1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagime pozitive në Evropë ndaj zgjedhjeve në Gjermani

29 Shtator 2009

Shumë kryetarë shtetesh dhe qeverishë uruan kancelaren Angela Merkel për suksesin në zgjedhje. Ragimet evropiane mbi rezultatin e zgjedhjeve ishin pozitive.

https://p.dw.com/p/JtJ5
Angela Merkel në BrukselFotografi: AP

Komisioni Evropian parimisht nuk i komenton zgjedhjet në vende të veçanta anëtare, sepse duhet t' i përmbahet me rigorozitet neutralitetit. Një zëdhënës i Komisionit deklaroi në fakt, se Presidenti José Manuel Barroso do të urojë qeverinë e re gjermane, sapo ajo të jetë zyrtarisht në detyrë. Kryeministri konservator i Suedisë, aktualisht president i Këshillit të BE-së, Fredrik Reinfeldt, u shpreh me një lehtësim të madh për fundin e koalicionit me bazë të gjerë në Gjermani

„Nga kriza financiare në Evropë Gjermania është prekur rëndë. Ju keni borxhe të mëdha shtetërore dhe nevojë për reformë, për të cilën diskutohet në koalicionin e krijuar si një martesë nga zori, por që pjesërisht ju edhe ia keni dalë për t'i vënë reformat nën kontroll. Unë besoj, se gjermanët kanë zgjedhur një qeveri të reformës, e cila do të forcojë aftësinë e konkurrencës ekonomike të vendit“, theksoi ai.

PE: Gjermania ka nevojë për ndryshim kursi

Edhe në telegramin e urimeve nga Parlamenti Evropian theksohet në plan të parë politika ekonomike. Kristiandemokratët presin nga qeveria e re, që ajo të japë "një impuls të rëndësishëm ekonomik dhe politik për Bashkimin Evropian në tërësi."

EU Wahlen zu EU Parlament in Brüssel Deutschland FDP Guido Westerwelle
Guido Westerwelle: liberalët evropianë i gëzohen rezultatit të tijFotografi: AP

Guy Verhofstadt, kryetari i grupit parlamentar të liberalëve në Parlamentin Evropian, uroi liberalin Guido Westerwelle për rezultatin e mirë në zgjedhje. Liberalët në Evropë kanë mundur ta zgjerojnë kuotën e përfaqësimit të tyre në zgjedhjet e fundit në qershor për Parlamentin Evropian. Gjermania, sipas Verhofstadt, „ka nevojë për ndryshimin e kursit dhe për një qeveri, e cila të merret intensivisht me pasojat e krizës ekonomike, papunësinë dhe ripërtëritjen e ekonomisë.“

Problemet e mundëshme me Opelin

Ajo që pret BE-ja përqëndrohet kryesisht tek roli i ekonomisë më të madhe të Evropës në politikën ekonomike. Shumë shpresojnë, se reformat në Gjermani mund të ndihmojnë në të gjithë Evropën për të dalë shpejt nga kriza ekonomike.

Ndonëse komisioni nuk prononcohet për zgjedhjet, është i interesuar veçanërisht që të mësojë, se ç'qëndrim do të mbajë qeveria e re lidhur me problemin e koncernit Opel. Lidhur me këtë disa vende anëtare kanë frikë se Gjermania do të mundohet t' i mbajë fabrikat e Opelit në vend me ndihma nga paratë publike. Zëdhënësi i komisionit Jonathan Todd tha, se duhet të respektohen patjetër rregullat evropiane të konkurrencës:

„Komisioni do të vëzhgojë me konsekuencë dhe përpikmëri, se çfarë ndihmash do të marrë Opeli. Sapo qeveria gjermane të precizojë, se çfarë ka ndërmend, do të verifikohet me kujdes, dhe ne mbetemi lidhur me këtë çështje në kontakt të ngushtë me qeverinë gjermane“, tha ai.

Por edhe në këtë drejtim qeveria e re më shumë mund t' i shqetësojë evropianët e tjerë. Sepse kryesisht partia e demokratëve të lirë (FDP) e orientuar fort nga tregu duhet të ketë kujdes, që të ruhen kufijtë për ndihmat ndaj ndërmarrjeve të futura në borxhe.

Autor: Christoph Hasselbach/Vilma Filaj Ballvora

Redaktoi: Bahri Cani