1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Scholz i mpreh kërkesat, Vuçiç gjoja i befasuar

11 Qershor 2022

Ai pak optimizëm për “perspektivën evropiane” u la në hije nga qëndrimet e kundërta të kancelarit Scholz dhe presidentit Vuçiç për Kosovën dhe sanksionet ndaj Rusisë, thonë për DW analistët në Beograd.

https://p.dw.com/p/4CZow
Serbien Belgrad | Olaf Scholz und Aleksandar Vucic
Fotografi: Darko Vojinovic/AP/picture alliance

Vizita e kancelarit gjerman Olaf Scholz pati tema, që priteshin, në rendin e ditës: Kosova, integrimet evropiane, lufta në Ukrainë dhe sanksionet kundër Rusisë. E megjithatë konferenca për shtyp në Beograd nxori në pah disa detaje pikante.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e priti me çudinë më të madhe deklaratën, që Olaf Schoz bëri në Prishtinë, se vendet që nuk e njohin njëra-tjetrën, nuk mund të bëhen anëtare të BE-së.

"Sot dëgjuam për herë të parë nga Evropa se kërkohet njohje reciproke”, tha Vuçiç.

"Ky është një leksion për Vuçiçin, se për statusin duhet të diskutohet”, tha për DW Dushan Janjiç nga Forumi për Marrëdhëniet Etnike.

"Ajo formula e njohjes reciproke ekziston në të gjitha bisedat dhe prezantimet e përfaqësuesve të vendeve të BE-së, që mbështesin njohjen e Kosovës”. "Befasimin mund ta interpretoj vetëm si shmangie të autoriteteve serbe për t'u konfrontuar me faktin, se Kosova e ka rrumbullakosur plotësisht sovranitetin e saj në veri të Kosovës në dhjetë vitet e fundit”, theksoi Janjiç.

Scholz i saktësoi porositë

Diplomati Ognjen Pribiçeviç, ish-ambasador i Serbisë në Gjermani, nuk mendon se deklarata e Olaf Scholzit është një befasi e madhe, sepse diçka e tillë është dëgjuar shpesh nga Uashingtoni, dhe indirekt edhe nga disa vende të tjera evropiane.

"E gjithë kjo ka qenë edhe e pritshme, sepse vetë kancelari Scholz po përballet me presione serioze të brendshme dhe të jashtme lidhur me luftën në Ukrainë dhe për këtë arsye mund të pritej, që disa mesazhe do t`i ashpërsonte në Beograd”, vlerëson Pribiçeviç.

Megjithatë, thotë diplomati Pribiçeviç, Scholz nuk i ka saktësuar mesazhet, përsa i përket zgjerimit të Bashkimit Evropian.

"Kancelari i përmendi njëzet vjet Selanik dhe angazhimin e Gjermanisë në procesin e anëtarësimit. "Unë prisja disa deklarata më konkrete, përsa i përket anëtarësimit të ardhshëm të Serbisë në BE”, thotë diplomati.

Optimizëm i (pa) justifikuar

Megjithatë mund të thuhet, se presidenti i Serbisë lidhur me çështjen e integrimeve evropiane tregoi një çikë më shumë optimizëm pas bisedimeve me kancelarin gjerman.

Dushan Janjiç konstaton, se në javët e fundit Aleksandar Vuçiç po mbështet me forcë rrugën evropiane të Serbisë. Janjiç e sheh numërimin nga Vuçiçi të sferave, ku nevojitet progres - sundimi i ligjit, demokracia - si një tregues se Serbia në rrugën evropiane nuk bën asgjë.

"Në shtatë apo tetë vitet e fundit nuk është bërë asgjë, është koha që Serbia të caktojë negociatorin, që do të merret me këtë dhe të fillojë të punojë më shumë në temat, që Vuçiç përmendi duke cituar Scholzin”, shton ai.

Ognjen Pribiçeviç beson, se pala serbe ka njëfarë optimizmi, sepse kancelari gjerman solli në Beograd një qendrim të ndryshëm nga ai francez, ku Macron kundërshton zgjerimin e BE-së. "Mendoj se prej kësaj vjen edhe optimizmi i lehtë i palës serbe, që kemi dëgjuar pas këtyre bisedimeve”, thotë Pribiçeviç.

A po humb BE durimin lidhur me sanksionet?

Sipas presidentit serb kancelari gjerman ka thënë "qartë dhe prerë”, se Serbia duhet t`i vendosë sanksione Rusisë dhe vetë Scholz i konfirmoi këto kërkesa para gazetarëve.

Dushan Janjiç mendon, se BE nuk do ta "durojë” gjatë këtë qëndrim të Serbisë. "Mund të diskutohet, se cilave sanksione mund t'i bashkohet Serbia, për faktin se ajo nuk është anëtare e BE-së. "Por Serbia nuk mund t`i shmanget kësaj çështjeje pafundësisht dhe në anën tjetër të përpiqet të bëjë palën tjetër naive me disa histori joserioze," mendon Janjiç.

Këtë situatë Ognjen Pribiçeviç e sheh si „një rreth vicioz zhgënjimesh dhe premtimesh të paplotësuara”.

"Mendoj se thelbësorja është, që BE nuk ka pasur forcën, për të hartuar një strategji serioze përsa i përket Ballkanit Perëndimor dhe mbi të gjitha Serbisë, si shteti më i madh në rajon”. "Serbia do të duhej të ishte bërë prej kohësh anëtare e BE-së", thotë ai.

Po të kishte ndodhur kjo, thekson diplomati, shumë pyetje, siç është çështja e sanksioneve ndaj Rusisë, as që do të shtroheshin. "Kështu kemi vetëm mundimin reciprok të BE-së dhe vendeve kandidate. Kjo qasje është krejtësisht e gabuar dhe lufta në Ukrainë është konfirmimi absolut i asaj që po them”, përfundon Pribiçeviç.