1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpërthim në Tiranë - prokuroria heton rastin

Arben Muka15 Shkurt 2007

Në orët e para të mëngjesit është hedhur një sasi tritoli në një lokal në qëndër të Tiranës, që ka shkaktuar vetëm dëme materiale

https://p.dw.com/p/ArYW
Kryetari i opozitës, Edi Rama dhe presidenti, Alfred Moisiu
Kryetari i opozitës, Edi Rama dhe presidenti, Alfred MoisiuFotografi: AP

Policia dhe prokuroria janë duke hetuar për rrethanat dhe gjetjen e autorëve, ndërkohë që vetë kryetari i PS, Edi Rama u shpreh se “nuk dua ta besoj se pas këtij akti fshihen njerëz në pushtet”.


Restorant piceria ku u hodh lënda eksplozive rreth orës 02.00 të mëngjesit të së enjtes ndodhet në katin e dytë të një pallati shumëkatësh në qëndër të Tiranës, vetëm 20 metra larg selisë së Prokurorisë së Republikes. Lënda shpërthyese e tipit tritol është hedhur nga njerëz të panjohur në njërin prej ballkoneve të lokalit, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Më herët në ambjentet e lokalit kanë qenë duke darkuar dhe shefi i opozitës Edi Rama dhe një grup deputetësh. Ata kanë dalë vetëm 10 minuta para shpërthimit. Zhurma që ka krijuar plasja e tritolit ka krijuar panik tek banorët e pallatit shumëkatësh dhe në zonën përreth, të cilët kanë lajmëruar policinë.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shume forca të policisë dhe prokurorë, të cilët kane nisur hetimet për ngjarjen. Deputetë të opozitës që erdhën në vendin e ngjarjes kanë kërkuar nga organet kompetente që të zbardhet ky rast dhe të ndiqen autorët. Sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në PS, Arta Dade e lidhi shpërthimin me zhvillimin e fushatës elektorale, pasi lokali frekuentohej nga drejtues të opozitës. “Këto na kujtojnë ngjarjet e para vitit 1997 kur ne ishim sërish në opozitë”, tha Dade.

Vetë Edi Rama gjatë një takimi electoral në periferi të Tiranës u shpreh se “nuk dua ta besoj se pas këtij akti kriminal të jenë njerëz në pushtet”. Rama u shpreh i befasuar që nga autoritetet nuk kishte patur asnjë telefonatë për të shprehur solidaritet dhe angazhim se gjithshka do të zbardhej sa më shpejt.

Një zëdhënës i policisë së Tiranës deklaroi se që pas marrjes së njoftimit për shpërthimin policia po bashkëpunon me prokurorinë për gjetjen e autorëve. Ai tha se janë bllokuar dhe po kontrollohen me imtësi akset hyrëse në Tiranë, ndërkohë që forcat xhenjere po identifikojnë sasine e lendes shpërthyese.

Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar dhe ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, pas një takimi që ka zhvilluar me Prokurorin e Republikës, Theodhori Sollaku. “Autoritetet të hetojnë plotësisht incidentin”, ka thënë kryediplomatja amerikane në Tiranë, Marsi Ris.

Arben Muka