Shpërbëhet koalicioni qeveritar në Ukrainë
17 Shtator 2008Aleatët e dikurshëm Timoshçenkos dhe presidenti Viktor Jushçenko kritikojnë njëri tjetrin për korrupsion dhe mungesë kompetence.
Në fillim të shtatorit u bë e ditur se koalicioni pro perëndimor nuk po funksionon më, ndërsa të martën skadoi edhe zyrtarisht afati për vazhdimin e mundshëm të qeverisjes. Partitë e presidentit Viktor Jushçenko dhe kryeministres Julia Timoshçenko nuk arritën marrëveshje për vazhdimin e koalicionit. Kryetarit të parlamentit Arsenij Jaçanjuk, nuk i mbeti gjë tjetër veçse të shpallë shpërbërjen e koalicionit.
Partitë parlamentare kanë afat 30 ditor të krijojnë një shumicë të re
Deputeti i partisë së Timoshçekos, Anatolij Shkil thotë se kjo nuk ëshë e pamundur. "Ekziston për shembull mundësia e një koalicioni të tri partive: Partisë së Jushçenkos, bllokut Litvin dhe ne. Blloku Litvin dhe ne jemi dakord. Fatkeqësisht partia "Ukraina jonë" e Jushçenkos jo, sepse shumica e kësaj partia dëshiron zgjedhje të reja."
Më reale është tani mundësia që Timoshçenko të futet në koalicion me partinë opozitare të Viktor Janukoviçit. Nëse jo do të zhvillohen zgjedhjet e reja në dhjetor. Janukoviçi dhe partia e tij janë të njohur si të afërt me Rusinë. Ai kritikon qeverinë e deritanishme. "Afrimi avanturesk i qeverisë me NATO-n dhe qëndrimi i pakuptueshëm ndaj konfliktit të Gjeorgjisë cënojnë paqen edhe në vendin tonë."
Grindjet brenda koalicikonit kanë shpërthyer kur Timoshçenko nxorri me ndihmën e opozitës proruse një ligj për kufzimin e kompetencave të presidentit dhe shtimin e mundësive të kryeministrit. Jushçenko i quajti këtë votim antikushtetues.
Dallimet kryesore janë në qëndrimet ndaj Rusisë dhe krizës në Kaukaz
Jushçenko e dënon ndërhyrjen ruse, ndërsa Timoshçenko nuk mori qëndrim të qartë. Nga qarqet e presidentit thuhet se kryeministrja është pro ruse dhe ka tradhëtuar interesat e Ukrainës.
Është kjo hera e dytë që dështon koalicioni mes forcave politike që udhëhoqën të ashtuquajturin revolucion të portokalltë.