090109 Obama Krise
9 Janar 2009Recesioni mund të vazhdojë vite me radhë, nëse nuk ndihmohen fuqimisht bizneset, tha Omaba dje (8.1.) në universitetin e Fairfax-it. Presidenti i zgjedhur i SHBA-së planifikon një program në ndihmë të ekonomisë prej rreth 775 miliardë dollarësh. Ai parasheh ndër të tjera ulje të barrës fiskale, investime në sektorin publik dhe masa për rritjen e punësimit.
Ekonomia amerikane në rrezik serioz
Barack Obama paraqiti një pamje të zymtë të ekonomisë amerikane. Ai pret një ashpërsim të fortë të krizës nëse paketa e tij në ndihmë të ekonomisë nuk vihet në jetë sa më shpejt të jetë e mundur:
"Nëse nuk do të bëjmë asgjë, ky recesion mund të zgjasë vite, kuota e papunësisë mund të kapte nivele dyshifrore." Kjo kuotë është aktualisht 7 për qind. Obama e konsideron të mundshme rënien e fuqisë ekonomike të vendit të tij dhe mbetjen prapa të SHBA-së në plan ndërkombëtar: "Thënë shkurt: një situatë aktualisht e keqe mund të përkeqësohet në mënyrë dramatike."
Sipas Obamës vetëm duke pritur, vendi nuk mund të dalë nga kriza. Kjo është dhe një kritikë e qartë ndaj politikanëve konservatorë në Kongres, të cilët vazhdojnë të besojnë si më parë në forcën vetëshëruese të tregjeve. Obama mendon se nuk ka alternativë ndaj ndihmës shtetërore, edhe pse ajo nuk është ilaç universal: "Në këto momente të rëndësishme vetëm qeveria mund të ndihmojë për dhënien e impulseve që do të na nxirrnin nga ky recesion i thellë dhe i vështirë. Vetëm qeveria mund t'i japë fund ciklit që paralizon ekonominë tonë."
Shpenzime astronomike për rimëkëmbjen e ekonomisë
Në fjalimin e tij Obama nuk tha se sa do të kushtojë programi i tij në ndihmë të ekonomisë. Bashkëpunëtorët e tij kishin folur më parë për një shumë prej 700 deri 800 miliardë dollarësh. Vetë Obama tha se shifra është në fundin e sipërm të këtij intervali. Paratë do të përdoren me synime të caktuara dhe gjithçka do të jetë transparente. Specialistët do të mbikqyrin gjithçka, ndryshe nga programet e administratës Bush: "Qeveria jonë ka shpenzuar shumë para, por deri tani nuk kemi parë më shumë vende pune, të ardhura më të larta apo ripërtëritje të besimit në ekonominë tonë." Një kritikë e qartë kjo ndaj presidentit ende në detyrë.
Obama, siç ka njoftuar në fushatën e tij elektorale, do t'i përdorë paratë ndër të tjera për rinovimin e rrugëve dhe urave, zhvillimin e energjive të ripërtëritshme dhe një sistemin modern telekomunikacioni. Në fjalimin e tij i cili ishte në masë të madhe përmbledhje e pozicionit tashmë të njohur, Obama njoftoi edhe një mbështetje më të mirë për të papunët dhe lehtësime fiskale. Fjalimi me sa duket i drejtohej Kongresit të SHBA-së. Kongresistët duhet të miratojnë paketën në ndihmë të ekonomisë dhe kanë filluar tashmë konsultimet. Obama u bëri atyre thirrje me këmbëngulje të nxitojnë dhe të mos humbasin kohë:
"Çdo ditë që kalon pa vepruar u kushton amerikanëve punën, familjeve kursimet dhe kombi ynë mund të zhytet në një krizë nga e cila dikur mund të mos jetë më në gjendje të dalë."
Udhëheqja demokratike e Kongresit pret që paketa në ndihmë të ekonomisë deri në fillim të muajit të ardhshëm të ketë kaluar të gjitha pengesat .