Qeveria polake i shpall luftë korrupsionit | Politika | DW | 25.07.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Qeveria polake i shpall luftë korrupsionit

"Polonia e re" nën drejtimin e binjakëve Kazhinski po merr gjithnjë e më tepër formë

default

Burokracia polake, e cila po shtohet me tërbim, pengon zhvillimin e vendit, tha javën e kaluar kryeministri polak Jarosllav Kazhinski:

"Gjithsesi ka edhe një shfaqje tjetër edhe më të rrezikshme, dhe ky është një fenomen kriminal. Në qendër të tij është korrupsioni, i cili shkatërron jetën tonë shoqërore. Përdorimi i mjeteve publike për qëllime private, rrethimi i aparatit të shtetit prej rrjetit mafioz, depërtimi i mafias në radhët e shtetit. Kjo është një sëmundje jashtëzakonisht e madhe, së cilës ne i kemi shpallur luftën dhe kundër së cilës do të luftojmë."

Për këtë qëllim "Zyra qendrore antinkorrupsion" është pajisur me kompetenca të gjëra hetimore dhe ka në shenjestër pikat e lidhjes së shtetit me ekonominë. Ky organ i ri hetimor është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të kryeministrit dhe për këtë nuk mungojnë zërat që shohin në të një instrument për krijimin e një lloj policie private të qeverisë. Rishard Kalizh, i partisë postkomuniste SLD, që është në opozitë thotë:

"Kjo parti e vetme do të mund t'i kontrrollojë të gjitha. Jarosllav Kazhinski do të ketë mundësi që përmes kësaj zyre të mbledhë informacione për partitë e tjera dhe kundërshtarët politikë, por edhe për partnerët e vet në koalicion. Kështu do të krijohet një pabarazi totale dhe një instrument me të cilin mund të provokohet."

Nga ana tjetër në radhët e gjëra të opinionit polak ekziston mendimi i përbashkët se korrupsioni dhe nepotizimi përbëjnë një problem serioz për vendin. Por në vend që të krijohen zyra të reja, duhet të mbyllen më mirë shtigjet që lejojnë ligjet dhe të merren masa për ta parandaluar korrupsionin, thotë Julia Pitera, e partisë opozitare Platforma Qytetare. Sipas saj ekzistenca paralele e dy autoriteteve hetimore do të çojë në pështjellime për kompetencat.

Parlamenti polak miratoi edhe ligjin për zgjerimin e rrethit të personave, të cilët do t'i nënshtrohen kontrollit në lidhje me angazhimin ose jo për ish-organet e sigurimit të shtetit të Polonisë komuniste. Sipas ligjit të ri këtij kontrolli do t'i nënshtrohen ndër të tjerë edhe drejtorët e shkollave, nëpunës të lartë të administratës apo gazetarët. Po ashtu ndryshe nga deri tani do të publikohen edhe lista me emrat e personave që kanë e furnizuar ish-sigurimin e shtetit me infromacione. Sipas drejtorit të Institutit që është ngarkuar me shqyrtimin e dosjeve përkatëse, Janush Kurtyka, prej fakteve të së kaluarës së tyre do të preken disa qindra-mijëra polakë:

"Ne e kemi të vështirë të vlerësojmë sesa do të jetë numri i saktë. Por shifra prej 300.000 vetësh për të cilën flet shumëkush, mendoj se është shumë e ulët dhe se duhet të jetë më e lartë."

Ligji për zbardhjen e veprimtarisë së ish-organeve të sigurimit të shtetit u miratua me shumicë votash në parlament. Kundër tij votuan vetëm 44 deputetët e ish-partisë komuniste SLD.

  • Data 25.07.2006
  • Autor Jan Pollak
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqp3
  • Data 25.07.2006
  • Autor Jan Pollak
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqp3