1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

280609 honduras 2 putsch

29 Qershor 2009

Ushtria shfuqizoi nga posti presidentin Manuel Zelaya, i cili u dëbua në vendin fqinjë Kosta-Rika. BE dhe SHBA shprehen për grusht shteti.

https://p.dw.com/p/IdBJ
Gjen. Romeo Vasquez dhe nje demonstrues
Kundër presidentit Zelaya nuk është vetëm ushtriaFotografi: AP

Tensionet në kryeqytetin e Hondurasit, Tegusigalpa, janë rritur, ushtarët kërcënojnë reporterët që duan të informojnë për puçin. Disa rrugë më tej ithtarë të presidentit të rrëzuar u kërcënohen disa ushtarëve dhe i quajnë "kriminelë", sepse ushtria mori në duart e saj pallatin presidencial dhe ndërtesat e tjera të qeverisë.

Carlos Eduardo Romo, zëdhënësi i presidentit Zelaya thotë: "Ne jemi këtu sepse ushtria ka rrëmbyer presidention tonë. Ushtria është e shitur, ajo vepron për interesat e oligarkisë së pasur".

Parlamenti në Honduras caktoi kryetarin e parlamentit, Roberto Micheletti, si president të përkohshëm. Micheletti tha se presidenti Zelaya ishte hequr në rrugë konstitucionale dhe shtoi se zgjedhjet në nëntor do të mbaheshin siç ishin parashikuar. Micheletti ka shpallur në të gjithë vendin një gjendjen e shtetrrethimi e cila vazhdon edhe sot (29.06).

Roberto Micheletti
Roberto MichelettiFotografi: AP
Manuel Zelaya
Manuel ZelayaFotografi: AP

Duke folur nga Kosta-Rika presidenti Zelaya tha se kishte qenë viktimë e një grushti shteti të dhunshëm dhe ilegal dhe se mbetej presidenti i Hondurasit. Ai bëri të ditur se do të marrë pjesë në samitin e kryetarëve të shteteve të Amerikës Qëndrore në Nikaragua në funksionin e presidentit.

Por duket se në Honduras kundër tij janë forca të fuqishme. Gjykata supreme njoftoi se ishte ajo që e kishte autorizuar ushtrinë ta dëbonte presidentin. Kongresi bëri gjithashtu të ditur se ka një letër ku presidenti Zelaya kërkon dorëheqjen, por ai e hodhi poshtë këtë lajm si jo të vërtetë.

Në kryeqytet u ndërpre rryma elektrike dhe përkrahës të presidentit filluan të mblidhen në qendër të qytetit. Në rrugë janë dislokuar disa tanke. Në reagimin e parë zyrtar qeveritar, ambasadori i Hondurasit në OKB, Jorge Reina Indiaquez vlerësoi se ky ishte një grusht shteti.

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka shprehur shqetësim të thellë për arrestimin e presidentit të Hondurasit nga ana e ushtrisë dhe dëbimin e tij nga Hondurasi. "I ftoj të gjithë aktorët politikë dhe socialë në Honduras, që të respektojnë normat demokratike dhe sundimin e ligjit", thuhet në një kumtesë të presidentit Obama.

Bashkimi Evropian, po ashtu, e ka dënuar këtë akt të cilin e cilësoi si "grusht shteti". Në një deklaratë të përbashkët të ministrave të jashtëm të 27 vendeve të BE-së kërkohet rikthimi i normalitetit në Honduras.

Autor: Tim Janszky/Mimoza Cika-Kelmendi
Redaktoi: Pandeli Pani