një debat të gjerë për të ardhmen e saj, për nevojën për sistemim e rregullim, për vetëbllokadën e saj, për deficitin demokratik dhe jo së fundi për kufijtë gjeografikë të saj".

HANDELSBLATT që botohet në Dyseldorf thërret në kujtesë:

"Qeveria Shröder i ka besuar si asnjë tjetër më parë një partneriteti të ngushtë me Parisin në politikën evropiane dhe atë të jashtme. Madje Franca i zëvendësoi SHBA si partner kryesor të Gjermanisë, duke shkaktuar zemërimin e madh të transatlantikasve të bindur. Politikisht, kjo ka qenë gjithmonë e diskutueshme dhe e mbrojtshme vetëm atëherë kur ky kurs sillte sukses, si p.sh. në paraqitjen e një projekti të kushtetutës. Pas dështimit të këtij projekti, iniciativat gjermano-franceze mbajnë megjithatë një hipotekë të dyfishtë: Schrëderi dhe Shiraku që këtej e tutje konsiderohen si "lame ducks", si rosa të ngathta. Cdo propozim i përbashkët për një bashkëpunim më të thellë evropian në të ardhmen do të përballet me tregimin me gisht tek vota refuzuese e francezëve. E ajo që është me të vërtetë e keqe është se këtu nuk mund të ndryshojnë gjë as kryetarë të rinj qeverish në Berlin dhe në Paris, sepse Shiraku do të qëndrojë në post deri në vitin 2007"

Ndërrojmë temë: përballë propozimit për zgjedhje të parakohshme parlamentare në Gjermani, komentatorët gjermanë ndalen edhe në kurorëzimin nga partitë unioniste gjermane të kryetares së CDU-së, Angela Merkel si kandidate për kancelare të re të Gjermanisë.

FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG vëren:

"...ajo që ndodhi, krahasuar me caktimin e kandidatit për kancelar tri vjet më parë ishte një panair kurorëzimi. Akoma Angela Merkeli nuk është bërë kancelare. Por me triumfin tek CDU-ja dhe tek unionistët, kandidatja ka kaluar pengesën e parë, dhe jo më të ultën në rrugën për në zyrën kancelarore. Nëse Partia Kristjansociale CSU e mban premtimin e dhënë nga (kryetari) Shtoiber, atëherë do të jetë e vështirë për unionistët të humbasin zgjedhjet- edhe nëse do të jetë e vështirë që atmosfera të ruhet në nivel të tillë për CDU/CSU dhe kandidaten e tyre deri në vjeshtë. Por zonja Merkel e di se çfarë u intereson gjermanëve, që do të shkojnë së afërmi të zgjedhin. Unë dua t'i shërbej Gjermanisë, ishte deklarata e saj të hënën. Qeveria aktuale të lë përshtypjen se është e preokupuar me gjëra krejt të tjera."

Së fundi edhe SÜDDEUTSCHE ZEITUNG:

"Veprimet e saj politike ushqejnë dyshimin se përsa i përket cështjeve përmbajtësore është e vështirë të dallosh qëndrim të prerë te Merkeli, e cila fshihet pas një strukture. Nuk shtrohet pyetja nëse mund t'ia dalë ajo mbanë në cështje pushteti, sepse këtë e ka vërtetuar disa herë. Ajo që ka rëndësi më tepër është të mësohet nëse Merkeli ka aftësinë t'i shndërrojë përmbajtjet në politikë. Vendi duhet të mësojë që në fushatën elektorale se me c'mjete ka ndërmend ta vërë në praktikë kandidatja për kancelare deklaratën e saj për ripërtëritjen e ekonomisë së tregut. Si fletë e panjohur në politikë, Angela Merkel mund të bëhet kandidate për kancelare; por vendin ajo nuk mund ta qeverisë në këtë mënyrë.

  • Data 30.05.2005
  • Autor Përzgjedhur nga Auron Dodi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArvJ
  • Data 30.05.2005
  • Autor Përzgjedhur nga Auron Dodi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArvJ