1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri Gjermani - Bashkëpunim në nivel parlamentesh

27 Tetor 2010

Grupi parlamentar i miqësisë Shqipëri - Gjermani është një nga strukturat, që nxit dhe promovon marrëdhëniet më të ngushta mes dy vendeve.

https://p.dw.com/p/PpDi
Parlamenti në Tiranë.
Fotografi: AP

Kryetari i grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri – Gjermani Edi Paloka, mendon se praktika të tilla shërbejnë për të afruar më shumë dy parlamentet. Duke shkuar tek njeri tjetri, duke organizuar veprimtari të përbashkëta, duke shkëmbyer eksperiencat për të cilat Shqipëria ka shumë nevojë. Paloka thotë për Deutsche Welle-n, se një nga këto aspekte është procesi i përafrimit të legjislacionit shqiptar me standartet e vendeve anëtare të BE-së.

Kryetari i grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri – Gjermani Edi Paloka.
Kryetari i grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri – Gjermani Edi Paloka.Fotografi: DW

“Mjafton të kujtojmë shumë raste, ku ne jo vetëm si grup miqësie, por parlamenti shqiptar në tërësi ka marrë dhe ka adoptuar mjaft nga ligjet që ka miratuar Bundestag-u dhe mendoj se në këtë drejtim duhet të thellohet bashkëpunimi mes dy parlamenteve. Jam i bindur se (...) do të kemi hapa të rëndësishëm në bashkëpunimin me Bundestag-un gjerman”.

Viktor Gumi, një tjetër anëtar e grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri - Gjermani, thotë se synimi kryesor është nxitja e kooperimit të drejtpërdrejtë dypalësh:

“Sidomos në botën e sotme, sidomos brenda strukturave të BE-së, çështja më e rëndësishme është ajo e lobimit. Sa më shumë të jetë prezent realiteti shqiptar në Bundestag apo në parlamentet e vendeve të tjera, aq më e lehtë është rruga e integrimit europian të vendit tonë. Natyrisht njohjet veç strukturave ekzekutive, njohjet e parlamentit e diskutimet brenda komisioneve parlamentare kanë një rëndësi të veçantë në këtë aspekt. Është e rëndësishme të përmendim këtu dhe këndvështrimin profesional”.

Deputeti Gumi i referohet rasteve kur për fenomene a dukuri të diskutueshme të zhvillimeve demokratike në Shqipëri, ligjëvënësit kanë gjetur si shembuj praktikat e rezultuar si pozitive nga realiteti gjerman, nga doktrina legjislative e këtij shteti lider në BE.

“Kujtoj këtu rastin, kur njëri prej burimeve kryesore të hartimit të rregullores së punës së parlamentit shqiptar ishte rregullorja e punës së Bundestag-ut. Shpesh herë jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë, i referohet jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese në Gjermani, një nga pioneret e jurisprudencës europiane. Ligji për komisionet hetimore parlamentare të Shqipërisë ka si model ligjin përkatës gjerman. Parlamentarët me eksperiencat e zbatimit të këtij legjislacioni hasin në pikëpyetje dhe vështirësi të ndryshme, që do të thotë se këto mund të jenë njëlloj të vlefshme dhe për realitetin shqiptar”.

Para rreth një muaji në Tiranë ishte një grup deputetësh nga Bundestagu, të cilët zhvilluan kontakte me politikanët kryesorë në vend, si dhe ishin prezentë në një forum diskutimi në komisionin e përhershëm parlamentar të Integrimit.

Deputeti gjerman Florian Hahn (CSU) në intervistë me Deutsche Wellen në Tiranë.
Deputeti gjerman Florian Hahn (CSU) në intervistë me Deutsche Wellen në Tiranë.Fotografi: DW

Pas vizitës njeri deputetëve gjermanë Florian Hahn (CSU) tha për Deutsche Welle-n se Shqipëria “jo vetëm gjeografikisht, por dhe nga angazhimet për realizimin e reformave është në një stad të avancuar të integrimit për në familjen e BE-së. Është e rëndësishme për ne në Gjermani, që ta njohim edhe më mirë realitetin në vendin tuaj. Sot dy vendet tona janë partnerë në Aleancën Veriatlantike, në të ardhmen do të jemi vende partnerë dhe në BE”.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Eliana Xhani