1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rregull i ri qëndrimi për të huajt në Gjermani

Bernd Gräßler7 Nëntor 2006

Së shpejti të huajt që kanë vite që jetojnë në Gjermani me status durimi, pra "duldung" do të kenë të drejtë të rrinë sa kohë të duan në Gjermani. Ministri i brendshëm gjerman, Volfgang Schäuble, është shprehur se do t´ua lejojë këtë të drejtë të gjithë atyre të huajve që janë integruar nga ana ekonomike dhe sociale në Gjermani

https://p.dw.com/p/Aqyq
Berlin, Kreuzberg
Berlin, KreuzbergFotografi: dpa
Rregulli i ri për të drejtën e qëndrimit për ata të huaj që kanë vite që jetojnë në Gjermani, do të hyjë në fuqi brenda këtij muaji. Këtë lajm e konfirmuar ministria e brendshme gjermane dhe ministritë përkatëse të landeve gjermane. Gazeta "Die Welt" shkruan se ministri i brendshëm gjerman Volfgang Schäuble, ka deklaruar se ata të huaj që mund të vërtetojnë se janë integruar si ekonomikisht ashtu edhe nga ana sociale në Gjermani, do të marrin njëherë për njëherë një leje qëndrimi për 2 vjet. Një zëdhënës i ministrit të brendshëm Schäuble nuk deshi të flasë mbi detajet e këtij plani të ri, por nga ana tjetër ai nuk e kundërshtoi artikullin e gazetës gjermane "Die Welt": "Mund t´ju themi njëherë për njëherë se bisedimet e politikanëve tanë kanë qënë tepër konstruktive. E kam thënë edhe njëherë se shpreojmë të gjejmë sa më parë një zgjidhje për të gjithë ata të huaj që kanë vite që jetojnë këtu me statusin e "duldung"-it. Ndoshta do të mund ta zgjidhim këtë çështje në konferencën e ministrave të brendshëm të landeve, që do të mbahet më 16 dhe 17 nëntor." Në Gjermani aktualisht jetojnë rreth 190.000 të huaj me një status të tillë, të cilët nuk mund të rikthehen më në vendet e tyre për shkaqe nga më të ndryshmet. Ata kanë vite tashmë që jetojnë me pasigurinë se mund të duhet të kthehen nga dita në ditë në vendet e tyre. Sipas artikullit të gazetës "Die Welt", nga rregulli i ri i qëndrimit, do të përfitojnë vetëm ata të huaj që kanë të paktën 8 vjet që jetojnë në Gjermani, që kanë vite që punojnë në mënyrë legale dhe që mund të sigurojnë jetesën e familjeve të tyre falë punës që kryejnë. Përveç kësaj, nga ky rregull do të përfitojnë edhe ata të huaj që jetojnë prej të paktën 6 vitesh në Gjermani dhe që kanë fëmijë që vizitojnë kopështe apo shkolla gjermane. Edhe "njohja e gjuhës" do të luajë një rol të rëndësishëm në procesin e selektimit të të huajve që do të marrin leje qëndrimi. Por secili nga ata të huaj që do t´u japë me qëllim informacione të gabuara zyrave përkatëve për të huajt, nuk do të përfitojë nga rregulli i ri. Ekspertja e politikës së brendshme e Partisë së Majtë Ulla Jelpke, e kritikoi ndërkohë propozimin e ministrit të brendshëm gjerman Schäuble. Ky rregull nuk e meriton titullin "rregulli për qëndrim", sepse vetëm pak të huaj me statusin e "duldung"-it dhe azilkërkues kanë akses në tregun gjerman të punës. Kryetari i Këshillit të Kishës Evangjeliste, peshkopi Volfgang Huber, kish kërkuar që fundjavën e kaluar që e drejta e qëndrimit për të huajt të mos bazohet në kushte që nuk mund të përmbushen dot.