Regjistrimi i atyre, që janë kthyer në Kosovë është shumë i lehtë, po si do të regjistrohet popullata e shpërngulur serbe?
5 Mars 2010Në Kosovë tashmë ka filluar një fushatë sensibilizuese në të gjitha rajonet e vendit me qëllim të informimit të qytetarëve për procesin e regjistrimit të popullsisë, i cili do të ndodhë në prill të vitit 2011. Regjistrimi i popullsisë për herë të fundit në Kosovë është bërë në vitin 1981, ku Kosova kishte afro 2 milion banorë. Autoritetet e Prishtinës që nga përfundimi i luftës disa herë kanë bërë përpjekje që të nisin procesin e rëgjistrimit, mirëpo për shkak të lëvizjeve të shumta të qytetarëve, që ndodhën pas luftës sidomos më serbët, kjo ka qenë e pamundur. Zëvëndësministri i Shërbimeve Publike, Rifat Blaku, i cili njëherësh është edhe kryetar i komisionit për regjistrim, shpjegon për DW, se si do të bëhet regjistrimi.
“Çdo qytetar në ditën e regjistrimit është i obliguar që t'i përgjigjet pyetjes së regjistrusesit. Do të jetë pyetja për individin, familjen, banesën dhe pronën dhe pyetja tjera. Pra do të jenë pesë formularë, që qytetarët duhet të plotësojnë”, thotë Rifat Blaku.
Në prill të vitit 2011 regjistrimi i popullsisë do të bëhet edhe në të gjitha vendet fqinjë të Kosovës, Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi. Kjo është një marrëveshje e arritur ndërmjet këtyre vendeve dhe rrjetit evropian të statistikave. Mirëpo Qeveria e Serbisë akoma nuk është pajtuar plotësisht për regjistrimin e popullsisë edhe në Kosovë.
Ivanoviq: Në këto rrethana jemi kundër konsensusit për regjistrimin e popullsisë
Tash për tash ajo e kundërshton këtë regjistrim. Sekretari i shtetit në ministrinë serbe për Kosovën Oliver Ivanoviq i tha DW-së, se është i pamundur të bëhët regjistrimi i popullsisë në Kosovë, ku ka akoma mijëra serbë, që nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre.
“Që nga viti 1999 ne disa herë kemi qenë në presion nga autoritetet e Prishtinës, që të arrijmë një konsensus për regjistrimin e popullsisë, mirëpo në këto rrethana ne jemi kundër arritjes se konsensusit. Arsyeja është shumë e thjeshtë, sepse ka shumë njerëz të zhvendosur. I njëjti rast ka ndodhur edhe në Bosnje dhe Hercegovinë pas luftës, ku për dhjetë vjet radhazi nuk është arritur një konsensus për regjistrim për shkak të zhvensojes së madhe të njerëzve. E njejta situatë është edhe me Kosovën”, thotë Oliver Ivanoviq.
“Qëndrimi im parimor është se ka qindra mijëra njerëz, që janë larg shtëpive të tyre. Pra thjeshtë për aq kohë sa këta njerëz janë larg shtëpive të tyre, unë jam kundër regjistrimit të popullsisë”, thotë Oliver Ivanoviq. Mirëpo zëvëndësministri Rifat Blaku ka një përgjigje se si do të bëhet regjistrimi edhe i personave të zhvendosur nga Kosova.
“ Regjistrimi do të mbahet edhe nëpër enklavat serbe dhe në këto lokalitete shkon regjistruesi dhe pasi ajo familje të plotësoje formularët bazë, pyetet a ka ajo familje njerëz të shpërngulur, sa janë ata dhe ku gjenden, do të thotë ka një përgjigje ose janë në Gjermani, ose në Kralevë ose në Nish, ose në Podgoricë dhe krejt në fund me metodën e përpunimit të statistikave ato lidhen”, thotë Rifat Blaku.
Bllaku apelon se regjistrimi i popullsisë nuk ka të bëjë asgjë me politikën
Zëvëndësministri Blaku është i bindur se pjesëtarët e komunitetit serb të Kosovës do të marrin pjesë në regjistrim, dhe u apelon atyre se regjistrimi i popullsisë nuk ka të bëjë asgjë me politikën. Ai thotë se në disa regjistrime testuese, që janë bërë në disa lokalitete serbe ka pasur një interesim mjaft të madh nga serbët, që të përfshihen në këtë proces.
Rifat Blaku thotë se pas regjistrimit të fundit të vitit 1981 disa herë autoritetet serbe kanë falsifikuar shifrat e banorëve serbë, që jetojnë në Kosovë. Mirëpo ai thotë se me këtë regjistrim, që do të ndodhë vitin e ardhshëm do të dihet saktë se sa banorë ka Kosova.
“Tash shpesh dëgjojmë se nga Kosova qenkan shpërngulur 200 mijë serbë, ndërsa në Kosovë qenkan edhe 100 mijë të tjerë. Ky është një mashtrim i opinionit. Me regjistrimin e fundit të vitit 1991, pa pjesëmarrjen e shqiptarëve regjistrim ky, që është bërë vetëm nga Beogradi dhe ku në Kosovë kishte edhe të ardhur serbë nga Bosnja dhe Hercegovina ka qenë numri 119 mijë serbë, që jetojnë në Kosovë”, thotë Rifat Blaku.
Sidoqoftë nga regjistrimi i popullsisë, që do të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm, sipas Rifat Blakut, do të shpjegohet qartë se sa banorë ka Kosova. Këto statistika sipas tij do të zyrtarizohen nga rrjeti evropian i statistikave mekanizëm ky, që do të jetë edhe vetë pjesë e procesit.
Autor: Bekim Shehu.
Redaktoi: Angjelina Verbica